Krijohet qeveria e Kosovës, nënshkruhet marrëveshja - Business Magazine Albania

Krijohet qeveria e Kosovës, nënshkruhet marrëveshja


Zëri i Amerikës

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nënshkruan të dielën marrëveshjen për formimin e qeverisë së re, për të cilën do të votohet të Hënën në parlamentin e Kosovës.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, publikuan së bashku njoftimin duke e cilësuar arritjen e marrëveshjes si “të mirë dhe në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin në vend”.

Sipas marrëveshjes, qeveria e re do të ketë 15 ministri dhe nga to, Vetëvendosje, kryetari i së cilës do të jetë kryeministër, do t’i ketë gjashtë ministri, po aq sa edhe Lidhja Demokratike, ndërsa 3 ministri do t’i kenë pakicat. Në fillim të negociatave të dyja partitë ishin pajtuar që të qeveria e tyre të ketë vetëm 12 ministri.

“Ne kemi vlerësuar se synimi që të kemi 12 ministri ka qenë synim i drejt por kemi thënë që është një tendencë e jona dashamirëse për të kursyer sa më shumë. Mirëpo në anën tjetër kur kemi analizuar strukturat e ministrive përkatëse, krijimi i disa super ministrive është dëshmuar se është kosto më e madhe se sa t’i kemi 12 ministri. Pra nëse ne nuk do të bënim një gjë të tillë atëherë do të zvarritej edhe për mbi një vit reduktimi në 12 ministri. Më mirë ta bëj reduktimin më të shpejt në 15 ministri se sa të presim më gjatë”, tha zoti Kurti.

Sipas marrëveshjes, posti i kryetarit të parlamentit do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sipas zotit Kurti, kryetari aktual, Glauk Konjufca do të marrë një post qeveritar.

Marrëveshja nuk e përfshin edhe çështjen e postit të presidentit, që ishte “mollë sherri” në negociatat për qeverinë e re. Lidhja Demokratike kërkoi që në fillim të negociatave që ai post t’i takojë asaj pas skadimit të mandatit të presidentit aktual, Hashim Thaçi, vitin e ardhshëm.

“Sa i përket presidentit, ne jemi marrë vesh që të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar, të jetë një çështje që do të dakordohemi unë dhe zoti Kurti si lider politik dhe do ta zgjidhim edhe atë çështje në kohën kur është e domosdoshme që të zgjidhet. Sa i përket kryetarit të Kuvendit ne kemi sot Këshillin e Përgjithshëm dhe kemi kryesinë, atje do të vendosim për kuadro dhe për kryetar të Kuvendit. Parimisht ne që nga fillimi kemi thënë që kryetarin e Kuvendit e merr ajo ose ai të cilit ose së cilës Lidhja Demokratike e Kosovës ja ka dhënë besimin dhe qytetarët po ashtu ja kanë dhënë votën e madhe”, tha zoti Mustafa.

Në orët e pasdites, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike miratoi njëzëshëm marrëveshjen, ndërsa lëvizja Vetëvendosje e cila e hodhi atë në referendum të brendshëm sipas parimit “një anëtar – një votë”, tha se mbi 95 për qind e anëtarësisë u shpreh në mbështetje të marrëveshjes.

Parlamenti mblidhet të hënën për të votuar qeverinë e re të cilën e presin shumë sfida dhe ndër më të mëdhatë është ajo e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019, të katërtat me radhë që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, pasuan dorëheqjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Prokurosia e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit shënoi edhe ndryshimin më të madh në skenën politike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje doli e para e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe që të dyja partitë thanë se nuk kanë alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre.

Pas 12 vjetësh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës del në opozitë.

Tirana përgëzon Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përshëndeti marrëveshjen për bashkëqeverisje të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga z.Albin Kurti i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin”, shkroi presidenti Meta në rrjetet sociale.

Suksese VV-LDK në formimin e qeverisë së re dhe në qeverisjen e Kosovës! Uroj të kemi një bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë🇦🇱🇽🇰

— Edi Rama (@ediramaal) February 2, 2020

Ndërsa kryeministri Edi Rama, uroi që të ketë një “bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0