Kostoja e korrupsionit në ekonomi dhe në çmimet e mallrave: Trajtimi i tij nga qeverisja qendore dhe vendore, shoqëria civile dhe biznesi - Business Magazine Albania

Kostoja e korrupsionit në ekonomi dhe në çmimet e mallrave: Trajtimi i tij nga qeverisja qendore dhe vendore, shoqëria civile dhe biznesi

korrupsionit

Përmbledhja e studimeve të kryera për kostot e korrupsionit në Ballkan, ku përfshihen edhe konkluzione për Shqipërinë tregojnë se vendet e prekura nga një nivel i lartë korrupsioni shfaqim rrisqe të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e demokracisë. Shfaqjet e rrisqeve përfshijnë keqpërdorimin e pushtetit në formën e parave ose autoritetit për të arritur qëllime të caktuara në mënyra të paligjshme, të pandershme ose të padrejta nuk janë të afta të përparojnë plotësisht sa ato me një nivel të ulët të korrupsionit.

Analiza sipas paraqitjes së Indeksit të Korrupsionit për vitet 2012-2020 tregon se natyra dhe shtrirja e korrupsionit ndryshon nga një vit në tjetrin dhe se efektiviteti i politikave kundër korrupsionit është krejt i ndryshëm. Ajo tregon gjithashtu se si korrupsioni është një fenomen që prek të gjitha shtresat e shoqërisë dhe kjo duhet të kuptohet nga të gjithë të ndikuarit prej tij se nevojitet veprim i vazhdueshëm në të gjithë vendin dhe jo vetëm në pushtetin qendror dhe qeverisjen në tërësi.

Në një shikim të renditjes sipas treguesit të korrupsionit në periudhën 9 vjeçare 2012-2020 në vendet e Ballkanit Perëndimor duket se Shqipëria ka renditje të afërt me Kosovën dhe me Bosnjë-Hercegovinën (vetëm dy vitet e fundit). Në një krahasim të mesatares së renditjes në këto vite midis vendeve duket se përsëri Shqipëria dhe Kosova kanë një renditje mesatare në vendin 101 (nga 190 vende gjithsej) dhe janë mbrapa 15 pozicione nga Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, 20 pozicione nga Serbia dhe 33 pozicione nga Mali i Zi.

Një analizë në vitin 2019 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron se të ardhurat janë më të larta në vendet që perceptohen të jenë më pak të korruptuara. “Qeveritë më pak të korruptuara mbledhin 4% të PBB-së më shumë në taksa sesa ato në të njëjtin nivel të zhvillimit ekonomik me nivelet më të larta të korrupsionit”, thuhet në raport.

Sipas llogaritjeve bazuar në konkluzionin e analizës së FMN, korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë për Shqipërinë dhe një fenomen që i kushton ekonomisë rreth 515 milion euro në vit. Shqipëria, ashtu si në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor ka ndërmarrë shumë iniciativa vitet e fundit, por rezultatet janë të pamjaftueshme dhe duhet bërë më shumë për të parandaluar dhe ndëshkuar korrupsionin.

Lexoni: Informaliteti dhe korrupsioni. Raporti i BE shfaq shqetësimet kryesore të bizneseve shqiptare

Matja e kostos së korrupsionit shpesh konsiderohet si një pjesë e domosdoshme e përcaktimit të mënyrës se si të luftohet korrupsioni. Pikëpamja më e pranueshme është se kjo kosto mjaft e rëndësishme duhet të shërbejë më së paku për të justifikuar koston e zbatimit të masave kundër korrupsionit dhe për të treguar se ku duhet të jetë fokusi i masave kundër korrupsionit.

Elementë dhe faktorë që ndikojnë dhe janë të lidhur me korrupsionin mundet të orientojnë pikërisht forcimin e masave në kohën, vendin dhe me forcën e duhur të burimeve nga pushteti qendror, vendor dhe në një koordinim dhe bashkëveprim të pamohueshëm me shoqërinë civile, eksperët dhe organizatat e biznesit dhe sindikatat si përforcim i zërit qytetar.

Paqartësia dhe mospërputhja e premtimeve politike me zbatimin e buxhetit sipas skemave të strukturuara korruptive kanë karakterizuar segmente veprimi dhe rregulla e procedura që kanë rregulluar shpenzimet publike nga bizneset e përzgjedhura për të zbatuar skemën e korrupsionit.

Në nivel lokal, korrupsioni mund të favorizohet nga kultura e klientelizmit dhe patronazhit, si dhe nga rrjetet e strukturuara informale të zyrtarëve publikë lokalë, nëpunësve civilë, liderëve të komunitetit dhe elitës së biznesit lokal. Në aspektin e efekteve që dha reforma territoriale mund të themi se procesi i nxituar i decentralizimit në 2015 nuk ka gjetur zbatimin e plotë të tij dhe kjo ka krijuar boshllëqe të mëdha në zbatim, llogaridhënie dhe transparencë. Reforma territoriale u krye nga vlerësime jo të plota të kapacitetit të ekonomisë lokale dhe të aftësive njerëzore, teknike dhe administrative të autoriteteve vendase për të përvetësuar përgjegjësi të reja dhe flukse të mëdha të të ardhurave nga burimet.

Kostoja e korrupsionit duket se ka ndikuar pikërisht në rritjen e çmimeve prej fundvitit 2021.

Kjo kosto e shtuar është transferuar nga bizneset te çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Nëse kësaj transferte të bizneseve i shtojmë edhe koston e paketës fiskale 2022 me ndërhyrjet në rritje të taksave të konsumit (TVSH dhe akciza), atëherë mungesa e debatit publik dhe arroganca prej modelit korruptiv kanë ndikuar direkt në rritjen e çmimit për shumicën e mallrave që tregtohen për konsumatorët. Duke vijuar efekti domino në rritjen e çmimeve edhe nga bizneset e shërbimeve për të përballuar kostot e lëndëve të para, atëherë një valë tjetër e justifikuar nga koha do të paguhet si çmim i shtuar nga të gjithë ne. E gjitha ndodh, kur të ardhurat mesatare dhe të ulëta, ashtu si u vërejt nga të dhënat e pagave në vend (skandali i publikimit të pagave) janë me shumicë të ulëta dhe mesatare të ulëta.

Vlerësimet nga modelet e studiuara në këtë drejtim sugjerojnë se çmimi i korrupsionit është më i larti për shërbimet e konsumatorit: një rritje prej 1% në korrupsionin e perceptuar rrit çmimet e shërbimeve të konsumatorit me 0.25%, gjë që tregon se efekti i korrupsionit në çmimet e shërbimeve është dy herë më i lartë sa ai i çmimeve të mallrave.

Nga llogaritjet tona sipas konkluzionit të gjetjes sipas studimit të cituar më lart rezulton se rritja e perceptimit të korrupsionit në këto vite të fundit në Shqipëri ka ndikuar direkt në rritjen e çmimeve të konsumit me jo më pak se 5% duke ushtruar barrën e saj ashtu si edhe është quajtur: taksa e korrupsionit.

Nëse korrupsioni politik do të vijojë të shtohet edhe më shumë gjasat janë që bizneset do të rritin edhe më tej çmimet duke krijuar një inflacion fiktiv dhe një ekonomi jo reale. Kjo do të zbulojë difektet dhe mëkatet që mbarten vit pas viti nga zbatimi i munguar i një vizioni që diku egziston në zyrat e qeverisë, por që asnjëherë nuk është koordinuar kur dhe si duhet për ekonominë dhe tregun.

Sipas analizës sonë, mbyllja e hendekut midis teorisë dhe praktikës arrihet duke ndërtuar një aleancë midis qeverisë qendore dhe vendore me shoqërinë civile dhe grupet e shoqatat e ndryshme pa harruar sindikatat për të përdorur gjithpërfshirjen si një formulë standarde diagnostikuese.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0