Korridori VIII, boshti lindje–perëndim që po riformaton lidhjet ekonomike dhe të sigurisë në Ballkan - Business Magazine Albania

Korridori VIII, boshti lindje–perëndim që po riformaton lidhjet ekonomike dhe të sigurisë në Ballkan

Ministeriali i Korridorit VIII mblidhet sot në Tiranë

Në Tiranë u zhvillua sot Ministeriali i Korridorit VIII, një takim i nivelit të lartë që mblodhi përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Rumania dhe Bullgaria, me fokus avancimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal.

Takimi u organizua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe u zhvillua në Pallatin e Brigadave, ku në qendër të diskutimeve ishte roli i Korridorit VIII si bosht strategjik lindje–perëndim për Evropën Juglindore, me ndikim në zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe integrimin evropian.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se Korridori VIII është një aset strategjik për ndërlidhjen dhe sigurinë evropiane, duke nënvizuar se Shqipëria është një nga nyjet më të besueshme të këtij projekti. Sipas saj, Korridori VIII nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por një domosdoshmëri strategjike për tregtinë, zhvillimin ekonomik dhe ndërveprueshmërinë mes vendeve anëtare të NATO-s.

Nga ana e saj, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cilësoi Korridorin VIII si një instrument kyç për integrimin evropian, konkurrueshmërinë ekonomike dhe stabilitetin rajonal. Ajo vuri theksin te nevoja për ripozicionimin e tij në arkitekturën TEN-T dhe kalimin nga angazhimet politike në projekte konkrete, të financuara në mënyrë të qëndrueshme dhe të zbatuara me efikasitet. Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu potencialin e Shqipërisë si nyjë lindje–perëndim dhe portë e Adriatikut, përmes zhvillimit të porteve, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.

Lexo edhe:Shqiptarët ‘braktisin’ vendin pas pandemisë, 138 mijë ikje më shumë se kthime

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunksi, deklaroi se Korridori VIII është një lidhje kyçe mes Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi, duke theksuar rëndësinë e tij jo vetëm për tregtinë dhe integrimin në tregun e përbashkët evropian, por edhe për lëvizshmërinë ushtarake dhe sigurinë e NATO-s. Sipas tij, korridori mund të shndërrohet edhe në një aks të rëndësishëm për ndërlidhjen energjetike dhe rritjen e rezistencës rajonale.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, u shpreh se Korridori VIII është thelbësor për tregtinë dhe sigurinë, duke e cilësuar përfundimin e tij si një prioritet strategjik edhe për lëvizshmërinë e NATO-s. Ai theksoi se për Italinë ky projekt është një zgjedhje politike dhe pjesë e strategjisë për forcimin e lidhjeve të Ballkanit me Evropën.

Përfaqësues nga Bullgaria dhe Rumania nënvizuan dimensionin politik, ekonomik dhe të sigurisë së Korridorit VIII, duke e cilësuar atë si një projekt që bashkon interesat strategjike të vendeve të rajonit dhe kontribuon në stabilitetin afatgjatë të Evropës Juglindore.

Në kuadër të ministerialit, u theksua nevoja për kalimin nga vizioni politik në investime konkrete, me fokus në financimin e projekteve prioritare, përmirësimin e infrastrukturës portuale, rrugore dhe hekurudhore, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërqeveritar. Diskutimet u zhvilluan në disa panele tematike, që trajtuan ndërlidhjen e qëndrueshme, dimensionin gjeopolitik të Korridorit VIII dhe mekanizmat e financimit.

Ministeriali u shoqërua edhe me një forum ekonomik me temë “Nga lidhja strategjike drejt rritjes ekonomike rajonale: potenciali ekonomik i Korridorit VIII”, duke synuar ta kthejë këtë projekt në një motor konkret të zhvillimit, tregtisë dhe integrimit rajonal.

ata

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0