Korona virus: Çfarë i ka sjellë Suedisë rruga e veçuar? - Business Magazine Albania

Korona virus: Çfarë i ka sjellë Suedisë rruga e veçuar?

“Zhvillimet po shkojnë në drejtimin e gabuar”, shkroi kryeministri i Suedisë, Stefan Löfven të enjten në Facebook. “Më shumë infektime, më shumë raste vdekjeje. Kjo është situatë serioze.” Ky ishte postimi i parë që Löfven bëri nga vetëizolimi, pasi një person në rrethin e tij kishte pasur kontakt me të infektuar me Corona. Si e gjithë Europa edhe Suedia po përjeton këto ditë një valë të dytë të pandemisë së Coronës – aktualisht po shënohen vlerat më të larta të numrit të infektimeve të reja.

Por, Suedia është një vend që deri sot nuk ka vendosur rregulla të detyrueshme për të gjithë për të luftuar virusin, por përpiqet të vendosë nën kontroll pandeminë përmes rekomandimeve për sjelljen qytetare. “Nëse jeni i konfirmuar si i infektuar me COVID-19, atëherë të paktën duhet të qëndroni në shtëpi, shtatë ditë pas shpërthimit të sëmundjes”, rekomandojnë autoritetet e shëndetësisë suedeze. Autoriteti i shëndetësisë nën drejtimin e epidemiologut, Anders Tegnell është shtabi qendror në luftimin e pandemisë dhe me ndikim në politikë.

Kritikë e vetmuar

Suedia i mbetet besnike rrugës të bërë të njohur në të gjithë botën si “rruga e veçantë e Suedisë”. Filozofia pas saj: Nëse apelohet tek arsyeja e qytetarëve, në vend që t’i detyrosh ata me kufizime, pranueshmëria është më e lartë për një kohë më të gjatë. Një nga kritikët e kësaj strategjie që nga fillimi është Lena Einhorn. Producentja e filmit, 66 vjeçare dhe shkrimtare, virologe e mëparshme, publikoi në prill me 21 vetë të tjerë një kritikë të argumentuar shkencërisht kundër menaxhimit suedez të krizës. Ajo thotë për Deutsche Wellen se Suedia, ashtu si në pranverë është më e goditur, se vende të tjera fqinje. “Dallimi është se ato kanë kufizime të tjera nga tonat. Danimarka ka vendosur një sistem semafori me rregulla të zgjeruara të jetës publike. Norvegjia ka vendosur home-office për zonat e rrezikuara”.

Suedia pa maska

Që në rrugë të bie në sy dallimi, thotë Einhorn. “Nëse ecën nëpër rrugët e Stockholmit apo shkon në dyqan nuk sheh njeri që mban maskë. Në transportin urban shikon vetëm njerëz të veçuar me maskë. Vërtet është tabu të mbash maskë”. Në fillim të pandemisë ishte e paqartë, por tani konsiderohet si e vërtetë e bazuar në studime, se maska që mbron hundën dhe gojën e ndal në një masë të madhe përhapjen e virusit Korona. Sipas Einhorn, në të gjitha vendet skandinave, veç Suedisë, maska është tani pjesë e së përditshmes.

LEXO: Pse qeveria suedeze rekomandon që popullata e moshuar të mos izolohet?

Pesë fazat e rrugës së posaçme suedeze

Lena Einhorn nuk pret që Suedia ta ndryshojë strategjinë e saj. Pyetjet më kritike i bëjnë gazetarët e huaj në konferencat e shtypit, thotë ajo, sepse mënyra si u pa Suedia nga jashtë ka variuar këto kohë. “Në fillim ata thanë: ndoshta kanë të drejtë, por pastaj pati gjithnjë e më shumë të vdekur në Suedi, dhe ne u bëmë si monstra, shumë na quanin për të çmendur”. Për një kohë të caktuar, Suedia ishte vendi me numrin më të madh të viktimave në botë. Në vende të tjera të moshuarit mbroheshin në mënyrë më efektive. Pastaj erdhi faza tjetër, thotë Lena Einhorn. “Në verë, kur kishte më pak të vdekur Suedia u bë sërish parajsa në tokë. Kur në vjeshtë, në shumë vende u rritën infektimet dhe pati rezistencë kundër kufizimeve të reja, Suedia u kthye në idhull të lirisë. Por nuk është më e tillë, që kur rastet edhe këtu po rriten shumë”.

Në popullsinë suedeze ka rënë mbështetja për autoritetin e shëndetësisë dhe epidemiologun e shtetit, Tegnell. Në vendet fqinje, qeveritë herët a vonë e kanë korrigjuar kursin dhe kanë vendosur rregulla detyruese në vend të rekomandimeve. Qeveria suedeze nuk mund ta bëjë këtë, mendon Einhorn. “Qeveria jonë ka pak mbështetje, e për sa kohë që autoriteti i shëndetësisë është i preferuar, qeveria nuk mund të dalë kundër”. E kështu në kulmin e valës së dytë të pandemisë, qeveria suedeze vazhdon të bazohet në veprimin vullnetar të qytetarëve. Kryeministri suedez ka shkruar nga karantina: “Informohuni dhe ndiqni këshillat.”

DW

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0