Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për biznese të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale.
Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit Perëndimor.
Programi siguron mbështetje financiare dhe ndihmë të planifikuar për bizneset e përzgjedhura që ofrojnë zgjidhje inovatore dhe kontribuojnë në arritjen e shtatë Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht:
- OZHQ 2: Zero uri. Arritja e sigurisë ushqimore, përmirësimi i të ushqyerit dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme.
- OZHQ 7: Energji e Përballueshme dhe e Pastër. Sigurimi i aksesit në energji të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe bashkëkohore.
- OZHQ 8: Punë e denjë dhe rritje ekonomike. Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, si dhe punësim dhe punë të denjë për të gjithë.
- OZHQ 11: Qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Kthimi i qyteteve dhe vendbanimeve në gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, rezistues dhe të qëndrueshëm.
- OZHQ 12: Prodhim dhe konsum i përgjegjshëm. Sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit.
- OZHQ 13: Veprim ndaj klimës. Marrja e masave të menjëhershme për të luftuar ndryshimin klimatik dhe efektin e tij.
- OZHQ 15: Jeta në tokë. Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave në shkretëtirë dhe ndalimi dhe kthimi pas i procesit të degradimit të tokës dhe ndalimi i humbjes së biodiversitetit.
Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta bazohet në parimet e përgjegjshmërisë ndaj mjedisit, sjelljes etike, diversitetit, përfshirjes dhe fuqizimit, autonomisë me qëllim promovimin e mirëqenies së komuniteteve lokale, duke fuqizuar sipërmarrjen dhe duke u mundësuar njerëzve të përmbushin potencialin e tyre.
“Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta” në Shqipëri mundësohet me mbështetjen financiare të Rockefeller Brothers Fund dhe Credins Bank.
QËLLIMI
Qëllimi i Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta është mbështetja e nismave të biznesit të cilat synojnë përfshirjen sociale përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimin ekonomik lokal përmes ideve miqësore ndaj mjedisit.
MBËSHTETJA FINANCIARE
Çdo propozim i dërguar në këtë thirrje duhet të vijë nga një biznes në fazat e para të zhvillimit, ku produktet apo shërbimet janë të pranishme në treg prej jo më shumë se 3 vitesh. Fondi do të mbështesë propozime biznesi për një periudhe kohore gjashtë (6) deri në nëntë (9) muaj, me një financim maksimal jo më shumë se 1,000,000 lekë.
Inkurajohet bashkëfinancimi nga burime alternative!
KRITERET E APLIKIMIT
KUSH MUND TË APLIKOJË?
Konkursi është i hapur për biznesin e vogël në vend me një fitim vjetor jo më shumë se 2,000,000 lekë në vitin e fundit (2024).
KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË APLIKIMI SI BIZNES NË FAZAT E PARA TË ZHVILLIMIT
- Biznesi është në fazat e para të zhvillimit të tij dhe është regjistruar zyrtarisht në QKB jo më larg se tre (3) vjet nga data e shpalljes së konkursit;
- Biznesi duhet të ketë status ‘aktiv’ të operimit të tij në momentin e aplikimit;
- Biznesi bazohet kryesisht në përdorimin e burimeve lokale, duke përfshirë punësimin e njerëzve lokalë dhe shfrytëzimin e aftësive tradicionale;
- Biznesi ka një vizion, apo një plan veprimi për qëndrueshmërinë mjedisore;
- Biznesi ka një plan për qëndrueshmëri ekonomike dhe/apo rritjen e vazhdueshme;
- Biznesi ka një qasje inovatore dhe ndikim të vlefshëm në shoqëri;
- Biznesi bazohet në një vlerësim të tregut lokal dhe është i vetëdijshëm për konkurrentët dhe avantazhet krahasuese;
- Biznesi është novator në krahasim me bizneset dhe nismat e tjera në komunitet;
- Biznesi fokusohet ose kontribuon në një prej OZHQ-ve të listuara: 2, 7, 8, 11, 12, 13 dhe 15.
PROCESI I APLIKIMIT
DOKUMENTET QË DUHEN DORËZUAR
Aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:
“Forma e Aplikimit”, “Forma Financiare” dhe “Modeli i Biznesit ‘Canvas’” duhet të plotësohen sipas formateve të vendosura në dispozicion nga Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2025. Asnjë format tjetër i ngjashëm nuk do të pranohet si dokument aplikimi në vend të tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.