Konfindustria risjell shqetësimin e saj për mënyrën e vendimarrjeve të Bordit të Karburanteve, e cila sipas saj, “është qartësisht në kundërshtim me interesin publik me çmimet më të larta në Rajon dhe kahjet e dukshme rënëse të tregjeve botërore”. Konfindustria thekson se, çmimet e larta krahasimore dhe absolute të karburanteve janë me pasoja afatgjata shkatërrimtare për biznesin, qytetarët, ekonominë kombëtare si dhe nxisin kontrabandën masive, që mund të shkojë në mbi 300 milionë euro/vit.
Shembull i qartë për sa më sipër janë vendimarrjet e javës së parë të muajit dhjetor 2022. Duke vlerësuar krahësimisht çmimet e tregjeve botërore me periudhën e fillimvitit, sot produkti “naftë” duhet të ishte të paktën nën nivelin e 200 lekë/litër nga 209 lekë/litër të vendosur nga Bordi.
Bien në sy vendimarrjet e menjëhershme të Bordit në rast të rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet botërore dhe tejzgjatja në kohë në rastin e rënies. Gjithashtu, rritjet e çmimeve në vlerë absolute janë shumë më të forta, sesa uljet përkatëse. Konkretisht, në vendimarrjet e fundit brenda dy ditësh Bordi rrit fillimisht çmimin e “naftës” me 8 lekë/litër dhe e uli me 5 lekë/ litër me rritje përfundimtare me 3 lekë/litër. Ndërkohë, çmimet e tregjeve botërore dhe rajonale janë në ulje të qartë.
Konfindustria ka kërkuar themelimin e Entit Rregullator të Karburanteve në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe me përbërje të profesionistëve. Bordi i Karburanteve ka në përbërje antarë me konflikt të qartë interesi. Gjysma e antarëve vendimarrës janë pikërisht përfaqësues të subjekteve, që duhet të jenë objekt kontrolli.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto