Kompanitë më të mëdha të Europës Juglindore shënojnë rritje rekord në shitjet e vitit 2022 – renditja SEE TOP 100 - Business Magazine Albania

Kompanitë më të mëdha të Europës Juglindore shënojnë rritje rekord në shitjet e vitit 2022 – renditja SEE TOP 100

Kompanitë që operojnë në sektorët e naftës, gazit dhe të energjisë elektrike ngjiten në krye të listës, ndërsa tregu botëror energjetik vuan paqëndrueshmëri dhe rritje drastike të çmimesh.

Me gjithë turbulencat gjeopolitike, rritjen e inflacionit dhe rënien e kërkesës në treg, kompanitë më të mëdha të Europës Juglindore shënuan rritje dyshifrore në të ardhura dhe fitime gjatë vitit 2022, siç e tregon renditja SEE TOP 100 e publikuar sot nga media rajonale e biznesit SeeNews.

Top 100 kompanitë e Europës Juglindore e mbyllën vitin 2022 me të ardhura të kombinuara prej 223.9 miliardë eurosh (23.7 trilion lekë), një rritje rekord prej 46% krahasuar me të ardhurat e pjesëmarrësve në këtë renditje një vit më parë. Rritja në fitime ishte akoma më e mprehtë, me një ndryshim prej 61%, duke kapur shifrën e 10.3 miliardë eurove. Pragu i hyrjes në renditje gjithashtu u rrit ndjeshëm në vitin 2022, tashmë në 975.6 milionë euro nga 699 milionë euro një vit më parë, dhe më shumë se dyfishi i pragut të vitit 2012.

SEE TOP 100 është një renditje vjetore e kompanive më të mëdha në Europën Juglindore sipas të ardhurave totale për vitin fiskal, në këtë edicion deri më 31 dhjetor 2022. Ky publikim paraqet gjithashtu renditjen e bankave dhe kompanive të sigurimit më të mëdha në rajon.Shqipëria nuk përfaqësohet nga asnjë kompani në renditjen SEE TOP 100 por, ka tetë përfaqësues në renditjen e bankave më të mëdha dhe pesë në renditjen e kompanive më të mëdha të sigurimit. E renditura më lart nga bankat shqiptare është Banka Kombetare Tregtare (BKT), në vendin e 29-të mes bankave më të mëdha të rajonit. Kompania shqiptare e sigurimit me performancën më të mirë për vitin 2022 është Sigal UNIQA Group Austria, që renditet e 48-a ndër kompanitë më të mëdha të sigurimit.

Prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit në Rumani, OMV Petrom, në pronësi të grupit austriak OMV, arriti të ruajë kryesimin si kompania me të ardhurat më të larta në rajon për të dytin vit radhazi. Të ardhurat totale të OMV-së e tejkaluan dyfishin në krahasim me vitin paraprak, duke kapur shifrën e 13.4 miliardë eurove, ndërsa fitimi tejkaloi trefishin, duke kapur shifrën e 2.1 miliardë eurove.

Ndërsa pasiguritë në lidhje me qëndrueshmërinë energjetike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë ishin në krye të axhendës globale, kompanitë e naftës dhe gazit natyror përjetuan një vit jashtëzakonisht të mirë. Totali i shitjeve të kombinuara të kompanive të këtij sektori në renditje gati u dyfishua, në 87 miliardë euro, dy herë më shumë se të ardhurat totale të sektorit të dytë më të madh, ai i energjisë elektrike. Më shumë se një e katërta e kompanive në këtë klasifikim operojnë në sektorin e naftës dhe gazit, duke gjeneruar 39% të të ardhurave totale të të gjitha kompanive në SEE TOP 100. Fitimet gjithashtu u dyfishuan, duke arritur në 4.4 miliardë euro, pavarësisht vendimeve të disa qeverive për të vendosur tavan në çmimet e karburantit dhe për të taksuar fitimet e papritura.Sa u takon kompanive në sektorin e energjisë, ato shënuan një rritje prej 85% në të ardhura, duke i zënë tregtisë me shumicë dhe pakicë vendin si sektori i dytë më i madh në rajon.

Pavarësisht pengesave në furnizim, rritjeve të çmimeve të energjisë dhe ndërhyrjeve të qeverive në tregje, kompanitë në këta dy sektorë përfaqësojnë gati gjysmën e të gjitha kompanive në SEE TOP 100 dhe përbëjnë nëntë nga dhjetë më të mëdhatë.

Renditjen e plotë SEE TOP 100 mund ta shkarkoni tek top100.seenews.com.

Rreth metodologjisë së SEE TOP 10

SEE TOP 100 i rendit kompanitë më të mëdha në Evropën Juglindore sipas të ardhurave totale për vitin fiskal, në këtë edicion deri më 31 dhjetor 2022. Si shifrat e vitit 2022, ashtu edhe ato krahasuese të vitit 2021, u referohen raporteve vjetore të pakonsoliduara për vitin 2022. Renditja e SEE TOP 100 përfshin kompanitë jo-financiare të regjistruara në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Maqedoninë e Veriut, Moldavi, Mal të Zi, Rumani, Serbi dhe Slloveni. Bankat, ndërmjetësit e investimeve, kompanitë e sigurimit dhe trustet e investimeve në pasuri të paluajtshme janë të përjashtuara nga renditja pasi të ardhurat totale nuk konsiderohen një tregues i saktë i performancës së tyre. Ndërmarrjet holding, nga ana tjetër, përfaqësohen në këtë renditje nga filialet e tyre. Të gjitha të dhënat janë marrë nga regjistrat tregtarë kombëtarë, bursat, faqet e internetit të qeverisë dhe të korporatave, rregullatorët e industrisë, ofruesit lokalë të informacioneve mbi bizneset dhe vetë kompanitë.

Rreth SeeNews

SeeNews është kompania e pavarur më e rëndësishme në industrinë e shërbimeve të inteligjencës së biznesit në Evropën Juglindore, duke ofruar një perspektivë 360 gradë të rajonit për t’i ndihmuar bizneset të marrin vendime të informuara. Me mbi 15 vjet në treg, ajo është një one-stop-shop për të gjitha kërkesat për inteligjencë biznesi. Veprimtaria jonë përfshin 123 industri dhe sektorë, 11 vende dhe mbi 800,000 kompani, duke ofruar të reja, komente të hollësishme dhe hulumtime dhe analiza të thelluara të tregut nëpërmjet platformës sonë të integruar në internet, si edhe shërbime kërkimore sipas kërkesës.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0