Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur unanimisht të propozojë që universitet të zhvillojnë vetëm mësim online për të paktën një muaj, ndërsa po vlerësohet mbylljen e bareve dhe kafeneve në zonën e ish-bllokut pasi konsiderohen si vatër infeksioni.
Deklarata është bërë nga zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli. Hapja e universiteteve ishte parashikuar të bëhej duke nisur nga java e ardhshme.
Përveç mësimit online, Komiteti i Ekspertëve ka kërkuar që konviktet të qëndrojnë të mbyllura deri në një vendim të dytë.
“Nisur nga dinamika e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se është e nevojshme të keni masa shtesë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksioni”, tha znj. Rakacolli.
Ajo paralajmëroi se nëse nuk tregohet disiplinë do të ketë mbyllje të mëtejshme ndaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë maskë dhe të ruajnë distnacimin fizik.
“Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, deklaroi znj. Rakacolli.
Ajo tha se dy javë e fundit ka pasur një rritje të rasteve të infektimeve duke shtuar në 130 raste për 100 mijë banorë.
Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se, aktualisht në të gjithë vendin janë 500 vatra aktive të infeksionit, ku 35% prej tyre janë vetëm në Tiranë.
Kjo rritje tha zonja Rakacolli përkon me lehtësimin e masve shtrënguese duke veçuar hapjen e bareve dhe restoranteve apo edhe hapjen e shkollave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto