Koha e lirë, shenja e re e pasurisë! - Business Magazine Albania

Koha e lirë, shenja e re e pasurisë!

Koha e lirë, shenja e re e pasurisë!

Dikur, pasuria shfaqej pa komplekse dhe pa filtra: një çantë me logo të madhe në Instagram, një dorë me manikyr perfekt mbi timonin e një makine luksoze, ose foto ku markat flisnin më fort se vetë personi. Ishte një formë ekspozimi që shpesh shihej si mburrje e hapur dhe moralisht e dyshimtë. Shprehja “paratë flasin, pasuria pëshpërit” u konsumua aq shumë, sa u kthye në klishe. Sot, ajo mënyrë e të treguarit të statusit i përket qartë viteve 2000.

Në vitin 2026, luksi ka ndërruar gjuhë. Nuk matet më me çanta monogram apo makina sportive të modifikuara, por me aktivitete analoge si padel, qeramika apo pilates. Janë hobi që i ofrojnë njerëzve me të ardhura të larta diçka gjithnjë e më të rrallë: kohë, qetësi dhe shkëputje. Në një botë që lëviz pa ndalesë dhe jeton me sytë në ekran, aftësia për t’u ndalur është kthyer në privilegj.

Mjafton një vështrim i shpejtë në rrjetet sociale të Kendall Jenner për ta kuptuar këtë ndryshim. Ajo ndan shpesh momente nga biçikleta, noti, kalërimi apo ecjet në natyrë. Veshjet luksoze janë aty, por nuk janë më protagoniste. Mesazhi kryesor është jeta jashtë ekranit.

Sipas një studimi të publikuar nga Intuit, brezat millennials dhe Gen Z shpenzojnë më shumë për hobi krahasuar me gjeneratat e mëparshme, një prirje që është reflektuar edhe në analizat e Independent. Për këta të rinj, zhvillimi personal dhe shëndeti mendor kanë prioritet. Sigurisht, statusi social nuk zhduket: përmirësimi i vetes ka gjithmonë edhe një dimension publik.

Lexo edhe: British American Tobacco (BAT) është shpallur një nga punëdhënësit më të mirë në botë për të nëntin vit radhazi

Tradicionalisht, aktivitete si skijimi apo lundrimi kanë qenë të lidhura me klasën e lartë për shkak të kostove të larta. Sot, në një realitet inflacioni dhe trendesh të shpejta, edhe një kurs qeramike apo një studio pilates mund të kushtojë qindra euro në muaj. Megjithatë, më shumë se gjysma e të rinjve i shohin hobet jo si luks, por si nevojë, madje duke i vendosur përpara kursimeve apo ëndrrës për të blerë një shtëpi.

Bea, 27 vjeçe, thotë se të gjitha hobet e saj kanë një qëllim të përbashkët: ta largojnë nga telefoni dhe ta rikthejnë në realitet. Ajo ka paguar rreth 400 funta për një kurs 12-javor qeramike dhe u befasua kur pa se shumica e pjesëmarrësve ishin të rinj si ajo.

Edhe Amy nga Londra shpenzon rreth 130 funta në muaj për pilates përmes një aplikacioni me anëtarësim. Sipas saj, palestrat tradicionale nuk i përshtaten, sepse e shpërqendrojnë. Reformer pilates e detyron të qëndrojë e fokusuar dhe e pranishme në moment.

Fije lidhëse e të gjitha këtyre historive mbetet telefoni. Të rinjtë janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për varësinë që kanë krijuar dhe kërkojnë mënyra për t’u shkëputur. Edhe pse aktivitete më të lira si thurja, ngjyrosja apo lojërat klasike po rikthehen, për shumë njerëz nevojitet një angazhim fizik i fortë, duar të mbuluara me baltë apo trup i lidhur pas një makinerie stërvitjeje, për t’i rezistuar tundimit të rrjeteve sociale.

Postimi i këtyre momenteve online nuk shihet më si mburrje, por si një shpërblim i vogël digjital pas orësh të tëra larg ekranit, një miratim simbolik nga ndjekësit për kohën e kaluar jashtë botës virtuale.

Sipas rregullatorit britanik Ofcom, një i rritur në Mbretërinë e Bashkuar kontrollon telefonin mesatarisht çdo 12 minuta, ndërsa koha ditore para ekranit arrin rreth pesë orë. Në këtë kontekst, luks i vërtetë nuk është më ajo që shfaqet, por ajo që përjetohet larg ekranit.

 

theindependent

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0