Kodi i heshtjes: Punëtorët e aksidentuar në mëshirë të ‘bujarisë’ së punëdhënësve - Business Magazine Albania

Kodi i heshtjes: Punëtorët e aksidentuar në mëshirë të ‘bujarisë’ së punëdhënësve

E.Sh. mban mend se ditën kur i ndodhi aksidenti rreth tre vjet më parë, ishte lagështirë dhe më herët kishte rënë shi. Ai ishte duke montuar bashkë me punëtorë të tjerë një skelë në një pallat që po ndërtohej në qytetin e Shkodrës.

Punëtori i ndërtimit nuk e mban mend se si i rrëshqiti këmba dhe ra nga 10 metra lartësi. Ai thotë se humbi ndjenjat dhe shokët e dërguan në spital. Kur u përmend kishte tre fraktura dhe plagë në kokë e në trup.

“Për fat nuk rashë mbi betonierën që ishte në punë, se nuk do kisha shpëtuar,” thotë ai, ndërsa kujton se qëndroi i shtruar për tre javë në spital. I punësuar në të zezë dhe pa siguracione, E.SH ishte në dorë të ndërtuesit, ndërsa ky i fundit pagoi faturat e spitalit dhe ato të ilaçeve që i duheshin në shtëpi.

Ai kujton se pronarin e kompanisë së tij të ndërtimit e takoi për herë të parë kur ai i shkoi në shtëpi dhe i la një zarf me 50 mijë lekë si dhe i premtoi punë për të shoqen – e cila tani duhej të mbante mbi shpatulla familjen. Pronari i premtoi edhe ndonjë punë të lehtë për të, pasi të shërohej.

Ky takim i dha fund edhe çështjes penale për aksidentin e ndodhur në vitin 2018 në kantierin e ndërtimit në Shkodër, ku E.SH u aksidentua.

“Punëdhënësi u tregua bujar dhe i ndershëm,” tha ai.

Rasti i E.SH nuk është i vetëm. Të dhënat e siguruara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër tregojnë se dhjetëra çështje gjyqësore për aksidente në punë gjatë viteve të fundit janë mbyllur me ndërmjetësim mes punëdhënësit dhe punëmarrësit të aksidentuar.

Çështjet penale të regjistruara pushohen dhe viktimat e regjistruara si palë në to nuk rezultojnë të jenë ankimuar ndonjëherë për pushimin e tyre pa përgjegjës.

Ndër 19 çështje të regjistruara në Gjykatën e Shkodrës për “shkelje të rregullave të sigurisë në punë” në tre vitet e fundit, 12 çështje janë pushuar pa përgjegjës, 4 kanë shkuar për gjykim dhe dy i janë kthyer prokurorisë për rihetime. Nga këto, vetëm njëra prej dosjeve është ende në përpunim.

Nga dosjet e gjykuara, vetëm një person është dënuar në vitin 2019 për “shkelje të rregullave të sigurisë në punë” me 1 vit e 8 muaj heqje lirie.

Ndërkohë, pavarësisht shkeljeve të konstatuara nga Inspektorati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSH në kantiere dhe ndërmarrje të ndryshme, pjesa më e madhe e punëdhënësve penalizohen vetëm me masa të lehta administrative.

Kreu i Inspektoratit të Punës në Shkodër, Arber Leknikaj i tha BIRN se për 6 aksidentet e regjistruara gjatë vitit 2020 – 1 prej të cilëve me vdekje, vetëm në tre raste ishte vendosur masë administrative. Në dy raste gjoba ishte 50 mijë lekë dhe në një rast 820 mijë lekë.

Viktimat pranojnë fajin për të ruajtur punën

Fakti që viktimat e aksidenteve në punë janë në mëshirë të punëdhënësve është gati një sekret publik në Shqipëri.

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, BSPSH, dega Shkodër, Albert Tukaj tha për BIRN se të aksidentuarit nuk i fajësojnë administratorët që i kanë punësuar, pasi duan të punojnë sërish dhe çështjet mbyllen mes palëve.

“Ka patur raste të evidentuara nga ne, por kur kemi ndërhyrë, marrëdhëniet mes palëve kanë qenë të pranuara,” thotë Tukaj.

Ai tregon për rastin e një punëtori që kishte dëmtuar rëndë dorën në një gurore, ndërsa punonte në mullirin që shtyp gurë për t’i bërë pluhur. Tukaj kujton se aksidenti i kishte shkaktuar fraktura punëtorit, por ai e kishte marrë vetë përsipër përgjegjësinë për aksidentin.

“Punëtori ishte i pasiguruar, baba i tre fëmijëve dhe kishte problem të mos humbiste vendin e punës,” tregon Tukaj. Ai shton se punëdhënësi i kishte dhënë një punë më të lehtë si mirëmbajtës i oborrit të punishtes deri sa iu shërua dora dhe më pas iu rikthye punës.

Një situatë të ngjashme pranon edhe drejtuesi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Arben Leknikaj.

“Të dëmtuarit mbasi rehabilitohen kthehen përsëri në vendin e punës,” thotë Leknikaj për BIRN.

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, vetëm një fraksioni i procedimeve të regjistruara për nenin 289 të Kodit Penal, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, përfundojnë në Gjykata.

Nga 438 procedime penale të regjistruara për nenin 289 nga vitit 2015 deri në vitin 2019, vetëm 71 procedime penale ose 16% e totalit janë dërguar për gjykim. Si pjesë e këtyre procedimeve janë regjistruar 165 të pandehur, nga të cilët 90 janë dërguar për gjykim dhe 65 prej tyre janë dënuar nga gjykata.

Disa prej viktimave të aksidenteve në punë që biseduan me BIRN në kushtet e anonimatit u shfaqën të dorëzuar përballë kësaj situate.

Ata thanë se nevoja për punë i mbante të lidhur me punëdhënësit. Edhe të afërm të një personi që humbi jetën në një aksident në punë, pranuan se kishin marrë dëmshpërblimin nga punëdhënësi dhe çështja ishte mbyllur.

Për shkak të punës në të zezë dhe mungesës së siguracioneve, të aksidentuarit në punë mbeten pa kujdes shtesë shëndetësor, përtej asaj që mund të marrin nga punëdhënësit.

E.SH tregoi se ai vijonte të vuante nga pasojat e aksidentit të tre viteve më parë.

“Më ka lënë pasoja dhe kam dhimbje koke të shpeshta, por nuk përfitoj ndihmë se kam punuar gjithmonë në të zezë,” ankohet ai.

Aksidentet pa ndëshkim

Kreu i Inspektoratit të Punës në Shkodër, Arben Leknikaj thotë se aksidentet në punë janë identifikuar thuajse në të gjitha aktivitetet ekonomike që zhvillohen në Shkodër.

“Aksidentet më së shumti janë në fushën e prodhimit, ndërtimit dhe tregtisë,” thotë Leknikaj. Ai shpjegoi se inspektimet për masa sigurie dhe masa administrative nuk gjejnë kundërshtim të subjekteve.

“Nuk kemi patur kundërshtime nga ana e subjekteve ndaj të cilave janë marrë masa administrative dhe  detyrat e lëna janë zbatuar,” tha ai.

Të dhënat e ISHPSHSH-së tregojnë se në tre vitet e fundit vetëm në Shkodër ka patur 6 aksidente në punë me pasojë vdekjen. Këto çështje janë ndjekur më pas në gjykatë nga prokuroria, por që në shumicë janë pushuar pa përgjegjës.

“Në rastet e aksidenteve me pasoja të rënda janë organet përkatëse, policia dhe prokuroria që i trajton, ndërsa ne ushtrojmë kontrolle lidhur me zbatimin e rregullave të parashikuara me ligj lidhur me shëndetin dhe sigurinë në punë,” tha Leknikaj.

Të dhënat e ISHPSH të publikuara në raportet vjetore dhe të analizuara nga BIRN, tregojnë për një bilanc lufte gjatë 7 viteve të fundit. Vetëm në bashkinë e Shkodrës janë regjistruar 45 aksidente në punë, ku 15 punëtorë kanë humbur jetën dhe 55 të tjerë janë plagosur.

Kryeinspektori i tha BIRN se vetë ata si Inspektorat nuk dërgonin referime në polici apo prokurori për aksidentet.

“Nga ana jonë nuk referohet asnjë rast në organet përkatëse, aksidentet me vdekje hetohen nga policia dhe prokuroria,” theksoi ai.

Një studim i një ekipi kërkimor i mbështetur nga Fondacionit Shoqëria e Hapur në Shqipëri, OSFA, mbi çështjet e shëndetit dhe sigurisë në punë dhe aksidenteve apo dëmtimeve të punëmarrësve, zbuloi se pandëshkueshmëria ishte e lidhur me rastet në rritje.

Studimi gjeti se njësoj si në Shkodër, edhe në rang kombëtar, vetëm 50 për qind e subjekteve penalizoheshin për aksidentet në vendin e punës.

Sipas autores së studimit, Arbesa Kurti, punëmarrësit duke qenë se janë në kushtet ku puna që kanë është e vetmja zgjidhje ekonomike, mundohen të mbyllin gojën të paktën për aksidente që nuk janë të rënda.

B.Gj, një grua që përfundoi e helmuar së bashku me një grup tjetër punonjësesh në një fasoneri në Shkodër, thotë se nuk u interesua asnjëherë se si shkoi çështja e saj penale. Gruaja tregoi se pas helmimit vijoi punë në të njëjtën ndërmarrje, megjithë frikën se aksidenti mund të përsëritej. Pas disa kohësh pati shkurtime dhe tani nuk ka më një punë të përhershme.

“Kam mësuar se është pushuar çështja për dëmtimin tonë në punë se nuk janë gjetur prova,” tha ajo. “Nuk jam interesuar për këtë, sepse kam të tjera vështirësi jetese,” theksoi punëtorja, ndërsa shtoi “nuk fajësoj askënd”.

BIRN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0