Klodian Sulejmani, nga emigrimi në Itali te kthimi në Shqipëri me SMEG, Vanto dhe Febal Casa - Business Magazine Albania

Klodian Sulejmani, nga emigrimi në Itali te kthimi në Shqipëri me SMEG, Vanto dhe Febal Casa

Pas shumë vitesh në Itali, ku u formua profesionalisht dhe ndërtoi eksperiencë me disa nga markat më prestigjioze të elektroshtëpiakeve, Klodian Sulejmani vendosi të kthehej në Shqipëri për të investuar në tregun vendas. Me vizionin për të ofruar një përvojë ndryshe për konsumatorin shqiptar, ai solli marka premium si SMEG dhe Febal Casa dhe krijoi konceptin VANTO, duke i kthyer showroom-et e tij në destinacione ku teknologjia, dizajni dhe estetika bashkohen. Në këtë intervistë, Sulejmani rrëfen motivimin e kthimit, sfidat e tregut shqiptar dhe vizionin e tij për një konsumator gjithnjë e më kërkues që nuk bën kompromise mes çmimit dhe cilësisë.

Ju jeni një nga sipërmarrësit shqiptarë që pas viteve në emigrim vendosi të rikthehet për të investuar në vendin e lindjes. Çfarë ju shtyu drej këtij vendimi?

U largova nga Shqipëria në moshën 4-vjeçare, por vendi im kurrë nuk u largua nga unë. Edhe pse u rrita dhe u formova profesionalisht në Itali, Shqipëria ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e identitetit tim. Ndjenja se duhej të kthehesha, të kontribuoja dhe të bëhem pjesë aktive e zhvillimit të saj ishte gjithmonë aty, një zë i brendshëm që nuk heshti kurrë. Besova që Shqipëria do të rritej dhe do të hapte mundësi të mëdha për ata që kanë vizion dhe kurajë. Dhe unë doja të isha aty, të ndërtoja diçka që i jep vlerë jo vetëm tregut, por edhe mënyrës se si jetojmë dhe krijojmë kujtime në vendin tonë.

Si lindi ideja për të sjellë marka premium të elektroshtëpiakeve në tregun shqiptar? Cilat ishin hapat e parë dhe sfidat më të mëdha në këtë rrugëtim?

Gjatë viteve të mia në Itali, kam punuar për shumë brand-e të njohura të elektroshtëpiakeve, si premium ashtu edhe ekonomike. Kjo përvojë më ndihmoi të kuptoj thellë raportin real midis çmimit, cilësisë dhe përvojës që meriton klienti. Sa herë që vija në Tiranë, më trondiste boshllëku në treg, mungesa e transparencës dhe mungesa e respektit ndaj konsumatorit. Kështu lindi ideja për të krijuar diçka ndryshe. Për mua ishin tri pika kyçe:

•Të ofroja marka që kishin vërtet një raport të ndershëm çmim-cilësi.

•Të krijoja një përvojë blerjeje të denjë për klientin shqiptar, me konsulencë nga profesionistë të vërtetë.

•Të ndërtoja një marrëdhënie pas blerjes, me besim, shërbim dhe garanci.

Sfidat nuk mungojnë kur sjell risi, por vizioni ynë ështe më i fortë.

Lexo edhe: Megi Dhimitri: Company Retreats në Shqipëri po shndërrohen në një trend të domosdoshëm për bizneset!

Ju jeni gjithashtu edhe distributor i SMEG për Shqipërinë. Çfarë e bën të veçantë këtë markë për klientin shqiptar?

SMEG është më shumë sesa një markë, është një simbol i dizajnit italian, inovacionit dhe cilësisë së pakompromis. Nuk është rastësi që ndodhet në kuzhinat më të famshme të botës dhe në shumë filma ikonë. Klienti shqiptar e përqafoi menjëherë, sepse ishte gati për një përvojë ndryshe. Ishte gati për estetikë, për histori, për një produkt që jo vetëm funksionon shkëlqyeshëm, por që të frymëzon çdo ditë në shtëpi.

Si kanë ndryshuar preferencat e konsumatorëve shqiptarë në zgjedhjen e pajisjeve elektroshtëpiake? A ka rritje të kërkesës për cilësi dhe dizajn të sofistikuar?

Sot konsumatori shqiptar është jashtëzakonisht i informuar dhe kërkues. Nuk mjaftohet më me zgjidhje të përkohshme. Kërkon produkte të qëndrueshme, me dizajn të veçantë dhe që përshtaten me stilin e jetesës së tyre. Kjo na shtyu të krijonim konceptin VANTO – një destinacion ku klientët jo vetëm zgjedhin produkte, por përjetojnë një eksperiencë të plotë. Mund të prekin, të provojnë, të testojnë produktet para se të vendosin. Dhe kjo filozofi po gjen gjithnjë e më shumë rezonancë, sepse Shqipëria sot është në një periudhë të artë zhvillimi, ku arkitektura, dizajni dhe estetika janë në qendër të vëmendjes.

Në përvojën tuaj, sa të rëndësishëm janë arredimi dhe imazhi i shtëpisë? A ndikon kjo në vendimmarrjen e konsumatorit për blerje?

Shtëpia ka qenë gjithmonë një nga simbolet më të forta të krenarisë dhe identitetit në kulturën shqiptare. Sot, ajo nuk është vetëm një strehë, por edhe një hapësirë ku krijojmë kujtime, rritemi me fëmijët tanë dhe shfaqim personalitetin tonë. Arredimi është bërë një zgjatim i vetes, ashtu si mënyra si vishemi apo flasim. Klientët tanë duan më shumë sesa funksionalitet: duan estetikë, dizajn, personalitet. Kjo është arsyeja pse kemi sjellë edhe Febal Casa në Shqipëri – një showroom që e çon përvojën e arredimit në një tjetër nivel. Nga kuzhina tek dhoma e ndenjjes, nga projektimi deri te realizimi – një asistencë 360 gradë për ta bërë shtëpinë pasqyrë të ëndrrave të tyre.

Çfarë roli luan edukimi i konsumatorit në një treg që ende është në zhvillim dhe si e menaxhoni balancën mes çmimit dhe vlerës së produkteve premium?

Në një treg ku ofertat janë të shumta dhe shpesh konfuze, edukimi i konsumatorit është thelbësor. Vlerën nuk e përcakton vetëm çmimi; e përcakton cilësia, dizajni, jetëgjatësia, përvoja pas shitjes. Ne kemi zgjedhur të sjellim vetëm marka që kanë dëshmuar në tregjet më kërkuese të botës, marka që ofrojnë jo vetëm produkte, por një filozofi të të jetuarit. Çdo gjë që sjellim te VANTO, SMEG apo FEBAL CASA nuk është rastësore, është e zgjedhur me kujdes, për t’iu përgjigjur një klienti që nuk bën më kompromise. Dhe kjo është ajo që na dallon.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0