Kina pushton tregun shqiptar, importet u rritën me 21,8% në 7 muaj - Business Magazine Albania

Kina pushton tregun shqiptar, importet u rritën me 21,8% në 7 muaj

Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se në korrik 2025 Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të importeve nga Kina dhe Turqia, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me Italinë dhe Gjermaninë kanë pësuar rënie.

Eksportet e mallrave arritën në 35 miliardë lekë, duke u rritur me 5,7% krahasuar me korrikun e një viti më parë, por duke shënuar një rënie të lehtë prej 0,5% ndaj qershorit 2025. Ndërkohë, importet arritën në 83 miliardë lekë, një ulje prej 2,4% në krahasim me një vit më parë, por me një rritje mujore të fortë prej 9,1%. Deficiti tregtar i muajit korrik rezultoi 48 miliardë lekë, me ulje prej 7,5% kundrejt korrikut 2024, por me rritje prej 17,3% krahasuar me qershorin 2025.

Në shtatëmujorin e parë të vitit, eksportet kapën vlerën 239 miliardë lekë (+2,6%), ndërsa importet arritën në 515 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 2,1% në bazë vjetore. Në strukturën e eksporteve, rritjen e kanë udhëhequr grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” (+9,2 pp) dhe “Ushqime, pije, duhan” (+1,1 pp), ndërsa negativisht kanë ndikuar “Materiale ndërtimi dhe metale” (-6,3 %) dhe “Produkte kimike e plastike” (-0,7 %).

Lexo edhe: Kriza e intelektit? Numri i diplomave të doktoraturave ra me 73% me 2024

Partnerët tregtarë kanë pasur ecuri të ndryshme. Në korrik, eksportet u rritën më së shumti drejt Kosovës (+72,5%), Greqisë (+14,8%) dhe Gjermanisë (+0,6%), ndërsa ranë drejt Italisë (-6,4%), Maqedonisë së Veriut (-32,7%) dhe Turqisë (-3,2%). Në shtatëmujor, ulja më e madhe e eksporteve është regjistruar me Italinë (-10%) dhe Maqedoninë e Veriut (-30,1%).

Në frontin e importeve, korriku shënoi rënie nga Italia (-10,3%), Gjermania (-16,6%) dhe Kosova (-21,5%), ndërsa u regjistruan rritje të forta nga Kina (+7,6%), Turqia (+12,0%) dhe Greqia (+5,0%). Në shtatë muaj, importet nga Kina janë rritur me 21,8%, duke e kthyer këtë vend në një nga furnitorët më të rëndësishëm të tregut shqiptar, përkrah Greqisë (+2,8%) dhe Spanjës (+14,9%).

Të dhënat tregojnë qartë një zhvendosje të bilancit tregtar: ndërsa partnerët tradicionalë europianë po shënojnë ulje në shkëmbime, Kina po fiton terren të ndjeshëm në tregun shqiptar.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0