Kina po modifikon kushtet e motit, a duhet të shqetësohemi? - Business Magazine Albania

Kina po modifikon kushtet e motit, a duhet të shqetësohemi?

Muajin e kaluar, 16 “raketa artificiale për përmirësimin e shiut” u lëshuan nga pjesa e pasme e një kamionçine, 480 km në jug të Pekinit. Operacioni, u urdhëruar nga Byroja Meteorologjike Juye në përgjigje të një thatësire lokale, thuhet se ishte i suksesshëm. Gjatë 24 orëve të ardhshme, zona pati më shumë se 50 mm reshje, gjë që sipas zyrtarëve lokalë e zbuti disi thatësirën, uli rrezikun e zjarreve në pyje dhe përmirësoi cilësinë e ajrit.

Në pamje të parë duket si një fantazi. Por për dekada, Kina ka qenë vendi i një prej programeve më të përparuara të modifikimit të motit në botë. Në përgjithësi, qëllimet kanë qenë modeste: më shumë reshje shiu në vendet që vuajnë nga thatësira, më pak breshër shkatërrues në tokat bujqësore, dhe më shumë dritë në qiell gjatë aktiviteteve të mëdha kombëtare.

Por ajo modesti ka filluar të venitet. Në fillim të këtij muaji, Kina shpalli planet për të zgjeruar aftësitë e saj të prodhimit artificial të shiut, për të mbuluar gati 60 për qind të vendit deri në vitin 2025.

Detajet janë ende të panjohura, por ka një frikë në rritje ne lidhje me përdorimet e mundshme ushtarake të këtyre aftësive dhe efektet e tyre mbi ndryshimet klimatike. Për Kinën dhe botën, këto shqetësime duhet që të adresohen sa më parë.

Njerëzit kanë ëndërruar për mijëvjeçarë kontrollin e motit. Por vetëm në vitin 1946 shkencëtarët në kompaninë amerikane “General Electric Co”, zbuluan se akulli i thatë mund të krijojë reshje kur ndërvepron me retë në kushte të caktuara. Nga viti 1953, gati 10 për qind e territorit tokësor të SHBA-së ishte pjesë e programin për “mbjelljen” e reve. Dymbëdhjetë vjet më vonë, qeveria nisi të shpenzonte çdo vit miliona dollarë për kërkimet mbi modifikimin e motit, dhe 15 kompani të tjera kishin nisur operacionet e mbjelljes së reve në 23 shtete të SHBA-së.

Megjithatë, nuk kishte të bënte vetëm me reshjet e shiut. Gjatë Luftës së Vietnamit, ushtria amerikane e përdori këtë teknologji për të frenuar lëvizjet e trupave armike, dhe për të zvogëluar efektivitetin e sulmeve anti-ajrore. Këto përdorime i alarmuan aq shumë politikë-bërësit, saqë ata ushtruan presion për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtare për t’i dhënë fund “luftës mjedisore”. Në vitin 1978, hyri në fuqi Konventa për Ndalimin e Përdorimit Armiqësor të Modifikimit të Motit.

Edhe pse Kina e ratifikoi atë në vitin 2005, interesi i saj për të kontrolluar motin dhe mjedisin nuk u dobësua. Fatkeqësitë natyrore si breshëri dhe përmbytjet, përbëjnë më shumë se 70 për qind të dëmit vjetor të këtij vendi nga katastrofat. Në dekadat e fundit, ndërsa vendi është bërë më i pasur, projektet me ndikim global siç është Diga e Tre Grykave, janë bërë një zgjidhje e preferuar.

Për krahasim, modifikimi i motit është relativisht më pak i kushtueshëm. Në vitet 1980, qeveria kineze filloi të bënte investime thelbësore mbi retë dhe fusha të ngjashme. Përparimet në gjithçka, nga satelitët tek raketat, i nxitën më tej përpjekjet në këtë fushë, edhe pse prova përfundimtare shkencore mbi efektivitetin e “mbjelljes” së reve u shfaq vetëm në 2018 në Idaho të SHBA-së, dhe jo në Kinë.

Gjithsesi qeveria komuniste pretendoi arritjen e një suksesi të madh në vitin 2008, kur Pekini lëshoi 1.110 raketa që largonin shiun, për të siguruar që ceremonia e hapjes Lojërave Olimpike të ishte me mot të mirë. Deri në vitin 2015, Kina kishte programe për krijimin artificial të reshjeve shiut dhe shmangien e breshrit në 30 provinca të vendit, duke punësuar në to rreth 35.000 njerëz.

Suksesi i ka shtuar shumë ambiciet në këtë fushë. Në vitin 2017, Kina prezantoi një sistem të modifikimit të motit që kushton mbi 175 milionë dollarë, dhe që është i projektuar të garantojë më shumë reshje shiu në një rajon që përbën rreth 10 për qind të territorit të vendit.

Lexo: Kina shënon sukses të madh në gjithësi

Edhe pse shkenca që qëndron prapa programeve të tilla është ende e diskutueshme, ky nuk është një shqetësim i pajustifikuar. Në një rajon ku po rriten tashmë tensionet për qasjen tek uji, modifikimi i motit në rastin më të mirë do të duket si presion diplomatik; dhe në rastin më të keq si një armë. Tani për tani, e vetmja marrëveshje ndërkombëtare që është afër adresimit të shqetësimeve të tilla është konventa për modifikimin e mjedisit. Por ai traktat vlen vetëm për modifikimet “armiqësore”, jo ato “paqësore”, që Kina dhe vendet e tjera do të pretendojnë se janë pikërisht për veten e tyre.

Një nga mënyrat për ta adresuar këtë problem, është që modifikimi i motit të bëhet pjesë e diskutimit mbi ndryshimin e klimës. Madje për sa kohë që teknologjia po përdoret për të balancuar efektet negative të ngrohjes globale, ajo është tashmë pjesë e debatit. Por bisedimet e ardhshme për këtë çështje duhet të dekurajojnë qasjet e njëanshme. Në vend të kësaj, duhet t’i japin përparësi përdorimeve të përbashkëta të programeve të tilla, përfshirë ndarjen e të dhënave, midis të gjitha vendeve.

Të bindësh Kinën dhe të tjerët, që të ndajnë teknologjinë dhe qëllimet e tyre, nuk do të jetë e lehtë. Por nëse bota nuk e trajton këtë problem të pritshëm, ajo mund të përballet me disa re të zymta në të ardhmen.

BLOOMBERG

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0