Kërcënimi i AI ndaj cilësisë së medias - Business Magazine Albania

Kërcënimi i AI ndaj cilësisë së medias

Inteligjenca Artificiale, mashtrimet në reklamat online dhe mënyra se si planifikohen e blihen mediat digjitale po shndërrohen në disa nga sfidat më të mëdha për markat dhe agjencitë në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe pse videoja digjitale dhe rrjetet sociale mbeten në qendër të strategjive të marketingut për vitin në vijim, shqetësimi kryesor lidhet me rrezikun që reklamat të shfaqen pranë përmbajtjeve të dyshimta, influencerëve pa standarde editoriale ose përmbajtjeve masive të prodhuara nga inteligjenca artificiale me cilësi të ulët.

Sipas raportit IAS UK Industry Pulse Report 2026, afërsia e reklamave me përmbajtje problematike po kthehet në sfidën kryesore të medias digjitale. Plot 78% e ekspertëve të mediave digjitale nga marka dhe agjenci e konsiderojnë këtë një problem serioz, duke theksuar veçanërisht rritjen e përmbajtjeve të gjeneruara nga AI, fenomenin e deepfake-ve dhe përhapjen e përmbajtjeve nga influencerë apo krijues që nuk i nënshtrohen një procesi verifikimi apo kontrolli cilësie.

Një shqetësim edhe më i thellë lidhet me rrezikun e shfaqjes së reklamave pranë përmbajtjeve që përmbajnë informacion të pasaktë, keqinformim ose dezinformim, si dhe të ashtuquajturat “hallucinations” të AI, përmbajtje që duket e besueshme, por që në thelb është e sajuar. Dy të tretat e profesionistëve të përfshirë në studim theksojnë se shmangia e këtyre mjediseve është jetike për ruajtjen e besimit të publikut dhe reputacionit të markës.

Lexo edhe: Epoka e re e blerjeve me AI: Si përzgjidhen markat nga algoritmet

Paralelisht me këto rreziqe, mashtrimet në reklamat online dhe faqet e krijuara vetëm për qëllime reklamimi vazhdojnë të jenë një kërcënim i rëndësishëm, ndërsa aftësitë për të matur realisht performancën e fushatave mbeten të kufizuara. Në kontrast, botuesit dhe platformat digjitale kanë shqetësime të tjera, duke përfshirë ndikimin mjedisor të reklamimit programatik dhe nivelet e ulëta të shikueshmërisë së reklamave, çështje që po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje në debatin mbi cilësinë e medias. Megjithatë, marketerët nuk e shohin inteligjencën artificiale vetëm si kërcënim. Shumë prej tyre mbeten optimistë për mundësitë që ofron reklama pranë përmbajtjeve të krijuara nga AI, për aq kohë sa menaxhohen me kujdes rreziqet që lidhen me sigurinë e brand-it. Raporti nënvizon se vendosja e një kornize të qartë për përshtatshmërinë e përmbajtjes dhe rritja e transparencës në zinxhirin mediatik janë thelbësore për të shfrytëzuar me besim potencialin e AI.

Në një realitet ku prodhimi i përmbajtjes po rritet me ritme të shpejta falë automatizimit, sfida kryesore për markat do të jetë dallimi mes mjediseve me cilësi të lartë dhe atyre me cilësi të ulët. Shmangia e faqeve të krijuara vetëm për reklamim dhe përdorimi i mjeteve të avancuara të klasifikimit të përmbajtjes po kthehen në elementë kyç të strategjive të mediave digjitale.

Në fund, cilësia e medias nuk është më thjesht një çështje performance apo efikasiteti reklamash.  Ajo po shndërrohet në një faktor vendimtar për besimin, reputacionin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të markave në një epokë ku inteligjenca artificiale po riformëson mënyrën se si krijohet dhe konsumohet përmbajtja.

warc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0