Kenia i thotë "PO" Kosovës, njohja që hap horizonte të reja ............. - Business Magazine Albania

Kenia i thotë “PO” Kosovës, njohja që hap horizonte të reja për shtetin më të ri në Evropë

Kosova ka shënuar një hap të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, me njohjen e pavarësisë së saj nga Kenia, një shtet i rëndësishëm i kontinentit afrikan.

Zhvillimi është konfirmuar nga Behgjet Pacolli, ish-president dhe aktualisht kreu i Aleancës Kosova e Re, i cili ka njoftuar se kjo njohje vjen pas një pune të gjatë lobuese që ai ka udhëhequr që nga viti 2009. Përmes një postimi publik, ai ka përshkruar rrugëtimin shumëvjeçar të përpjekjeve diplomatike, ku theksoi angazhimin e tij të pandërprerë për të ndërtuar ura miqësie dhe bashkëpunimi me autoritetet keniane.

“Kam trokitur derë më derë, zyrë më zyrë, me një qëllim të vetëm, ta bëj të dëgjohet zëri dhe e drejta e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, shkruan Pacolli, duke përmendur edhe një takim me Presidentin kenian William Ruto, të cilin e vlerëson si një aleat të qëndrueshëm në këtë proces.

Lexo gjithashtu:  “Pronar.al” – Startup-i shqiptar që po sfidon mënyrën tradicionale të shitjes së pronave

Presidenti Ruto, sipas tij, kishte premtuar mbështetje për Kosovën që në vitin 2016 dhe e kishte vizituar Prishtinën në vitin 2019. Ndër hapat e parë drejt njohjes ishte vendimi i vitit 2023 për njohjen e pasaportave të Kosovës nga ana e Kenias, një zhvillim që u cilësua në atë kohë si “moment historik”.

Sipas Pacollit, njohja formale e shtetit të Kosovës nga Kenia është shpallur në një ceremoni zyrtare, ku Presidenti Ruto ka deklaruar publikisht njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ky zhvillim pritet të japë shtysë të re në përpjekjet ndërkombëtare të Kosovës për njohje të reja dhe për forcimin e pozitës së saj në skenën globale.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0