Nëse shikon atë që është publikuar nga dosja Epstein, miliona faqe dokumente, fotografi dhe mesazhe që ndoshta asnjëherë nuk do të shohin dritën e botimit, kupton një realitet të frikshëm: sa më lart të ngjitet dikush në hierarkinë e pushtetit dhe kapitalit, aq më i degraduar bëhet si njeri. Paraja dhe pushteti pa kufij nuk janë thjesht mjete; ato mund të shndërrohen në instrumente të degradimit të qenies njerëzore, duke zhveshur individin nga morali dhe ndjeshmëria.
Përtej skandaleve, krimeve dhe perversiteteve që kanë tronditur opinionin publik, dosja Epstein shpalos një realitet më të gjerë: elitës ekonomike botërore nuk i mjafton vetëm paratë. Ajo është e uritur për pushtet dhe mbrojtje të pandalshme nga sistemi, duke e bërë moralin opsional dhe ndershmërinë ”luks”. Mitet që kemi ruajtur (ne si shqiptarë) se “i huaji” është më i mirë, se pushtetarët e pasur janë shembuj suksesi dhe civilizimi, shpërbëhen. ”I huaji” apo i pasuri është thjesht një njeri që gabon dhe ka mëkatet e veta, nuk është ideal. Edhe ai ka errësirat e veta, por më shumë pushtet për ti fshehur ato.
Si shqiptarë dhe si pjesë e Ballkanit, ne shpesh ndjejmë kompleks inferioriteti, duke krahasuar shoqërinë tonë me “standarde të huaja” që duken të paarritshme. Por dosja Epstein na kujton se degradimi nuk ka kombësi. Ai është një fenomen global, një simptomë e një sistemi ku kapitali dhe pushteti tejkalojnë çdo normë morale. Në vend që të shohim të huajt si modele të pakrahasueshme, duhet të njohim vlerat dhe normat tona bazë, ato që ende na mbajnë të lidhur me njerëzimin.
Realitete të tilla na tregojnë se bota që kemi në memorien tonë kolektive kurrë nuk ka qenë aq e pastër sa e kemi idealizuar. Ajo ka qenë një mit i mirëpaketuar, i mbajtur në këmbë nga paratë, pushteti dhe hipokrizia. Liderët globalë, të djeshëm dhe të sotëm, shpesh janë tregues të dështimit të epokës sonë, të degradimit të vlerave dhe humbjes së moralit.
Çfarë është morali në një botë ku kapitali duket se sundon mbi çdo tjetër vlerë? Dosja Epstein, me rrjetin e saj të fuqishëm të kontakteve dhe ndikimit, hedh një dritë të ashpër mbi marrëdhëniet mes pushtetit ekonomik dhe etikës. Historia e tij nuk është vetëm një histori kriminale, por një reflektim i thellë mbi mënyrën se si elitat ekonomike ndërtojnë dhe ruajnë fuqinë, shpesh duke shkelur kufijtë moralë që komuniteti global i pret prej tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.