Kantina Alimani u ndërtua në vitin 2016 nga dy djemtë e familjes, Rezart dhe Erjon me mbështetjen e vazhdueshme të babait Ramazan. Me siguri i keni parë verërat e tyre në tavolinat e restoranteve, por se keni ditur që është pikërisht kantina Alimani që i prodhon. Për të na treguar më shumë rreth kësaj sipërmarrje të re në tregun shqiptar, vendosëm të intervistonim Denisa Alimani, vajzën e familjes, e cila gjithashtu punon me shumë përkushtim.
BM: Si nisi Kantina Alimani dhe sa kohë ka që është në treg si biznes?
Im atë ka emigruar në Itali në vitin 2000 duke u punësuar kështu në një kantinë vere shumë prestigjoze në Romë “Poggio le Volpi”. Që prej ditës së tij të parë në Itali dhe deri më sot, pra për 18 vite ka punuar në industrinë e prodhimit të verës. Disa vite më vonë, në vitin 2006 iu bashkua edhe vëllai im Rezarti, i cili për më shumë se 12 vite ka kryer procese pune nga më të ndryshmet në atë kantinë.
Bashkarisht vendosëm që këto 30 vite eksperiencë t’i përkthejmë në një produkt shqiptar. Kështu që, në vitin 2016 filluam aktivitetin në Tiranë duke dalë në treg me 2 etiketat e para Merlot dhe Chardonnay, dy varietete të rritura në Shqipëri e të njohura dhe të përhapura në të gjithë botën. Pas një viti në treg, seti i produkteve tona u kompletua me varietete autoktone shqiptare Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi.
BM: Si e keni organizuar punën mes jush, pasi mesa kuptoj është një biznes familjar? Sa punonjës ka kantina Alimani?
Puna në kantinën tonë deri më tani kryhet nga pjestarët e familjes. Ndihmë nga jashtë familjes marrim vetëm në sezonin e vjeljes së rrushit. Im atë kujdeset dhe monitoron cilësinë e vreshtave. Rezarti, vëllai i madh, kujdeset për të gjitha proceset e prodhimit të verës. Vëllai tjetër, Erjoni, merret me shitjet e ndërsa unë kujdesem që të jemi sa me pranë klientëve nëpërmjet platformave online. Ime më përveçse kujdeset për mirëmbajtjen e ambjentit të brendshëm të kantinës, është gjithashtu burimi i energjisë për të gjithë ne.
BM: Çfare produktesh tregtoni? Funksiononi vetëm për tregun shqiptar apo atë ndërkombëtar?
Produktet që kantina Alimani ka në treg janë: Merlot, Merlot Rezervë, Chardonnay, Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi.
Në këto 2 vite kemi qenë prezent vetëm në tregun shqiptar. Po punojmë që së shpejti produktet tona të mund të blihen edhe jashtë Shqipërisë, pasi ka patur mjaft interes për verërat tona jashtë trojeve shqiptare.
BM: A keni marrë mbështetje nga ndonjë projekt apo institucion publik gjatë kësaj kohe?
Ndërtimi i Kantinës Alimani është totalisht vetëfinancim nga kursimet e familjarëve prej punës së tyre 30 vjeçare në Romë. Shpresojmë shumë që në të ardhmen të rritet vëmendja e institucioneve ndaj bizneseve të vogla familjare për të përmirësuar në këtë mënyrë gjendjen aktuale në këtë sektor.
BM: Çfarë e diferencon Kantinën Alimani nga konkurrentët e saj?
Kantina Alimani është një emër vërtet shumë i ri në treg. Por 30 vite eksperiencë mbi supe na ndihmojnë për të qenë mjaft konkurrues në treg. Një avantazh domethënës është bashkëpunimi i vazhdueshëm me kantinën Poggio Le Volpi në Romë. Përveç konsulencës gjatë proceseve të prodhimit, monitorimi i vazhdueshëm i cilësisë së produkteve sigurohet me anë të analizave periodike, çdo dy muaj, pranë laboratorit të kësaj kantine.
Përveç të tjerash, unifikimi i energjisë së tre të rinjve na avantazhon për të siguruar cilësinë dhe qëndrueshmërinë në treg. Serioziteti dhe korrektësia janë fokusi jonë për t’i ofruar klientit më të mirën e një produkti shqiptar.
BM: Cilat janë problemet kryesore me të cilat haset biznesi juaj?
Problemet kryesore me të cilat haset biznesi jonë nuk janë shumë të ndryshme nga ato që ka e gjithë industria e prodhimit të verës në Shqipëri, ndër më kryesoret do veçoja paragjykimin që ka tregu për verën shqiptare, mungesa e përkrahjes së prodhimit vendas nga institucionet shtetërore duke i dhënë kështu një avantazh verës së importuar.
BM: Çfarë planesh keni në vazhdimësi? Cilat janë objektivat që i keni vendosur vetes?
E ardhmja që na pret është mjaft sfiduese. Ne kemi një mision, që të orientojmë verëdashësit drejt produktit shqiptar. Këtë gjë synojmë ta realizojmë nëpërmjet përmirësimit të mëtejshëm të imazhit të prodhimit vendas, cilësisë, rritjes së kapacitetit prodhues dhe zgjerimit të tregut vendas dhe të huaj.
BM: Faleminderti Denisa për intervistën! Ju urojmë shumë suksese!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.