Albania Gastronomy Academy vjen me një risi në treg. Ajo ofron tashmë kurse të plota për kuzhinierë në një formë krejt të re, online. Si nisi ky rrugëtim, si organizohet aktiviteti dhe kujt i shërben, na tregon drejtuesja e AGA, Linda Dervishaj, në intervistën e saj.
Kurset e gatimit online janë një risi në tregun tonë. Si erdhi ky vendim?
Ky vendim në fakt ka kohë që “pleqërohet” mes anëtarëve të grupit tonë të punës dhe ne kemi bërë hapin e parë me këtë risi, duke ofruar kurset e Sigurisë Ushqimore online, prej më shumë se një viti.
Patjetër formimi profesional, për më tepër në kuzhinë, virtualisht është një koncept i ri, që në fakt e quajmë “Blended Learning”, për shkak të kombinimit të disa orëve në kuzhina profesionale, mundësuar nga AGA, jo vetëm në Tiranë por dhe në rrethe.
Kjo platformë e ardhur për herë të parë në këtë fushë, ka kosto të larta, që Akademia AGA nuk do të mund ta kishte realizuar pa mbështetjen e partnerëve të RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), të cilët duke pasur të njëjtin vizion me ne për të aftësuar të rinjtë, sipas nevojave që ka tregu i punës, na mbeshtetën duke bashkëfinancuar disa prej kostove të kësaj iniciative inovatore në treg.
Sigurisht pas përgatitjes së një strukture që kjo platformë duhet të kishte, materialit didaktik, krijimin e mënyrës së performancës së kursantit dhe vlerësimit, e tillë që të mund të ofrohej si kurs i mirëfilltë, por me kosto shumë më të ulta, ishim gati të hidhnim këtë hap.
Pandemia realisht “ndihmoi” këtë inisiativë, pasi nevoja drejtoi edhe vetë kërkuesin e shërbimit drejt përdorimit të “online-it”, madje u kuptuan qartë edhe të mirat e këtij shërbimi.
Tashmë kudo në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, çdokush mund të formohet profesionalisht si kuzhinier nga qytetet/shtetet ku jetojnë, duke u regjistruar në portal që ndodhet në www.aga.edu.al
Apo akoma më mirë, restorantet/hotelet që janë në industrinë e HORECA dhe dëshirojnë të rrisin kapacitetet e stafeve të veta, për një cilësi dhe siguri më të lartë të shërbimit që ofrojnë si operatorë ushqimorë, mund të kontaktojnë menjëherë me Akademinë AGA dhe të mundësojnë zhvillimin e stafit pa patur nevojë të largohen nga postet e punës.
Cilat janë sfidat e kalimit të këtij lloj kursi praktik e me nevojë për shumë përbërës nga offline në online?
Sa i takon Shqipërisë, sfida e vetme që shoh është “perceptimi” dhe “dëshira” që një kërkues i këtij shërbimi ka. Ky lloj formimi garanton punësim. Për më tepër, me daljen nga pandemia, turizmi ka nevojë për individë të kualifikuar.
Ne si AGA kemi marrë përsipër të zhvendosemi në çdo qytet, si pjesë e praktikave të skeduluara të këtyre kursantëve, duke përdorur “kuzhinën tonë të lëvizshme” për t’u ofruar mundësi kursantëve të mos largohen shumë dhe gjatë nga vendet e tyre.
Kjo do të ishte dhe një mundësi e mirë, për të gjithë prodhuesit ushqimorë, të bashkohen në këtë tour veror, ku do të flitet vetëm për produktet ushqimore, përdorimin, trajtimin dhe ruajtjen e tyre.
Përtej kufijve tanë, sfida mbetet të mbyllim marrëveshje me institucione të tjera të ngjashme nëpër botë, për t’u dhënë akses mbi praktikat e skeduluara shqiptarëve që jetojnë jashtë. Në të kundërt, orët e detyruara për praktikë, mund t’i bëjnë gjithnjë në Shqipëri në ambientet e Akademisë AGA, që janë shumë komode dhe të bukura.
Cila modele keni ndjekur? Cilat vende e zhvillojnë këtë më shumë?
Formimi Profesional Online tashmë është kudo në Europë, Amerikë… mund të them kudo. Në dijenin time nuk ka institucione të formimeve në vendet e tjera që të mos kenë opsionin e mësimit virtual. Tashmë e ka dhe Shqipëria një të vërtetë, jo thjeshtë chat me shkollën apo profesorët e lëndës, por një strukturë të mirëmenduar.
Kuzhina jonë bazohet në kuzhinë mesdhetare, por sigurisht ofrojmë edhe kurse me kuzhina të veçanta, sipas preferencave të grupeve.
A mendoni se kursantëve do t’u mungojë të qënurit së bashku në një kuzhine?
Patjetër! Mendoj që kontakti fizik është i domosdoshëm pasi të mundëson bashkëveprim, esenciale për strukturat e kuzhinës dhe operatorët ushqimorë. Kjo është dhe arsyeja pse ne i kemi të dosmosdoshme praktikat e skeduluara që të mund të lehtësojmë kostot dhe mundësitë e çdo individi, por dhe t’i vendosim ata në struktura pune, për të kuptuar mënyrën e bashkëveprimit, tolerancën etj.
Në fakt, kështu fillon edhe mësimi ynë, “Të kuptojmë të punuarit në kuzhinë dhe grupet e punës”.
A ka ndikuar ky format në uljen e kostove të trajnimit?
Patjetër që ky format do të këtë kosto shumë herë më të lira dhe menaxhim shumë herë më fleksibël të orareve të studimit.
Kursantët e rretheve nuk do të duhen të vijnë në Tiranë, ku kostoja e banimit, ushqimit, udhëtimeve nuk është e lirë, por dhe vetë kursi kushton 40% më pak.
Nëse keni nisur me promovimin e kurseve, cili është reagimi i kursantëve? Janë ata të gatshëm ta përqafojnë këtë formë?
Kjo është një pyetje që unë i jam drejtuar vetes gjithashtu. Kjo sepse studentët tanë (pra, ata që kemi aktualisht) preferojnë mësimin fizik. Kursantët e tjerë dhe që ne presim ta përqafojnë këtë nismë, janë ata të rinj që nuk mund të përballojnë kosto të larta për formimin e duhur profesional apo që nuk kanë mundësi të udhëtojnë apo akomodohen në qytete (kryesisht Tiranë) që ofrojnë kurse të tilla profesionale.
Ata kanë nevojë për një shtysë, e cila duhet të vijë nga tregu. Ndaj gjej rastin t’u bëj thirrje bizneseve që shërbejnë si operatorë ushqimorë të mbështesin stafet e tyre, t’i drejtojnë drejt zhvillimit profesional, të lejojnë punësimin dhe praktikat mësimore duke ofruar kështu cilësi dhe siguri ushqimore për të gjithë klientët e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.