Jensen Huang është bashkëthemelues dhe CEO i Nvidia, kompania që ka udhëhequr revolucionin e inteligjencës artificiale (AI) dhe është bërë ndër më të vlefshmet në botë nën drejtimin e tij. Gjatë një vizite në Pekin, Huang u pyet nga një gazetar: “Po të ishe një 22-vjeçar që sapo është diplomuar sot në vitin 2025, por me të njëjtën ambicie si më parë, në cilën fushë do të përqendroheshe?”
Ai u përgjigj: “Jenseni i ri, 20-vjeçar, që sapo është diplomuar, me shumë gjasë do të kishte zgjedhur më tepër shkencat fizike sesa shkencat e softuerit,” duke shtuar se ai vetë ishte diplomuar nga kolegji dy vite më herët, në moshën 20-vjeçare. Shkencat fizike, në dallim nga ato të jetës, janë një degë e gjerë që fokusohet në studimin e sistemeve jo të gjalla, përfshirë fizikën, kiminë, astronominë dhe shkencat e tokës.
Huang ka përfunduar studimet në inxhinieri elektrike në Oregon State University në vitin 1984, ndërsa diplomën master në të njëjtën fushë e ka marrë nga Stanford University në vitin 1992. Rreth një vit më pas, në prill të vitit 1993, ai bashkëthemeloi kompaninë Nvidia me inxhinierët Chris Malachowsky dhe Curtis Priem, gjatë një dreke në një restorant Denny’s në San Jose, Kaliforni. Nën drejtimin e Huang si CEO, kompania është shndërruar në një nga më të fuqishmet në botë. Nvidia u bë gjithashtu kompania e parë në botë që arriti një kapitalizim tregu prej 4 trilionë dollarësh javën e kaluar. Edhe pse Huang nuk e sqaroi qartë arsyen pse sot do të zgjidhte shkencat fizike, ai është shprehur më parë shumë entuziast për atë që e quan “IA Fizike”, ose siç e përshkruan ai, “faza e radhës”.
LEXO EDHE:Founder Mindset/ Bujar vs. Edlira: Dy mënyra për t’u përballur me të njëjtën sfidë
Gjatë 15 viteve të fundit, sipas tij, bota ka kaluar disa faza të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Në muajin prill, në një forum në Uashington D.C., ai shpjegoi këtë evolucion: “AI moderne hyri në vëmendjen globale rreth 12 deri në 14 vite më parë, kur u prezantua AlexNet dhe u arrit një përparim i madh në vizionin kompjuterik,” tha ai. AlexNet ishte një model kompjuterik i paraqitur në një garë në vitin 2012, i cili tregoi se makineritë mund të njohin imazhe duke përdorur të mësuarin e thellë, një zhvillim që ndihmoi në nisjen e bumit modern të AI-së. Kjo fazë e parë njihet si “AI e perceptimit”, shpjegoi Huang. Më pas erdhi vala e dytë, e quajtur “AI gjenerative”, “ku modeli i AI-së ka mësuar jo vetëm të kuptojë informacionin, por edhe ta përkthejë atë” në gjuhë të ndryshme, imazhe, kode e të tjera. “Jemi tani në epokën që quhet ‘AI e arsyetimit’, ku kemi AI që mund të kuptojë, të gjenerojë, të zgjidhë probleme dhe të njohë kushte që nuk janë parë më parë,” tha ai. Sot, inteligjenca artificiale është në gjendje të përdorë arsyetimin për të zgjidhur probleme. “AI e arsyetimit na lejon të krijojmë një formë robotësh dixhitalë. I quajmë agjentë të AI,” shtoi Huang. Këta agjentë të AI janë, në thelb, “punëtorë dixhitalë” të aftë për të arsyetuar. Aktualisht, këta agjentë janë në fokusin kryesor të shumë kompanive të teknologjisë.
Duke parë nga e ardhmja, faza tjetër quhet “AI fizike”. “Vala e ardhshme kërkon që ne të kuptojmë gjëra si ligjet e fizikës, friksioni, inercia, shkaku dhe pasoja,” tha Huang në Uashington, në muajin prill. Ai shtoi se aftësi të tilla si arsyetimi fizik, për shembull koncepti i qëndrueshmërisë së objekteve edhe kur nuk shihen, do të jenë themelore në këtë fazë të ardhshme të inteligjencës artificiale. Zbatimet e këtij arsyetimi fizik përfshijnë: parashikimin se nga do të rrokulliset një top, vlerësimin e forcës së duhur për të kapur një objekt pa e dëmtuar, apo të kuptuarit e pranisë së një këmbësori pas një makine. “Dhe kur AI fizike vendoset në një objekt fizik, të quajtur robot, atëherë kemi të bëjmë me robotikë,” shtoi ai. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne tani, sepse po ndërtojmë fabrika në të gjithë SHBA-në.” “Shpresoj që, në dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa ndërtojmë këtë brez të ri fabrikash, ato të jenë të automatizuara, të mbështetura në robotikë dhe të na ndihmojnë të përballojmë mungesën serioze të fuqisë punëtore që po përjetojmë në të gjithë botën,” përfundoi Huang.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto