Jeff Bezos bën një parashikim të guximshëm për qendrat e të dhënave, ndërsa kërkesa për energji rritet - Business Magazine Albania

Jeff Bezos bën një parashikim të guximshëm për qendrat e të dhënave, ndërsa kërkesa për energji rritet

Gjatë një paraqitjeje në Italian Tech Week në Torino, themeluesi i Amazon dhe kryetari ekzekutiv, Jeff Bezos, bëri një deklaratë që tërhoqi vëmendjen: brenda 10 deri në 20 vitet e ardhshme, do të ndërtohen qendra të dhënash në hapësirë, me kapacitet gjigant në shkallë gigavat. Ai tha se energjia diellore e vazhdueshme dhe pa ndërprerje që ekziston në orbitë do t’i bëjë këto qendra më efikase dhe më të leverdishme se ato që ndodhen në Tokë.

Sipas Bezos, kjo qasje lidhet me tendencën gjithnjë e më të madhe të industrisë teknologjike për të eksploruar hapësirën si një zgjidhje për sfidat në rritje me energjinë dhe burimet natyrore që kërkojnë qendrat tradicionale të të dhënave, veçanërisht për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale. “Këto klasterë gjigantë trajnimi për AI,  më mirë të ndërtohen në hapësirë, sepse atje kemi energji diellore 24/7. Nuk ka re, nuk ka shi, as mot që ndërhyn,” – u shpreh Bezos gjatë bisedës publike me kryetarin e Ferrari dhe Stellantis, John Elkann. “Brenda pak dekadash, do të mund të ulim kostot më shumë sesa qendrat tokësore të të dhënave.” Bezos e përshkroi këtë zhvendosje drejt infrastrukturës në hapësirë si pjesë e një procesi më të madh transformimi, ku teknologjia hapësinore po përdoret për të përmirësuar jetën në Tokë, siç ka ndodhur tashmë me satelitët e motit dhe komunikimit. Hapi tjetër logjik, sipas tij, janë qendrat e të dhënave dhe më pas prodhimi industrial në orbitë.

Lexo edhe:  Deloitte investon fuqishëm në inteligjencën artificiale, por gabimet i kushtojnë shtrenjtë

Megjithatë, kjo ide përballet me sfida të mëdha teknike dhe logjistike, përfshirë vështirësitë e mirëmbajtjes, vështirësinë për të kryer përmirësime, kostot e larta të nisjes me raketa, si dhe rrezikun e dështimit gjatë lëshimeve.

Në fjalën e tij, Bezos u ndal edhe tek valët e mëdha të inteligjencës artificiale, duke i krahasuar me shpërthimin e internetit në fillim të viteve 2000. Ai pranoi se, ashtu si me dot-com, mund të ketë një periudhë mbingritjeje dhe më pas rënie, por theksoi se ndikimi afatgjatë do të jetë thellësisht pozitiv për shoqërinë. “Duhet të jemi jashtëzakonisht optimistë për ndikimin pozitiv të AI në shoqëri, njësoj siç ndodhi me internetin 25 vite më parë. Ky zhvillim është real dhe do të qëndrojë.”

Në thelb, vizioni i Bezos për të ardhmen përfshin kalimin e aktiviteteve kyçe të teknologjisë nga Toka në hapësirë, jo si një largim nga planeti ynë, por si një mënyrë për ta mbështetur dhe lehtësuar jetën në Tokë në mënyrë të qëndrueshme.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0