Ja çfarë thonë të huajt për turizmin në Shqipëri - Business Magazine Albania

Ja çfarë thonë të huajt për turizmin në Shqipëri


Shqipëria, një destinacion sa magjik aq edhe misterioz për turistët e huaj ofron detin, malin, historinë, kulturën, ushqimin e mrekullueshëm, duke u bërë kështu një atraksion turistik për t’u vizituar me patjetër.

Janë kaq të shumta komentet që vijnë nga të huajt për Shqipërinë sa është e pamundur t’i përmbledhësh me një artikull të vetëm, por gjithsesi BusinessMag më poshtë ju sjell disa nga komentet dhe postimet në profilet sociale, apo blogjet e huaja në lidhje me turizmin në Shqipëri.

James Leithart është një i ri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka vendosur të jetojë në Shqipëri, më konkretisht në Pogradec, dhe jep mësim në Buçimas. Kjo është gjëja që i pëlqen të bëjë më shumë për momentin. Mbi çdo gjë ai veçon ushqimin bio që gjen në zonë. Në kanalin e tij në YouTube ai ka shumë video për Pogradecin, ushqimin shqiptar, kulturën dhe traditat shqiptare.

Gjithashtu ju mund të shikoni për më shumë postime në profilin e tij të Instagram.“Që kur u transferova në Shqipëri gati 8 muaj më parë, nuk kam qenë asnjëherë në bregdet. Unë jam duke e kuptuar tani, ky ishte një gabim. Duhet të kisha ardhur shumë kohë më parë këtu …” shkruan në një postim James në profilin e tij në Instagram.

Madje ai u ka kushtuar një video të tërë bunkerëve që ndodhen në Shqipëri.

“Këta bunkerë janë interesante për mua. Me mbi 160,000 prej tyre të ndërtuara fillimisht në të gjithë vendin është e vështirë që të vish në Shqipëri dhe mos t’i shohësh. Ata janë një kujtesë për të kaluarën e errët të vendit, por njerëzit kanë qenë në gjendje t’i përdorin në të gjitha llojet e mënyrat krijuese.”

Nadya Daydova, një blogere udhëtimesh shkruan për Shqipërinë në lidhje me ushqimin, plazhet, çmimet, kulturën.

Në një postim në Instagram ajo shkruan se gjithmonë kur shkoni në një vend të ri duhet të shijoni gatimet lokale, veçanërisht ushqimin e rrugës.

Në listën e saj top 10 ushqimet që duhet të provoni në Shqipëri janë: frutat e freskëta të detit (karkalecat, oktapodët, kallamarët, midhjet), tava e dheut, troftën e lumit, byrekun, tavën me djathë të pjekur, qoftet, taratorin, bakllavanë, qumështorin.

Në lidhje me Tiranën Nadya shkruan, “Para udhëtimit në Shqipëri, kisha lexuar dhe dëgjuar se nuk kishte asgjë për të parë në kryeqytet dhe në përgjithësi qyteti ishte i trazuar me “arkitekturën e saj komuniste” dhe dukej si një kujtesë e të gjitha qyteteve post-sovjetike të kombinuara së bashku. Ne nuk i besuam komentet nga interneti, prandaj e vizituam personalisht dhe i nxorrëm përfundimet vetë.”

Sipas tyre qyteti është mjaft i pastër, modern, me njerëz miqësore dhe vende fantastike, të cilat duhen vizituar 100%.

Top 10 vendet që duhen parë me patjetër në Tiranë sipas saj janë: Mali i Dajtit, Piramida e Tiranës, Sheshi Skënderbej, BUNK’ART1, BUNK’ART2, Sheshin Nënë Tereza, Rezidencen e Enver Hoxhës, Muzeu Historik Kombëtar dhe Galeria e Arteve, Liqeni Artificial, Sahati i Tiranës.

Për të lexuar më shumë në lidhje me komentet për motin në Shqipëri, periudhën më të mirë për të vizituar atë dhe çmimet mund të vizitoni profilin e saj në Instagram. ⠀

Journey without a map, Donika komenton “Nuk ngopem me këto ujëra të kristalta”, “Gjipe, je kaq i mrekullueshëm”, “Jo vetëm plazhe të mahnitshme, por edhe arti i rrugës shumë i veçantë”.

E ndërsa në një postim shkruan “Qershori është periudha më e mirë për të pasur plazhet shqiptare pothuajse të gjitha për vete dhe për të shijuar ujin e detit të qetë dhe të pastër.”

Weiss World Photography, një faqe personale e krijuar nga Samantha Weiss.

Në postimet e saj thuhet “Më pëlqen të jetoj në jug të Shqipërisë gjithë verën! Është vendi i përkryer në Europë, kur bën jashtëzakonisht nxehtë, sepse gjithmonë ka një plazh për të shkuar”.

The prespectives of mnm, është një profil personal blog nga Miranda dhe Mike, ku shprehin prespektivën dhe këshillat e tyre të udhëtimeve.

“Jemi në Berat! Ne kemi planifikuar të qëndrojmë këtu më shumë se shumica e njerëzve dhe jemi shumë të lumtur për këtë. Po e shijojmë kohën tonë në Shqipëri. Ne e duam vibrimin, njerëzit, ushqimin, mikpritjen, historinë, kulturën e kafesë, pamjet. Të gjithë këtë. Shqipëria ka qenë një surprizë e ëmbël për ne! Ky është një vend që do t’ua rekomandojmë të gjithë njerëzve që ta vizitojnë sa më shpejt që të munden. Është mjaft ekonomike. E shoh Shqipërinë një destinacion super popullor në të ardhmen. Faleminderit që na trajtuat mirë Shqipëri.”

“Nuk kishim plane për të parë kanionet, pasi nuk e dinim se ekzistonim. Ne ishim gati duke lënë shtëpinë tonë të Airbnb në mëngjes dhe mikëpritësja jonë na pyeti nëse do të shkonim tek kanionet. Ne i thamë jo, por pastaj menjëherë kërkuam në Google dhe vendosëm të shkonim që nga Berati. Jemi shumë të lumtur që Lili, mikpritësja jonë e përmendi atë, sepse ishte një eksperiencë argëtuese. Hartat e Google na zhgënjyen përsëri, por arritëm të zbrisnim në një rrugë që na çoi në një pamje shumë të bukur.”

Natalia Astrakhanochka shkruan për Shqipërinë në profilin e saj të Facebook. “Nëse udhëtoni përgjatë Rivierës Shqiptare, ju do të shihni një pamje që të lë pa fjalë.”

Keni dëgjuar për Liqenin e Zi? Epo nëse ju nuk keni dëgjuar ndonjëherë miq të BusinessMag, Natalia jo vetëm ka dëgjuar për të, por edhe e ka vizituar. Liqeni i Zi ndodhet 40 km larg nga Gramshi dhe është një liqen i fshehur akullnajor.

“Në 1750 metra mbi nivelin e detit dhe rrethuar nga një peizazh malor, ju mund të shihni Liqenin e Zi, i cili është tepër i cekët për të notuar. Pranë liqenit ka një banjë të vogël me ujë që përmban ujëra kurative. Ata thonë se aty mund të trajtoni sëmundjet reumatike. Rekomantohet që për rezultate optimale të qëndroni 15 minuta aty, dy herë në ditë dhe muaji më i mirë i vitit për ta bërë këtë është Gushti. Temperaturat e ujit variojnë nga 2,5 deri në 3 gradë Celsius, kështu që përgatituni për një eksperiencë vërtet freskuese! Vendi është me të vërtetë i bukur dhe nëse jeni gati për aventurat e jetës, duhet të shkoni atje.” Janë këto komentet nga postimi i Natalia në Facebook.

“Korça konsiderohet të jetë një nga qendrat më të bukura dhe më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të Shqipërisë. Është vendosur pranë kufirit me Greqinë (35 km) dhe Maqedoninë (47 km) dhe është e rrethuar nga Malet e Moravës. Popullsia e saj është rreth 75,000 njerëz. Korça quhet edhe “Parisi i vogël i Shqipërisë” për shkak të bukurisë së saj, shtëpive të stilit francez dhe bulevardet me kalldrëm, kafenetë e këndshme dhe serenatet e famshme të Korçës,” shkruhet në një postim tjetër.

World of Wanderlust është blogu i udhëtimit i krijuar në vitin 2012 dhe që atëherë është bërë një qendër për udhëtarët milenial që kërkojnë ekspertizën e Brooke Saward për destinacionet më interesante për të udhëtuar, këshilla të ndryshme dhe aventura të përballueshme përmes fotografive dhe historive të saj frymëzuese të udhëtimit. Brooke ka qenë folëse e këtij viti në Spark.me 2019, konferenca më e madhe e Europës Juglindore për marketingun/internetin që zhvillohet në Mal të Zi.

Ajo në një postim në blogun e saj me titull “Më të mirat e Ballkanit: 20 vende që nuk mund të humbni në Ballkan” ka vendosur edhe Beratin.

“I njohur si qyteti i një mijë dritareve, Berati konsiderohet zakonisht qyteti më i bukur në të gjithë Shqipërinë. Këtu mund të zbuloni kishat bizantine, Xhaminë e Kuqe dhe të bridhni brenda mureve të qytetit për t’u mrekulluar nga shtëpitë otomane.” shkruhet në postimin e saj.

Një tjetër postim në blogun Nothing Familiar Travel, lartëson vlerat e ushqimeve dhe pijeve tradicionale të vendit tonë.

“Kemi kaluar dy javë duke ngrënë përgjatë bregdetit të Shqipërisë dhe nuk ngopemi nga ushqimet shqiptare! Kishte kaq shumë gjëra që ky vend na suprizoi, por ushqimi ishin padyshim në krye të kësaj liste. Ushqimi shqiptar është imrekullueshëm. Udhëzuesi ynë tradicional i ushqimeve është i sigurtë që do ju shtojë urinë dhe më e rëndësishmja do ju bëjë të vizitoni Shqipërinë sa më parë për t’i provuar!”

Byreku, frutat lokale, qifqi Gjirokastre, pispili, djathë i pjekur, perime zgare, sallatë fshati, supë me perime, supë peshku, sardele, fërgesë, fasulet pllaqi, qofte (kërnacka), speca të mbushura, patëllxhanë të mbushur, lepur i pjekur, çomlek Berati, midhje nga liqeni i Butrintit, frutat e detit, birra Elbar, verë shtëpie, ishin pjesë e listës.

“Nëse ky postim nuk ju bën që të vini të provoni ushqimet e Shqipërisë, atëherë nuk e di se çfarë do ju bëjë tjetër. Ushqimi tradicional në Shqipëri është kaq i ndryshëm saqë nuk do e keni problem, nëse jeni vegan, vegjetarian, adhurues të mishit apo produkteve të detit,” shkruhet në blog.

Turizmi i Shqipërisë në syrin e Euronews

Televizioni prestigjioz “Euronews”, në një reportazh të shkurtër në panairin ndërkombëtar të turizmit në Berlin, duke u fokusuar në teknologjinë dhe qëndrueshmërinë, i kushtoi një vëmendje të veçantë atraktivitetit të Shqipërisë në këtë sektor.

“Teknologjia është diçka që po përdoret nga Shqipëria për të treguar se bota e turizmit është e hapur për bizneset. Ky destinacion relativisht i ri, i vendosur në Europën Juglindore, tërhoqi më shumë se gjashtë milionë turistë të huaj vitin e kaluar, me një rritje prej 20% që nga viti 2017. Dikur një thesar i fshehur, male mbresëlënëse dhe plazhe mahnitëse, tani është bërë tërheqës për shumë njerëz,” thotë përshkrimi për vendit tonë në Euronews.

Një tjetër postim vjen nga Anita Hendrieka, në blogun e saj. Anita aktualisht jeton në jug të Shqipërise, por me origjinë është nga Zelanda e Re.

Në postimin e saj ajo shkruan 9 arsye pse Shqipëria duhet të vizitohet.

“Shqipëria është një vend që keqkuptohet shpesh. Midis Malit të Zi dhe Greqisë gjendet një parajsë e fshehur që shumë shpesh njerëzit e humbasin shansin ta vizitojnë pasi nuk e dinë se ku ndodhet në hartë. Kam rënë në dashuri me Shqipërinë. Peizazhet e saj janë të mrekullueshme, njerëzit janë miqësorë dhe ndihem e sigurtë gjatë gjithë kohës. Pse duhet të vizitoni Shqipërinë? Ka aq shumë për të parë dhe për të bërë në Shqipëri.”

  1. Ka plazhet më të bukura në Europë
  2. Ka njerëzit më miqësorë
  3. Shqipëria ka shumë kështjella të bukura dhe vende historike
  4. Historia është interesante
  5. Ka karakter, shumë karakter
  6. Është super e përballueshme
  7. Ka bukuri të shumta natyrore
  8. Është destinacion udhëtimi i sigurtë
  9. Shqiptarët i duan të huajt!

Francesca Masotti në blogun e saj Letters From The Balkans, ndër të tjera shkruan edhe për Liqenin e Shkodrës në një postim me titull “Liqeni i Shkodrës, xhevahiri i Ballkanit”

“Kufiri midis Shqipërisë dhe Malit të Zi është Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan dhe një nga destinacionet më interesante në të gjithë gadishullin. Gjatë udhëtimeve të mia në rajon unë pata kënaqësinë ta shihja atë nga të dy anët si pjesën shqiptare ashtu edhe pjesën malazeze dhe sipas mendimit tim, janë po aq të këndshme. Liqeni është një vend kaq i bukur saqë edhe CNN i ka kushtuar një artikull të veçantë. Për të admiruar Liqenin me gjithë bukurinë e tij, ju mund të shkoni në Kështjellën e Rozafës, në qytetin shqiptar të Shkodrës (që i jep emrin Liqenit), i cili ofron pamje të mrekullueshme të liqenit dhe lumenjve Drin dhe Buna. Nëse doni të kaloni pak kohë të rrethuar nga natyra dhe po planifikoni të organizoni një udhëtim në Ballkan, ky padyshim është një destinacion i mrekullueshëm që nuk mund të mungojë nga itinerari juaj.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0