Ishulli i Sazanit, baza e famshme do të kthehet në qendër turistike

Ishulli i Sazanit, baza e famshme do të kthehet në qendër turistike


Turizmi do të investojë në Sazan dhe në rrugën “Via Egantia”

Restaurimi – Restaurimi i qendrës së vizitorëve në Sazan e ka koston 40 milionë lekë dhe bëhet në kuadër të kthimit të portit ushtarak bashkë me godinat e bazës në një qendër pritëse për grupet turistike

Salla – Projekti i Ministrisë së Ekonomisë parashikon hapjen e një salle të posaçme ku të tregohet historia e gjithë shekullit, përveç guidave të Agjencisë së Bregdetit që do të shërbejnë gjatë gjithë vitit

Bashkëpunimi – Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit e ka bërë përpunimin e projektit restaurues në bashkëpunim me Konservatorin Litoral Francez. Strategjia që do të ndiqet nuk është popullimi, por tërheqja e turistëve ditorë

“Info Point” – Parashikohet ngritja e 10 pikave “Info Point” me koston e ndërtimit rreth 50 milionë lekë

Promovimi – Promovimi gjatë 2016-s i brandit të Shqipërisë “Go your own way” do të kushtojë 120 mln lekë

Projekti – Ministria planifikon të bëjë rivlerësimin e rrugës joniane, Sarandë, me koston 85 milionë lekë

Infrastruktura – Projekti  “Krijimi i infrastrukturës midis zonave bregdetare dhe malore” do të kushtojë 20 mln lekë

Zamir Alushi

Ishulli i Sazanit dhe Via Egnatia janë dy projektet turistike më të rëndësishme të vitit 2016, ku Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit planifikon të investojë. Në vitin e parë buxhetor, që sektori i turizmit administrohet nga kjo ministri, qeveria ka aprovuar për projektet afatmesme në total 580 milionë lekë.

Sazani

Restaurimi i qendrës së vizitorëve në Sazan që e ka koston 40 milionë lekë, bëhet në kuadër të kthimit të portit ushtarak bashkë me godinat e bazës së marinës në një qendër pritëse funksionale për grupet turistike që do të udhëtojnë me qëllim vizitat në ishull. Sipas burimeve nga ministria, përveç restaurimit të godinave, do të riparohet rruga që të çon tek ish-qyteza dhe disa rrugë dytësore që shërbejnë për të shkuar tek objektet që janë përdorur nga ushtritë gjatë periudhës së izolimit komunist. Gjithashtu, parashikohet pajisja e ishullit me sinjalistikë turistike që do t’u shërbejë grupeve të vizitorëve. Teknikisht ishulli është një bazë ushtarake, që shërben për anijet e rojës bregdetare dhe për strehimin e mjeteve të tjera në raste stuhish apo defektesh. Ideja për ishullin e Sazanit është që të kthehet në një destinacion turistik të hapur për turistët, sidomos për eko-turizëm dhe turizëm historik. Aksesi do të jetë i lirë për të gjitha grupet turistike, por menaxhimi territorial do të vazhdojë të jetë ushtarak (ishulli do të jetë aset i Ministrisë së Mbrojtjes), ndoshta për të krijuar atë ndjesinë sesi ka qenë ishulli dikur. Në ishull ka gjurmë historike që përpara Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore, por më shumë të Luftës së Ftohtë, kur Sazani ishte një bazë ushtarake nga më të rëndësishmet në Mesdhe së bashku me Pashalimanin. Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit e ka bërë përpunimin e projektit restaurues në bashkëpunim me Konservatorin Litoral Francez. Strategjia që do të ndiqet, nuk është popullimi i ishullit, por kthimi i tij në destinacion ditor turistik, bazuar në testimin që u bë me hapjen gjatë sezonit veror 2015. Projekti parashikon hapjen e një salle të posaçme ku të tregohet  historia e gjithë shekullit, përveç guidave të Agjencisë së Bregdetit që do të shërbejnë gjatë gjithë vitit. Sa u përket ndërtesave ekzistuese, çdo gjë do të sistemohet dhe pastrohet, por pa cenuar aspak historinë e tij.

Via Egnatia

Në kuadër të kthimit të Rrugës Egnatia në destinacion turistik, planifikohet të shpenzohen 33 milionë lekë. Via Egnatia po rishkelet pas 2000 vjetësh. Aty kaluan ushtritë e Cezarit e Pompeut, apostujt e Krishtit që përhapnin lajmin e mirë, kryqëzatat për të çliruar Tokën e Shenjtë, prej aty mësynë edhe ushtritë osmane drejt Ballkanit apo edhe misionarët që përhapën islamin në Europë. Sipas modeleve europiane të itinerareve historike si Via Frangigena, apo itineraret e Santiago de Compostela, Via Egnatia mund të shndërrohet në një arterie të rëndësishme turistike me një impakt ekonomik në zonat rurale, të cilat sot janë të përjashtuara gjeografikisht nga çdo zhvillim i turizmit. Rruga nis në Kalanë e Durrësit në objektin arkeologjik të quajtur Porta e Artë, e zbuluar në vitin 2000. Evidentimi i elementëve të kësaj vije antike si dhe i qendrave dhe objekteve monumentale përgjatë saj përbëjnë një tematikë që, përveç vlerave historike-dokumentare, janë të lidhura organikisht me turizmin kulturor.

 

Bregdeti 

Projekti i ri i Turizmit, lidhja e bregdetit me malet

Ministria e Ekonomisë, gjatë vitit 2016, do të plotësojë infrastrukturën turistike në Bregdetin e Jonit. Kështu, rivlerësimi i rrugës Joniane, Sarandë, do të kushtojë 85 milionë lekë. Një projekt tjetër i planifikuar është krijimi i infrastrukturës turistike midis zonave bregdetare dhe malore, me vlerë 20 milionë lekë. Një studim tjetër i Ministrisë së Ekonomisë, që planifikohet të kryhet në 2016-n është “Modeli i zhvillimit të integruar të turizmit në Rivierën Joniane shqiptare” me vlerë 30.5 milionë lekë. Ndërkaq, do të vazhdojë fushata për promovimin e turizmit. Projekti për zbatimin e brandit të Shqipërisë “Go your own way” do të kushtojë 120 milionë lekë. Brenda dy viteve të ardhshme pritet të përfundojë vendosja e sinjalistikës së vijës bregdetare, e cila është planifikuar në vlerën 60 milionë lekë. Një rëndësi të madhe do t’i kushtohet ofrimit të informacionit për turistët. Ngritja e 10 pikave “Info Point” të planifikuara në buxhetin e investimeve e ka koston e ndërtimit 50 milionë lekë. Ndërkaq, do të ngrihen dhe pika informuese në plazhet kryesore. Në plazhe do të përfundojë edhe ndërtimi i kullave vrojtuese që ka nisur qysh vitin e kaluar.

/Gazeta Shqip/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0