Neil Zeghidour, një nga emrat më të njohur të inteligjencës artificiale në Francë, po negocion me investitorë amerikanë dhe francezë për të ngritur kompaninë e tij të re të Voice AI, “Gradium”, e cila synon të komercializojë teknologjinë e zhvilluar në laboratorin e mbështetur nga Eric Schmidt, “Kyutai”.
Neil Zeghidour, ish-pjesë e ekipeve kërkimore në Meta AI dhe Google Brain, po zhvillon bisedime për të siguruar rreth 60 milionë dollarë nga investitorë amerikanë dhe francezë. Qëllimi, të komercializojë teknologjinë e avancuar të Voice AI që u zhvillua në laboratorin kërkimor Kyutai, të mbështetur nga miliarderët Eric Schmidt, Xavier Niel dhe kompania gjigante e transportit CMA CGM.
Start-up-i i ri, i quajtur Gradium, është regjistruar në korrik në Francë dhe pritet të marrë pjesë edhe vetë Kyutai, e cila do të ruajë një pjesë në kompani. Edhe pse Zeghidour nuk ka konfirmuar të gjitha detajet, burime pranë projektit thonë se synimi është krijimi i një platforme që do të ndryshojë mënyrën se si AI përdoret për gjenerimin e zërit, muzikës dhe komunikimit në kohë reale.
Zeghidour është një figurë e njohur në këtë fushë, me dhjetëra publikime shkencore për modelet e të folurit dhe njohjen vokale. Megjithatë, rruga përpara nuk do të jetë e lehtë, Gradium pritet të përballet me konkurrentë të fortë si ElevenLabs, e cila arriti një vlerësim prej 6.6 miliardë dollarësh dhe mbi 200 milionë dollarë të ardhura vjetore nga teknologjia e saj e gjenerimit të zërit.
Në garë për tregun e zërave artificialë janë futur edhe kompani si Sierra (vlerësuar me 10 miliardë dollarë), Decagon (me 1.5 miliardë dollarë) dhe Abridge (5 miliardë dollarë), të cilat po revolucionarizojnë mënyrën se si bizneset dhe mjekët përdorin AI në komunikim.
Me Gradium, Zeghidour i bashkohet një vale të re të start-up-eve franceze që po e kthejnë Parisin në një qendër evropiane të inteligjencës artificiale, përkrah gjigantëve si Mistral AI dhe Poolside AI.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto