Investimet e Jared Kushner në Ballkan nën presion politik dhe institucional - Business Magazine Albania

Investimet e Jared Kushner në Ballkan nën presion politik dhe institucional

Projektet ambicioze të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, në Ballkan po hasin pengesa serioze politike dhe institucionale. Fondi i tij i kapitalit privat, ”Affinity Partners”, u tërhoq këtë javë nga planet për ndërtimin e një hoteli luksoz në Beograd, pas protestave të vazhdueshme antiqeveritare dhe tensioneve politike që shoqëruan projektin.

Në kontrast, në Shqipëri, projekti për transformimin e ishullit të Sazanit në një resort luksoz me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë po ecën përpara, edhe pse vendi po përballet me një valë hetimesh për korrupsion që përfshijnë disa nga zyrtarët më të lartë të qeverisë.

Në Serbi, i ashtuquajturi “Trump Tower” në Beograd ishte promovuar si një investim kyç nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili mbështeti ndryshime ligjore për të lehtësuar projektin. Megjithatë, protestat e forta publike dhe paditja e një zyrtari qeveritar të përfshirë në proces e detyruan ”Affinity” të tërhiqej. Vuçiç fajësoi aktivistët dhe e cilësoi projektin si një “mundësi të humbur”.

Në Shqipëri, investimi i Kushner-it shihet nga qeveria si një test për aftësinë e vendit për të tërhequr kapital të madh perëndimor. Autoritetet shqiptare argumentojnë se zhvillimi i Sazanit do të ndihmojë në transformimin e një zone të izoluar në një destinacion turistik konkurrues në Mesdhe.

Lexo edhe: Shqipëria po humbet popullsinë me ritme alarmante, shumë mbi mesataren e Rajonit

Bloomberg shkruan se klima politike në vend është tensionuar nga hetimet e SPAK ndaj projekteve madhore infrastrukturore në Vlorë, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe një tunel autostrade. Së fundmi, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar nën akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

Affinity Partners ka deklaruar se tërheqja nga Serbia “nuk ka asnjë ndikim” mbi projektin në Shqipëri. Zyrtarët shqiptarë këmbëngulin se resorti në Sazan nuk do të ndikohet nga hetimet në vazhdim.

Sipas Transparency International, Shqipëria renditet e 80-ta në indeksin e perceptimit të korrupsionit, më mirë se Serbia, por ende me sfida të theksuara. Analistët theksojnë se suksesi ose dështimi i projektit të Kushner-it mund të ketë ndikim të madh në reputacionin e Shqipërisë si destinacion për investime të huaja.

Bloomberg

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0