Shkruar nga Elvis Shera, bashkëpunëtor
Në artikullin “Si teknologjia ndryshon mënyrën se si trasferojmë vlerën” folëm për mënyrën se si progresi i teknologjisë ndryshon mënyrën se si e perceptojmë paranë dhe transferimin e saj. Në këtë artikull do të fokusohemi në një problem shumë të madh. Një problem që të gjithë e shohim, por askush nuk flet ose pretendon të mos e shohë. Është si të kesh një elefant në dhomë. Është aq i madh sa nuk mund të mos e shohësh. Ky problem është inflacioni.
Nëse dëshironi të thelloni njohuritë tuaja, regjistrohuni gjithashtu në kanalin: “Financiarisht i Pavarur”
Një elefant shumë i vjetër
Inflacioni nuk ka lindur në epokën moderne. Është një fenomen i vjetër. Në fakt, kemi dëshmi inflacioni që nga grekët e vjetër, në Perandorinë Romake dhe gjatë gjithë epokave deri në ditët e sotme. Një nga metodat më të thjeshta ishte përzierja e monedhave metalike të arit (parasë) bashkë me metale të tjera si argjendi dhe bakri me qëllimin e krijimit të një numri më të madh monedhash. Pra, sasia e monedhës në qarkullim është shtuar, por jo sasia e mallrave dhe shërbimeve. Në rastin e bakrit, monedha bëhet e kuqerremtë dhe në rastin e argjendit bëhet më e verdhë.
Qartazi, dy monedha me të njëjtën peshë, njëra e përbërë nga bakri dhe ari dhe tjetra e gjitha prej ari, kanë vlera të ndryshme. Ajo prej ari do të vlejë më shumë dhe do të jetë më e kërkuar si monedhë. Gjithashtu, për të blerë të njëjtën gjë që blen një monedhë ari puro, të duhen më shumë monedha nga ato të përbëra nga ari dhe bakri. Pra, të matur me monedhat bimetalike, çmimi i mallrave duket i rritur. Rritja e numrit të monedhave është inflacioni i monedhës, ndërsa rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve është një efekt i inflacionit sepse po përdorim një monedhë që ka më pak vlerë.
Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Mbretëritë dhe perandoritë zhvillohen në një regjim ku monedha që përdoret ka vlerë. Në këtë mënyrë, tregtia dhe influenca kulturore rriten së bashku me etjen e perandorisë për tu zgjeruar. Zgjerimi dhe shpenzimet publike fillimisht mbështeten mbi monedha me vlerë, por shumë shpejt perandoria zmadhohet shumë dhe sasia e monedhës së shpenzuar për të mbajtur kontrollin nëpërmjet ushtrive dhe grupeve mercenare nuk është e mjaftueshme. Janë këto arsye, bashkë me shpenzime të panevojshme të elitës, që çojnë në shkrirjen e monedhës së mirë dhe përzierjen e saj me metale të tjera për të krijuar më shumë monedha. Me një monedhë të zhvlerësuar, grupet mercenare largohen, bashkë me kapacitetin ushtarak, dhe së bashku me trysnitë e tjera të vendeve nën pushtim, çojnë në kolapsin e perandorive.
Ka mënyra të tjera të inflacionit. Për të krijuar monedha të reja, monedhat e vjetra priteshin duke krijuar qoshe të ndryshme në një monedhë rrethore. Metali i marrë kështu përdorej për monedha të tjera, por monedha origjinale vlen tani më pak sepse pesha e saj është më e vogël
Mesazhi modern i promovuar nga pushteti, bankat dhe mediat
Problemi modern me inflacionin është edukimi. Duke filluar nga bankat e shkollave, në familje dhe në shoqëri, inflacioni shpjegohet sipas formulës inflacion = rritje çmimesh. Kjo nuk është e vërtetë. E pamë me shembullin e monedhave më sipër. Gjithashtu, formula bie në momentin që identifikojmë arsye të tjera për të cilat çmimet rriten. Kjo është shumë e lehtë për t’u provuar. Tregu në të përditshmen funksionon në bazë të ofertës dhe kërkesës. Nëse kërkesa rritet, atëherë çmimet rriten. Pra, përkufizimi i saktë është:
“Inflacioni është rritja e sasisë së valutës në qarkullim, ndërsa rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve është një pasojë e inflacionit.”
Ka një arsye pse inflacioni mësohet në mënyrë të gabuar. Ekziston një grup që ka interes në një edukim të devijuar nga realiteti. Këta janë bankat, pushtetet dhe mediat e tyre. Qeveritë dhe bankat janë ato që e shtojnë sasinë e valutës në qarkullim. Pra, me përkufizimin korrekt, përgjegjësia për efektet e inflacionit bie mbi qeverinë dhe bankat. Ndërsa me përkufizimin e gabuar, pra inflacion = rritje çmimi, përgjegjësia mund të hidhet tek tregu, kompanitë, parametrat makro-ekonomikë, tensionet gjeo-politike. Sigurisht, ka arsye për të krijuar inflacion dhe këto arsye do t’i shtjellojmë në vijim.
Efektet e inflacionit në shoqëri
Para se të dalim te arsyet që shtyjnë qeveritë, bankat dhe grupet elitare të krijojnë inflacion, do të përshkruajmë efektet që prodhon në shoqëri. Janë tre efektet e prodhuara në shoqëri:
Humbja e fuqisë blerëse afatshkurtër dhe afatgjatë
Me humbjen e fuqisë blerëse, individët dhe familjet mund të blejnë më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën sasi parash. Kjo sepse rritja e sasisë së valutës nuk ndiqet nga rritja e sasisë së mallrave dhe shërbimeve. Pra, ka më shumë para për të njëjtat mallra dhe shërbime. Si pasojë, çmimi rritet. Afatshkurtër, ka problematika me jetesën e përditshme. Kursimet në fund të muajit janë më të vogla. Daljet në restorante janë më të rralla, bëhen më pak pushime, eliminohen kurset, dhe deri në zgjedhjen e produkteve me çmime gjithnjë e më të ulëta, duke komprometuar edhe cilësinë. Afatgjatë, kemi probleme me kursimet dhe planet për të blerë, për shembull, një shtëpi. Inflacioni ka më shumë efekt te individët dhe familjet me të ardhura fikse. Këta janë rrogëtarët, të cilët e ndjejnë më shumë efektin e inflacionit, pasi rritja e rrogës nuk është e mjaftueshme për ta kompensuar. Si rrjedhojë, kursimet reduktohen, duke reduktuar sasinë e mbledhur. Në të njëjtën kohë, çmimet e aseteve, si shtëpitë, rriten dhe është praktikisht e pamundur të kesh kursime të mjaftueshme për t’i blerë. Është si të përpiqesh të kapësh një Ferrari duke i hipur gomarit.
Problemi me kursimet është një tjetër. Bankat qendrore përpiqen të mbajnë nivelin e inflacionit diku te 2% – 3%. Imagjinoni të kurseni para për pensionin tuaj. Me një inflacion mesatar prej 2%, 100 Lekë të kursyera vlejnë pas 45 viteve vetëm 41 Lekë (pra blini mallra vetëm për 41 Lekë), ndërsa me 3% (BSH synon rreth 3%) do blini vetëm për 24 Lekë. Po ku shkoi fuqia blerëse e humbur? Në fakt, nuk humbi, thjesht u transferua nga ata që kursyen te ata që krijuan inflacionin. Pra, është një transferte e mirëqenies ose një “vjedhje e legalizuar” nëse duam. Pyetja tjetër është: pse 2% dhe jo 4, 5, 10, ose 20%? Përgjigjen e gjejmë te zierja e bretkosës…
Nëse e fusni bretkosën në ujë të valuar, ajo del duke kërcyer, por nëse e ngriheni temperaturën ngadalë, do ta zieni atë sepse do të adaptohet gradualisht. E njëjta gjë ndodh me inflacionin. Është një target i projektuar të jetë i avashtë, në mënyrë që humbja e fuqisë blerëse të pranohet si modeste, por siç e pamë, afatgjatë efektet janë katastrofike.
Rritja e shoqërisë së konsumit
Efekti i rënies së fuqisë blerëse redukton jo vetëm kapacitetin e kursimit, sepse mbetet më pak për të kursyer, por gjithashtu ul edhe dëshirën për të kursyer. Domethënë, pse të kursesh kur valuta që do kursesh e humb vlerën me kohën? Kjo qasje i shtyn individët dhe familjet të shpenzojnë duke rritur konsumin. Më mirë të blesh diçka para se t’i rritet çmimi.
Pra, një shoqëri nën inflacion është një shoqëri konsumi që mendon afatshkurtër. Planet afatgjata janë të vështira dhe në mjegull.
Rritja e konsumit, pra blerja me ritëm më të lartë e mallrave dhe shërbimeve, ka një efekt në rritjen e GDP-së (Produktit të Brendshëm Bruto), që përdoret si tregues i rritjes ose tkurrjes së ekonomisë. Kjo është diçka me interes për klasën politike, e cila e përdor rritjen e GDP-së si një referencë për ecurinë e ekonomisë. Pra, nga kjo pikëpamje, politikanët kanë interes që të ketë inflacion.
Ndoshta fakti që individët dhe familjet nuk mund të thurin plane afatgjata është një nga krimet më të mëdha të inflacionit.
Efekti Cantillon
Efekti Cantillon, i përmendur për herë të parë nga Richard Cantillon, përshkruan se si individët dhe grupet që janë më afër burimit të parasë së re që krijohet, përfitojnë në kurriz të atyre që janë më larg.
Ndonëse inflacionin mund ta shihni si para e re e hedhur me helikopter që pak a shumë mund t’i godasë të gjithë njësoj, Cantillon vëren se në fakt qytetarët përfitojnë nga prerja e valutës në varësi të pozicionit të largësisë së tyre nga burimi. Kjo sigurisht është e padrejtë, sepse përfitimet nuk vijnë nga bizneset dhe meritokracia. Por si funksionon në praktikë?
Kur valuta e re krijohet, të parët që e marrin janë bankat e nivelit të dytë, të cilat e përdorin në dy mënyra: blerja e aseteve nëpërmjet operacioneve financiare ose ia japin klientëve të tyre preferencialë.
Kur valuta e re gjendet në duart e kësaj klase të privilegjuar, sepse janë pranë burimit të parasë, çmimet në treg nuk kanë ndryshuar akoma sepse tregu nuk e ka parë ende valutën e re.
Në momentin që kjo klasë e privilegjuar fillon të blejë asete, tregu fillon të ndjejë se ka më shumë para, por sasia e aseteve dhe shërbimeve në treg nuk ka ndryshuar. Si rrjedhojë e kërkesë-ofertës, çmimet e aseteve fillojnë të rriten. Paraja e re kalon nga klasa e privilegjuar te ata që u shitën asetet atyre. Këta që morën paratë tani i shpenzojnë në treg për asete dhe shërbime të tjera. Në këtë mënyrë paraja e re kalon nga klasa e privilegjuar, përmes këmbimeve në treg, te mbarë popullata.
Tani që çmimet janë rritur, klasa e privilegjuar shet asetet e blera me çmimin fillestar me çmime më të larta, duke realizuar fitime. Fitime të realizuara thjesht nga pozicioni i tyre. Në të njëjtën kohë, klasat më të varfra të shoqërisë nuk e kapin fare paranë e re, madje përjashtohen nga asetet sepse çmimet e tyre janë rritur shumë.
Efekti Cantillon është një plagë e shoqërisë sepse shpërndan mirëqenie te të privilegjuarit e shoqërisë në mënyrë jo meritokratike dhe godet shtresat e ulëta. Qartazi, bankat dhe klientët e tyre elitarë janë një lobi i fortë në favor të fenomenit. Kura për këtë fenomen është kthimi te një monedhë e qëndrueshme që nuk është e mundur të prehet në mënyrë arbitrare. Ari, ndonëse jo perfekt, do të ishte një kurë për këtë fenomen. Sigurisht, kjo është kundër interesit të bankave.
Lexo: SunEasy kalon shifrën e 2000 përdoruesve në vetëm 40 ditë!
Indeksi i Inflacionit
Indeksi i inflacionit ka për qëllim të tregojë se si çmimet kanë ndryshuar nga viti në vit. Gjithashtu, është një tregues i distancës së inflacionit nga inflacioni ideal i bankave qendrore. Pra, nëse bankat qendrore duan të mbajnë inflacionin rreth 3% dhe inflacioni është 6%, kemi një inflacion të lartë dhe Banka Qendrore duhet të marrë masa që ta ulë atë në nivelet e 3%. Siç e diskutuam më sipër, edhe një target prej 2% do të ishte në fakt një vjedhje e legalizuar.
Por si llogaritet ky tregues? Instituti i Statistikave (INSTAT) krijon një shportë me produkte të nevojshme për familjet dhe individët dhe monitoron rritjen e çmimit nga viti në vit, për t’i shërbyer Bankës Qendrore, marrëveshjeve të bazuara në inflacion, etj. Kjo shportë përmban mbi 300 produkte dhe indeksi i inflacionit është një mesatare e peshuar e rritjeve të çmimeve në artikujt e ndryshëm.
Problemi me metodën është i shumëfishtë. Së pari, shportat mund të krijohen në shumë mënyra të ndryshme. Për shembull, mund të kemi një shportë me produktet që i duhen çdo familjeje për të jetuar (që ishte dhe ideja origjinale). Shembuj janë buka, bulmeti, mishi, fruta dhe perime, karburanti, energjia elektrike, gazi, transporti, shkolla, etj. Ose mund të kemi një shportë me produkte luksi, e përbërë nga Rolex, verëra të shtrenjta, bizhuteri, etj., pra produkte që nuk duhen për mbijetesën. Sigurisht, duhet të merakosemi për shportën e parë dhe jo për këtë të luksit. Pra, minimalisht, kjo logjikë thotë që duhet të ketë shporta të ndryshme dhe të raportohen si të tilla dhe jo duke i përzier bashkë.
Së dyti, inflacioni godet individët dhe familjet ndryshe. Për shembull, nëse unë jetoj në një zonë ku çdo gjë e kam afër dhe s’më duhet asnjë mjet transporti, rritja e çmimit të abonimeve, të mjeteve të transportit ose të karburantit nuk më godet në të njëjtën mënyrë. Ose nëse bëj pjesë në shtresën mesatare dhe çmimet e jahteve janë rritur, nuk më hyn fare në punë. Pra, edhe me këtë shembull, e shohim se një numër thjesht mesatar, sado i peshuar, nuk ka asnjë kuptim dhe dobishmëri.
Së treti, edhe nëse do të kishim një shportë të mirëfilltë, inflacioni nuk është një numër, por një vektor (ose një listë) numrash. Pra, kemi inflacion në sektorin e energjisë, inflacion në sektorin e ushqimoreve, inflacion tjetër në çmimin e shtëpive dhe qirave, e kështu me radhë. Lista do të ishte sigurisht një tregues më cilësor.
Problemi i fundit me indeksin e inflacionit është se është kthyer vetëm në një numër në shërbim të politikave të radhës. Asnjë politikani nuk i pëlqen tii kërkohet llogari për rritjen e egër të çmimeve, prandaj krijohen metoda manipulimi për të nxjerrë një numër sa më “të mirë”.
Shembuj të manipulimit janë rishikimi i përbërësve të shportës. Me një numër kaq të madh produktesh, mund të heq ato produkte që kanë pësuar rritje çmimi dhe të përdor produkte që kanë pasur një rritje më të ulët. Në fakt, nuk ka asnjë arsye pse shporta të rishikohet shpesh,madje cdo vit, sepse nevojat primare të individëve dhe familjeve nuk kanë ndryshuar për mijëra vite. Kemi nevojë për një shtëpi, për ushqim, për ngrohje, për ujë, etj.
Mënyra tjetër e manipulimit është përdorimi i peshave relative për çdo produkt. Duke i dhënë peshë relative në krijimin e indeksit, kam një instrument tjetër në dorë që më lejon të nxjerr numrin ashtu siç dua.
Mënyra e fundit për të manipuluar është rivendosja e shifrave të referimit. Për shembull, duke rivendosur çdo 4 vite referimin nga zero (nga 100), çdo 4 vite filloj nga e para. Pra, nëse do të kisha një 10-vjeçar me një inflacion mesatar shumë të lartë dhe këto 4 vitet e fundit janë me inflacion të vogël, sapo fshiva kontributin e viteve të mëparshme dhe mora parasysh një shifër politikisht më të favorshme.
Pra, si përfundim, mund të themi se indeksi i inflacionit është kthyer në një tregues të politizuar, jo efikas, dhe sigurisht larg nga realiteti, sepse çdo person mund të shohë faturat e veta dhe të vërejë që lidhja me realitetin është këputur.
Cilët janë ata që e krijojnë inflacionin?
Inflacioni krijohet nga bankat qendrore dhe bankat e nivelit të dytë. Në fakt, banka qendrore e krijon me kërkesë të qeverisë, duke përdorur si kolateral bonot e thesarit ose duke i shtuar rezervat e bankave të nivelit të dytë. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë është si banka e bankave. Nëse doni të kuptoni më shumë mbi inflacionin, ju ftoj të ndiqni këtë video në kanalin “Financiarisht i Pavarur” Cfar eshte Inflacioni
Kjo sasi e shtuar, që mund ta quajmë M1, nuk është e keqja më e madhe. Paraja në treg shtohet më shumë nga bankat e nivelit të dytë nëpërmjet kreditimit. Imagjinoni se sa herë hapet një kredi në bankë, për shembull sepse blini një shtëpi, banka e krijon atë vlerë nga hiçi. Për më shumë, shikoni videon mbi Si funksionon Sistemi Bankar. Pra, sasia e gjithë kësaj valute që është në qarkullim dhe ka efekte reale, le ta quajmë atë M2, është shumë herë më e madhe se M1. Mund të themi madje deri në 10 fish.
Mund të themi që fuqia dhe privilegji që bankat kanë është i madh dhe kërkon një përgjegjësi të madhe për ta menaxhuar. Në rast të kundërt, kemi kriza të vazhdueshme dhe kolapse monetare, siç ndodh në shumë shtete.
Arsyet që shtyjnë në inflacion
Inflacioni nuk është një efekt natyral në ekonomi. Është artificial dhe ndodh me krijimin e bankave qendrore ose autoriteteve që marrin në pronësi prerjen e monedhës. Sistemi bankar, bashkë me qeveritë dhe elementët klientelistë, kanë interes në mbajtjen e një niveli inflacioni. E pamë që një nga arsyet është efekti Cantillon, ku klasa më pranë burimit të parasë së re përfiton “pa kosto”.
Gjithashtu, qeveritë në kohët moderne janë rritur duke punësuar një numër të lartë individësh, pra shteti është bërë punëdhënësi më i madh me kosto të mëdha. Kjo kosto, bashkë me programet sociale, ka bërë që taksimi të rritet, por nuk mund të rritet taksimi drejt 100%-shit.
Qeveritë kanë gjetur metoda më efikase për të financuar një aparat gjigand. Ndërsa rrisin dhe shpikin taksa të reja, ato marrin para nga popullata nëpërmjet inflacionit. Siç e pamë, inflacioni është transferim i fuqisë blerëse nga individët dhe familjet tek ata që e krijojnë inflacionin. Pra, inflacioni është një taksë e mcehtë jo direkte.
Cfarë mund të bëjmë për t’u mbrojtur?
Të gjithë duhet të mbrohemi nga inflacioni. Është diçka me prioritet shumë të lartë për të gjitha arsyet që përmendëm. Është vjedhje e energjisë tuaj. Ju çon drejt konsumizmit dhe nuk ju lejon të krijoni një strategji dhe plane afatgjata. Nuk është e lehtë, por ideja e mbrojtjes nga inflacioni është të kurseni energjinë tuaj të punës jashtë valutave. Gjithashtu, mbrojtja nga inflacioni kërkon disiplinë dhe një plan afatgjatë. Mënyrat se si mund të mbrohemi janë të shumta, por parimisht duhen asete që nuk mund të shtohen me shpejtësinë e shtypjes së një “butoni.” Banesa (real estate), toka, aksione të shoqërive publike dhe investime në biznese private (private equity), ar, kriptovaluta si Bitcoin mund të jenë instrumentet më të mirë për të kursyer. Kriteret e zgjedhjeve varen nga qasja që keni ndaj luhatjes së çmimeve dhe cila është dritarja juaj kohore dhe mundësitë e kapitaleve që keni.
Sigurisht, ky artikull nuk është një konsultë financiare, është një analizë dhe një opinion i autorit. Nëse dëshironi të dini më shumë mbi mundësitë e investimit, mund të regjistroheni në platformën Substack Rubrika “Financiarisht i Pavarur”
…
Mos harroni të na ndiqni në artikullin e ardhshëm, ku do të flasim për një koncept themelor në ekonomi: dinamika e kërkesë-ofertës për të kuptuar pse rriten çmimet në një treg funksional dhe jo të manipuluar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.