Historia e Dor Arta Handmade - Business Magazine Albania

Historia e Dor Arta Handmade

Edlira Kurti na tregon se si nisi pasionin e saj të thellë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, i mbështetur në një zanat të trashëguar nga brezi në brez, të cilin e quajti Dor Arta Handmade. Frymëzuar nga trashëgimia familjare dhe pasioni për artizanatin, kompania ka si mision të ofrojë qilima tradicionale dhe një përvojë kulturore unike për vizitorët. Aktualisht, po zhvillon një destinacion kulturor në Spathar, Librazhd, ku vizitorët mund të përjetojnë procesin e krijimit të qilimave dhe të shijojnë produktet tradicionale. Në tre vitet e ardhshme, synohet të bëhet një atraksion ndërkombëtar, duke ruajtur zanatin dhe krijuar mundësi për komunitetin lokal.

Kur vendosët të themeloni startupin tuaj, Çfarë ju motivon në këtë sipërmarrje?

Historia e Dor Arta Handmade fillon në vitin 1995, kur nëna ime nisi të thurte qilima në tezgjah, një zanat që e kishte trashëguar nga nëna e saj. Që në fëmijëri, kujtoj zhurmën e rrahjeve së tezgjahut që na zgjonte në mëngjes dhe kënaqësinë që ndjeja kur fillova të mësoja dhe ta ndihmoja në këtë punë.
Me kalimin e viteve, ndërsa puna vazhdonte, unë u largova nga Librazhdi për të ndjekur studimet për financë në Tiranë. Megjithatë, punishtja mbeti gjithmonë një ëndërr dhe një mision për mua, të bëja diçka më të madhe, diçka që do të ruante dhe promovonte këtë trashëgimi kulturore unike shqiptare.
Kisha një vizion, ta transformoja punishten në një destinacion kulturor, ku vizitorët dhe turistët do të kishin mundësinë të shihnin nga afër procesin e thurjes së qilimave, të kuptonin punën dhe përkushtimin që kërkohet për të krijuar këto vepra arti, dhe të ndienin lidhjen me traditën dhe kulturën shqiptare.

Cili është misioni dhe vizioni i kompanisë tuaj?

Misioni ynë është të ruajmë dhe promovojmë trashëgiminë kulturore shqiptare duke krijuar qilima tradicionale të thurur me dorë në tezgjah dhe duke ofruar një përvojë kulturore të veçantë. Synojmë të transformojmë punishten tonë në një destinacion ku vizitorët mund të përfshihen drejtpërdrejt në proçesin e thurjes së qilimave dhe të zbulojnë historinë e pasur që qëndron pas çdo qilimi.

Cilat janë sfidat kryesore që keni hasur në fillimet tuaja dhe si po i përballoni?

Ne jemi në hapat e parë të krijimit të këtij modeli biznesi ku ndërthuret artizanati dhe turizmi kulturor e cila duket sa entuziaste po aq edhe sfiduese. Megjithate i shoh si një shtysë për të vazhduar përpara drejt vizionit tim.
Një nga sfidat kryesore që hasim ne në industinë tonë është konkurenca me produktet e importuara masive, shpesh imitime dhe jo origjinale të cilat nuk pasqyrojnë autenticitetin e artizanatit tonë. Për të kapërcyer këtë sfidë ne përpiqemi vazhdimisht të investojmë në promovimin e markës tonë përmes platformave online si dhe pjesëmarrjes në panaire.
Në një kohë kur artizanati tradicional po përballet me një humbje graduale e shikoj një sfidë ndërgjegjësimin e klientëve dhe vizitorëve për vlerën e vërtetë të produkteve autentike dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Dhe pikërisht kjo është ajo që duam të arrijmë me startup-in tonë Dor Arta Handmade, të krijojmë një përvojë për vizitorët vendas dhe të huaj që vijnë në punishte, duke u ofruar atyre mundësinë të marrin pjesë drejtpërdrejt në procesin e thurjes dhe të mësojnë për historinë dhe traditën që qëndron pas çdo qilimi që thurim.

Cila është faza e startup-it tuaj, cfarë po bëni aktualisht? Cilat kanë qenë hapat kyçe në këtë
rrugëtim?

Aktualisht, jemi në procesin e rijetëzimit të punishtes sonë, e cila ndodhet në ambientet e shtëpisë tonë familjare në fshtatin Spathar, Librazhd. Po përgatitemi për të mirëpritur vizitorët, për të ofruar një  eksperiencë të veçantë kulturore. Përveç mundësisë për të parë dhe për tu përfshirë në procesin e thurjes së qilimave, vizitorët do të mund të shijojnë produktet tradicionale të zonës sonë, si lëng thanash, raki reçel, fruta dhe gatime tradicionale. Kjo përvojë do të kombinojë artin, kulturën dhe mikpritjen, duke krijuar një ambient ku tradita dhe moderniteti bashkohen në një mënyrë unike dhe frymëzuese. Hapat e parë që kam ndërmarrë në realizimin e vizionit tim për Dor Arta Handmade kanë përfshirë një sërë iniciativash këto 5 vitet e fundit për të promovuar këtë projekt në platforma të ndryshme, në
konkurse biznesesh dhe në media. Këto iniciativa kanë ndihmuar për të prezantuar dhe promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore që ne përfaqësojmë.

qilim

Cilat janë vlerat dhe besimet që ju udhëheqin në sipërmarrje?

Vlerat dhe besimet që na udhëheqin në sipërmarrje përfshijnë autenticitetin, cilësinë, kreativitetin, ruajtjen e traditës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Ne besojmë se artizanati autentik ka një forcë të jashtëzakonshme për të krijuar lidhje të thella midis njerëzve dhe kulturave, e cila nxit një ndjenjë respekti dhe admirimi për traditën e një vendi.
Besojmë se suksesi ynë si sipërmarrje nuk matet vetëm me fitimet financiare, por edhe me ndikimin që kemi në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të identitetit tonë kulturor dhe në përmirësimin e jetës së komunitetit lokal.

Çfarë zgjidhje ofroni në treg për klientët tuaj?

Për klientët të cilët vlerësojnë autenticitetin dhe cilësinë, ne ofrojmë qilima të punuar me dorë duke përdorur vetëm materiale natyrore si leshi i deleve të zonës së Librazhdit dhe teknikave tradicionale që janë përcjellë nga brezi në brez.
Përveç produkteve, ne do të ofrojmë edhe një përvojë kulturore për ata që janë të interesuar të njohin nga afër procesin e krijimit të këtyre krijimeve artizanale. Vizitorët do të kenë mundësinë të vizitojnë punishten tonë, të shohin artizanët tanë në veprim, dhe madje të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e thurjes, duke krijuar një lidhje të thellë me traditën dhe kulturën që qëndron pas çdo produkti.
Në këtë mënyrë, ne u ofrojmë klientëve tanë jo vetëm një produkt të jashtëzakonshëm, por edhe një mundësi për të qenë pjesë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.

tezgjah

Cfarë ju bën më të lumtur në sipërmarrjen që keni nisur ?

Ajo që më bën më të lumtur në këtë sipërmarrje është ndikimi që kemi në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Çdo herë që shoh një qilim të përfunduar, e di që kemi krijuar diçka të veçantë, jo vetëm për klientët tanë, por edhe për kulturën tonë.
Qilimat tonë janë një produkt turistik dhe mezi presim që të takojmë në punishtet tonë vizitorë nga vende të ndryshme që vijnë për të përjetuar nga afër procesin e thurjes dhe për të mësuar mbi historinë dhe traditat tona. Kjo është vërtet frymëzuese për ne.

Cfarë synoni të realizoni konkretishtë në 3 vitet e ardhshme?

Në 3 vitet e ardhshme, Dor Arta Handmade e shoh të shndërruar në një destinacion të njohur për turistë nga e gjithë bota, të cilët kur vijnë në Shqipëri kërkojnë një përvojë autentike kulturore. Synimi ynë është që çdo vizitor të largohet nga punishja jonë jo vetëm me produktet tona të punuara me dorë, por edhe me një shije të traditës dhe kulturës shqiptare.
Një nga objektivat kryesore është ruajtja e trashëgimisë kulturore përmes vazhdimit të zanatit të thurjes së qilimave. Për këtë arsye, planifikojmë të investojmë në trajnimin e brezave të rinj, duke siguruar që ky zanat i lashtë të trashëgohet dhe të mbetet gjallë për brezat e ardhshëm.
Gjithashtu, kemi për qëllim të ndërtojmë një model biznesi të qëndrueshëm, i cili jo vetëm që mbron dhe promovon artizanatin tradicional, por edhe krijon mundësi ekonomike për komunitetin lokal.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0