HBO Max mbërrin zyrtarisht në Shqipëri këtë korrik, si pjesë e një vale të re zgjerimi të Warner Bros Discovery në tregjet ndërkombëtare. Sipas The Hollywood Reporter, Shqipëria është mes 12 vendeve të reja ku platforma e famshme e transmetimit do të debutojë këtë verë, së bashku me Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Armeninë, Qipron, Gjeorgjinë, Islandën, Kazakistanin, Kirgistanin, Maltën dhe Taxhikistanin.
Ky hap vjen në një moment kur Evropa mbetet rajoni me rritjen më të shpejtë për shërbimin, ndërsa WBD shtyn përpara planin e saj për një prani globale gjithnjë e më të fortë, duke synuar të bëjë HBO Max të disponueshëm në mbi 100 tregje.
Vetëm një ditë më parë, WBD bëri të ditur një riorganizim të madh të brendshëm, që përfshin ndarjen e kompanisë në dy njësi kryesore: një për studiot dhe transmetimin, dhe një tjetër për rrjetet globale. Ky ristrukturim pason zgjerimet e fundit si në Turqi, ku platforma BluTV (e blerë në fund të 2023) u shndërrua në një shërbim me përmbajtje më të gjerë, dhe në Australi.
Zgjerimet do të vazhdojnë edhe në vitin 2025 dhe 2026, teksa HBO Max shton tregje të reja dhe rrit bazën globale të abonentëve, e cila në fund të tremujorit të parë të këtij viti arriti në 122.3 milionë – një rritje prej 5.3 milionësh krahasuar me tremujorin paraardhës.
Lexo edhe: Nga entuziazmi te investimi, një kapitull i ri për industrinë e filmit!
“Zgjerimi ynë global po përshpejton rritjen e shërbimit,” tha JB Perrette, CEO dhe president i Global Streaming & Games në Warner Bros. Discovery. “Pas këtyre 12 tregjeve, do të pasojnë edhe të tjerë më vonë gjatë vitit, ndërsa në fillim të vitit 2026 planifikojmë të lançojmë HBO Max në Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.”
Në tregjet e reja, përfshirë Shqipërinë, HBO Max do të ofrojë një bibliotekë të gjerë përmbajtjesh: nga prodhimet ikonike të HBO dhe Warner Bros, tek serialet e DC Studios dhe origjinalet e Max. Mes titujve të njohur janë “Harry Potter”, “A Minecraft Movie”, “The Last of Us”, “The White Lotus”, “Peacemaker”, si dhe klasike si “Friends” dhe “The Big Bang Theory”. Do të shfaqen gjithashtu seriale të reja si “Task” dhe “IT: Welcome to Derry”.
Në disa vende do të ofrohet edhe përmbajtje sportive, përfshirë Grand Slam-in e tenisit, turnetë kryesore të çiklizmit dhe ngjarje të mëdha dimërore – me të drejtat që ndryshojnë sipas vendit.
Abonentët do të kenë në dispozicion dy plane:
- Plani Standard, që lejon transmetim në dy pajisje njëkohësisht në Full HD dhe deri në 30 shkarkime për përdorim offline.
- Plani Premium, që ofron 4K UHD dhe Dolby Atmos (kur janë të disponueshme), transmetim në katër pajisje dhe deri në 100 shkarkime offline.
Me këtë lëvizje, HBO Max i afrohet gjithnjë e më shumë statusit të një platforme globale për përmbajtje cilësore dhe argëtim pa kufij. Shqipëria, më në fund, bëhet pjesë e kësaj harte të re digjitale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto