Hapësira kibernetike, a nevojitet një konventë për rregullat e luftës në këto sulme? - Business Magazine Albania

Hapësira kibernetike, a nevojitet një konventë për rregullat e luftës në këto sulme?


Në vitin 2009 një grup ekspertësh punuan për edicionin e parë të Manualit të Tallinn, një publikim që nuk ka karakter detyrues për aplikimin e ligjeve ndërkombëtare në luftën kibernetike.

Në hapësirën kibernetike nuk ka rregulla loje! A është koha për të krijuar një bashkësi me protokolle dhe standarde ndërkohë që kjo formë lufte ka nisur?

Nëse nuk besoni se lufta në hapësirën kibernetike ka filluar, ju rikujtoj STUXNET! Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara krijuan Stuxnet, i cili shkatërroi centrifugat nukleare të Iranit në 2007. Pasojat e tij, ndryshuan rrënjësisht konceptin e sulmit kibernetik për shtetin e prekur nga sulmi.

Stuxnet ishte një nga shembujt që i tregoi botës se sulmet në hapësirën kibernetike përdoren me sukses për të shkaktuar ndikime shkatërruese materiale. Armët kibernetike nuk pyetën për sanksione shtetesh! Por Stuxnet u zbulua vetëm 3 vite më vonë, në 2010. Që nga ai vit, aftësitë mbrojtëse të shteteve, aftësitë e bandave kriminale dhe të grupeve të sponsorizuara nga të tjera shtete, janë rritur në mënyrë marramendëse. POR RREGULLAT E LOJËS NUK I KA PËRCAKTUAR ASKUSH!

Në vitin 2009 një grup ekspertësh punuan për edicionin e parë të Manualit të Tallinn, një publikim që nuk ka karakter detyrues për aplikimin e ligjeve ndërkombëtare në luftën kibernetike. Versioni i parë i tij u publikua në vitin 2013 dhe versioni i dytë u publikua në shkurt të këtij viti.

Ndërkohë në vitin 2001 një grup pune i quajtur Organizata për Bashkëpunim në Shangai – e cila përfshin Kinën, Kazakistanin, Kirgistanin, Rusinë, Taxhikistanin, Indinë, Pakistanin dhe Uzbekistanin – trajtoi shpërndarjen e informacionit në internet nga shtetet rivale si një lloj ‘luftë për informacion’.

Studime dhe publikime rregullash e strategjish për kërcënimet në hapësirën kibernetike ka realizuar edhe UN, edhe UK. Me gjithë këto rezoluta, marrëveshje, unione – cilat janë hapësirat ligjore që na bëjnë mosbesues dhe vulnerabël?

Në parim, nëse një sulm në hapësirën kibernetike sjell pasoja si një sulm me armë kinetike, ai duhet të trajtohet si sulm armësh kinetike sipas kuadrit ligjor në fuqi kur vjen puna tek përgjegjësia e burimit të sulmit!  Por në rastin e Stuxnet, versioni i parë i Manualit të Tallinn nuk e përcaktonte qartë nëse sulmi në vetvete përbënte shkelje të kuadrit ligjor ndërkombëtar.

Ky ishte shembulli më i qartë që një vend përdor sulmin kibernetik për të shkatërruar infrastrukturat kritike të një vendi tjetër. Dhe ajo që na bën të dyshojmë në ekzistencën e “protokolleve të paqes” në hapësirën kibernetike është fakti se sulme të tilla ndërmerren nga vende që besojnë e lobojnë për të drejtën ndërkombëtare.

Në gjithë këtë situatë një gjë mund ta themi me siguri: Po përjetojmë epokën e luftës moderne dhe beteja e luftës së kohëve moderne është hapësira kibernetike! Politikat e luftës kibernetike nuk po arrijnë të evoluojnë në kohë reale dhe diplomacia ndërkombëtare po i trajton sulmet rast-pas-rasti.

Krijimi i një tryeze të rrumbullakët për t’i ulur shtetet të përcaktojnë rregullat e lojës në hapësirën kibernetike është shumë i vështirë. Ashtu si shumica e ekspertëve të fushës, unë besoj se modeli që duhet ndjekur për hartimin e bashkësisë së protokolleve dhe standardeve në këtë rast, është i njëjtë me modelin e krijimit të Konventës së Gjenevës.

Por mos harroni se Konventa e Gjenevës u hartua vetëm kur pasojat e luftës ishin tepër të rënda dhe të prekshme nga të gjithë, ndërkohë që sot jemi ende në fazën që duhet të bindim vendimmarrësit se një armë kibernetike është e aftë të shkaktojë dëme njerëzore!

burimi: PCWorld Albanian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0