Në Kodovjat, larg zhurmës së qyteteve dhe ritmit të shpejtë të përditshmërisë, ekziston një vend ku koha duket se ecën ndryshe. Një han që nuk është thjesht restorant apo bujtinë, por një histori familjare e rikthyer në jetë. “Hani i Taulant Shahinit” nuk lindi si ide biznesi në letër, por si vazhdim i një tradite që i ka rrënjët më shumë se një shekull më parë.
Në fund të shekullit XIX, stërgjyshi i Taulantit, bashkë me vëllezërit e tij, kishte hapur bujtinën e parë në këtë tokë. Sot, ajo histori është rikthyer, por e përshtatur me kërkesat e turizmit modern. “Doja të krijoja një destinacion ku mysafiri nuk vjen vetëm për të ngrënë apo për të fjetur, por për të përjetuar jetën e fshatit si dikur”, tregon Taulanti. Përvoja e tij shumëvjeçare në fushën e hotelerisë e ka ndihmuar të ndërtojë një model ku tradita dhe standardi bashkëjetojnë pa kompromise.
Të ndërtosh turizëm rural në Shqipëri nuk është rrugë e shtruar me lule. Krahasuar me Tiranën apo qytetet e mëdha, sfidat janë më të mëdha, ritmi është më i ngadaltë dhe çdo hap kërkon më shumë energji. “Këto sfida janë arsyeja pse zgjohem më herët dhe fle më vonë”, thotë ai. Por pikërisht largësia nga urbani dhe qetësia e natyrës e bëjnë eksperiencën më autentike dhe më të qëndrueshme në afatgjatë. Vizitorët që zgjedhin Hanin nuk kërkojnë thjesht shërbim, por ndjesinë e shkëputjes nga gjithçka artificiale.
Lexo edhe: Bujtina “Pazari i Vjetër”, kthimi në rrënjët e shijes dhe mikpritjes hasjane!
Filozofia e Hanit është e thjeshtë: sa më shumë produkte nga zona. Një pjesë e madhe e ushqimit vjen direkt nga ferma e vetë familjes, ndërsa pjesa tjetër nga bashkëpunimi me banorët e Kodovjatit për qumështin, mishin, perimet dhe prodhimet sezonale. Ky bashkëpunim nuk është vetëm ekonomik, por social. Paratë qarkullojnë brenda komunitetit, fermerët inkurajohen të mbjellin më shumëllojshmëri produktesh dhe të rrisin bagëti, sepse e dinë që kanë treg të sigurt. Për mysafirin kjo përkthehet në shije reale; për zonën, në jetë ekonomike që nuk shuhet.
Menuja e Hanit nuk mbështetet në një pjatë “instagrammable”, por në autenticitet. “Aromat në kuzhinë dhe shijet në tavolinë i bëjnë recetat tona të kërkuara njësoj” – thotë ai. Recetat janë të përgatitura nga fillimi deri në fund në kuzhinën e Hanit, me produkte që kanë histori dhe aromë vendi. Diferenca mes ushqimit industrial dhe atij të përgatitur nga toka e vet ndihet në pjatë, por edhe në kujtesën e vizitorit. Janë ato shije që nuk i harron lehtë dhe për të cilat kthehesh.
Me kalimin e viteve, sfida më e madhe ka qenë ruajtja e cilësisë ndërsa rritesh. Është e lehtë të shtosh volum, por shumë e vështirë të ruash të njëjtin standard. Për Taulantin, zgjerimi nuk ka kuptim nëse komprometon përvojën e mysafirit. Prandaj, planet për të ardhmen nuk fokusohen vetëm te rritja fizike, por te thellimi i eksperiencës: hapësira relaksi mes ullinjve, pishinë në funksion të bujtinës, vila për më shumë privatësi dhe aktivitete në natyrë që e bëjnë qëndrimin një përjetim të plotë, jo thjesht një ndalesë.
Mes gjithë këtij vizioni, mesazhi për të rinjtë që duan të hapin bujtina rurale është i qartë: durim, përkushtim dhe shumë punë. Turizmi rural nuk funksionon me gjysmë turni. Është një mënyrë jetese më shumë sesa një biznes klasik. Kur e pyesim për këshillat që mund t’i japi të rinjve që duan të bëjnë të njëjtin biznes, ai na përgjigjet kështu: “Durim, përkushtim dhe shumë punë! Turizmi rural nuk funksionon me gjysmë turni.”
Hani i Taulant Shahinit nuk është një destinacion turistik në kuptimin e zakonshëm. Është një kthim te rrënjët, një mënyrë për të treguar se mikpritja shqiptare nuk është thjesht kujtim folklorik, por mund të jetë model modern zhvillimi.
Në një kohë kur shumë kërkojnë suksesin e shpejtë, “Hani i Taulant Shahinit” dëshmon se ndërtimi i qëndrueshëm nis nga toka, nga njerëzit dhe nga respekti për historinë!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto




