Guvernatori Gent Sejko tha sot se inflacioni në vend, shënoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke arritur nivelin 8% në tremujorin e tretë, nivel ky më i larti i regjistruar që prej vitit 1998, sipas tij.
Deklaratat guvernatori Sejko i bëri gjatë konferencës vjetore të Bankës së Shqipërisë me temë “Rikthimi i inflacionit: Si mund ta përballojmë në kushtet e pasigurive të shtuara?”.
Guvernatori Sejko u shpreh se rritja e shpejtë e inflacionit buroi nga goditje të ofertës në tregun e huaj, por ajo ka filluar të transmetohet në strukturën e kostove dhe të pritjeve për inflacionin në ekonominë shqiptare.
Lexo edhe: Guvernatori Sejko në mbledhjen vjetore të FMN: Inflacioni do të nisë rënien në 2023
“Si të tilla, burimet e inflacionit shfaqen të forta dhe të qëndrueshme, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe duke kërkuar ndërhyrjen e politikës monetare.
Bazuar në këto konsiderata, Banka e Shqipërisë ka filluar një proces normalizimi të qëndrimit të politikës monetare, duke e vlerësuar këtë normalizim të domosdoshëm për respektimin e stabilitetit të çmimeve dhe dobiprurës për ekonominë dhe shoqërinë në afatin e mesëm e të gjatë.”-vijoi më tej Sejko.
Deklarata e plotë:
Është kënaqësi për mua të hap punimet e konferencës së 16-të vjetore të Bankës së Shqipërisë, të organizuar në bashkëpunim me Shkollën e Londrës për Shkenca Ekonomike dhe Politike (LSE). Jam i bindur se, ashtu si dhe në vitet e mëparshme, kjo konferencë do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë origjinën dhe kompleksitetin e sfidave me të cilat po përballemi, si dhe të identifikojmë politikat e duhura për adresimin e tyre. Në këtë drejtim, më lejoni të konstatoj se niveli i lartë i ekspertizës së folësve dhe gama e gjerë e eksperiencës së të ftuarve, ofrojnë një garanci solide për suksesin e saj.
Tema e përzgjedhur këtë vit është rritja e shpejtë e inflacionit në ambientin global dhe problematika që ky inflacion sjell për politikëbërësit, në nivel makro dhe mikroekonomik. Megjithatë, si institucione profesionale dhe largpamëse, detyra e bankave qendrore është të mos lejojnë që agjenda e ditës të eklipsojë trajtimin e problemeve të së ardhmes. Për këtë arsye, kjo konferencë nuk do të lerë jashtë vëmendjes as sfidat në rritje që imponojnë mbi ne ndryshimet e vrullshme strukturore në ekonomi, në shoqëri dhe në ambientin fizik që na rrethon.
Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, në këtë fjalë hapëse, dëshiroj të ndaj me ju vizionin tonë mbi temat e parashtruara, duke u përqendruar te ecuria e inflacionit dhe masat tona për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe duke përmendur shkurtimisht sfidat afatgjata të zhvillimit.
Te nderuar pjesëmarrës,
Organizimi nga një bankë qendrore i një konference të fokusuar mbi inflacionin, mund të duket gjëja më normale, e megjithatë, për një praktikant të fushës, kthimi i sinkronizuar i vëmendjes së bankave qendrore drejt identifikimit të masave të nevojshme dhe gjetjes së instrumenteve më efektive për reduktimin e inflacionit, është një moment historik.
Për më shumë se tre dekada, ekonomia dhe tregjet financiare botërore janë karakterizuar nga rritje relativisht e qëndrueshme ekonomike, inflacion i ulët dhe kushte të favorshme financimi. Ndonëse krizat financiare nuk kanë munguar, qofshin këto lokale, rajonale apo globale, stabiliteti ekonomik dhe monetar është marrë si i mirëqenë në vendet e zhvilluara dhe ka qenë një realitet gjithnjë e më i prekshëm për vendet në zhvillim. Ky realitet emërtoi dhe një periudhë të historisë së ekonomisë, të quajtur Moderacioni i Madh.
Konsolidimi i stabilitetit ekonomik dhe monetar ka pasur dy nxitës të fuqishëm historikë: nga njëra anë, globalizimi i tregjeve të produkteve, integrimi në zinxhirët e prodhimit të vendeve në zhvillim të Azisë dhe të Evropës Lindore, si dhe ulja e tensioneve gjeopolitike, sollën një rritje të ofertës agregate botërore, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke mbajtur të ulëta kostot e prodhimit; nga ana tjetër, kristalizimi i një konsensusi ekonomik e politik mbi rolin e bankave qendrore, rritja e pavarësisë institucionale e operacionale të tyre, si dhe fokusi mbi stabilitetin e çmimeve si objektiv primar i politikës monetare, ofruan një mekanizëm eficient dhe të besueshëm për kontrollin e inflacionit dhe zbutjen e cikleve të biznesit.
Rritja e stabilitetit monetar dhe e besueshmërisë së bankave qendrore, i mundësoi ekonomisë botërore të absorbojë një stimul të paprecedentë monetar në periudhën e krizës financiare globale dhe në periudhën e pandemisë. Bankat qendrore ulën në nivele minimale historike kostot e financimit, duke i çuar në disa raste dhe në territor negativ, si dhe rritën me shpejtësi bilancet e tyre. Stimuli monetar rezultoi vendimtar në amortizimin e pasojave të krizës dhe në krijimin e parakushteve për rimëkëmbje ekonomike. Ai u shoqërua me rritje të borxhit publik e privat, por nuk u përkthye në inflacion të lartë, duke ilustruar edhe njëherë përfitimet e Moderacionit të Madh.
Fatkeqësisht, agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë para nesh një realitet të ri. Tensioni gjeopolitik që pasoi konfliktin solli probleme masive dhe të papritura në zinxhirët botërorë të furnizimit me produkte sensitive, si ushqime, lëndë bazë e energji, dhe rritje të shpejtë të pasigurisë në tregjet botërore. Kjo goditje përkoi me rikuperimin e shpejtë të kërkesës agregate në periudhën post-pandemike dhe u pasqyrua në rritjen e shpejtë të inflacionit botëror gjatë vitit 2022. Tashmë, pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim po përballen me nivele inflacioni të paprecedenta prej disa dekadash.
As Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky realitet. Inflacioni shënoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke arritur nivelin 8% në tremujorin e tretë – nivel ky më i larti i regjistruar që prej vitit 1998. Ndonëse inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët, si në kontekstin rajonal dhe në atë europian, duke pasqyruar ecurinë e fortë dhe të qëndrueshme të kursit të këmbimit dhe çmimet e rregulluara të energjisë elektrike për familjet, baza e tij ka ardhur në rritje e zgjerim. Tashmë, pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni mbi objektivin tonë prej 3%. Po ashtu, artikujt e shportës me normë të lartë apo në rritje inflacioni nuk janë më vetëm mallra e shërbime me origjinë importi, por edhe produkte, të cilat pjesën më të madhe të vlerës së shtuar e gjenerojnë në vend.
Identifikimi i reagimit të duhur ndaj kësaj goditjeje përbën një sfidë madhore për qeveritë, për bankat qendrore, për tregjet e ndërmjetësit financiarë, por edhe për bizneset dhe familjet.
Për qeveritë, tensioni ekonomik dhe social që inflacioni i lartë sjell mbi shtresat më të varfra të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë, artikulohet në kërkesa të shtuara për mbështetje fiskale. Megjithatë, plotësimi i këtyre kërkesave bëhet problematik, për sa kohë financat publike janë në presionin e pasigurisë për të ardhmen dhe të kostove të rritura të financimit të borxhit.
Për bankat qendrore, trajtimi i goditjeve të ofertës me origjinë të huaj paraqet një dilemë jo të vogël, për faktin se këto goditje kanë ndikim të kahut të kundërt mbi aktivitetin ekonomik dhe nivelin e çmimeve. Në çdo rast, politika monetare mbetet e ndërgjegjshme për balancën delikate që ekziston midis respektimit të objektivit primar të kontrollit të inflacionit me respektimin e objektivit dytësor të zbutjes së luhatjeve ekonomike.
Për tregjet dhe ndërmjetësit financiarë, nivelet e larta të inflacionit tentojnë të shoqërohen me rritje të pasigurisë, duke sjellë nevojën e një rivlerësimi të ekspozimit ndaj rrezikut dhe rishikimi të strategjive të tyre të zhvillimit.
Së fundi, për bizneset dhe familjet, inflacioni i lartë përbën një sfidë korrente për kostot e jetesës dhe të biznesit, por dhe një sfidë afatgjatë mbi planet e tyre financiare dhe të biznesit.
Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë e ka identifikuar nivelin e lartë të inflacionit si rrezikun primar për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit, për rritjen e mirëqenies shoqërore dhe për kohezionin social. Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë një normalizim gradual, por të vendosur, të qëndrimit të politikës monetare. Banka e Shqipërisë ka rritur katër herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2022, duke e sjellë atë nga niveli minimal historik prej 0.5% në nivelin aktual prej 2.25%. Në këndvështrimin tonë, ky normalizim është një masë e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Ai synon të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e mandatit tonë ligjor të stabilitetit të çmimeve dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor dyvjeçar, duke minimizuar në të njëjtën kohë luhatjet afatmesme dhe afatgjata në aktivitetin ekonomik.
Kjo vendimmarrje është motivuar nga tre konsiderata të rëndësishme, të cilat – në gjykimin tonë – ofrojnë një kuadër konsistent analize për përcaktimin e kahut të reagimit të politikës monetare.
Së pari, presionet inflacioniste në vend paraqiten të forta dhe të qëndrueshme. Ndonëse këto presione burojnë – në masën më të madhe – nga goditje të huaja të ofertës, ato kanë filluar të transmetohen tashmë në strukturën e kostove të ekonomisë shqiptare dhe në pritjet për inflacion të agjentëve ekonomikë. Ky konstatim është në sinkron të plotë me evoluimin e mendimit të thuajse gjithë bankave qendrore dhe mbart konsensusin e analistëve ekonomikë.
Qëndrueshmëria e presioneve inflacioniste është nxitur nga kohëzgjatja dhe intensiteti i goditjes së ofertës së huaj, nga kërkesa relativisht e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, por edhe nga reduktimi i kapaciteteve të pashfrytëzuara në tregun e punës dhe të kapitalit. Kjo e fundit është shoqëruar me rritje të shpejtë të punësimit dhe të pagave në ekonominë shqiptare, duke lehtësuar transmetimin e goditjeve të mëtejshme të ofertës.
Për këtë arsye, ekonomia shqiptare rrezikon të përjetojë një periudhë të gjatë me inflacion të lartë, në mungesë të reagimit të politikës monetare.
Së dyti, inflacioni i lartë dhe i qëndrueshëm sjell – në mënyrë të pakontestueshme – pasoja negative për zhvillimin ekonomik e social, pasoja të cilat tentojnë të jenë më të mëdha për vendet në zhvillim si Shqipëria. Një nga ironitë e mëdha të suksesit të politikave të stabilizimit, është se shpesh agjentët ekonomikë harrojnë motivimin dhe përfitimet e këtyre politikave. Për këtë arsye, më lejoni të shpenzoj pak kohë në rifreskimin e kujtesës sonë të përbashkët mbi efektet negative të inflacionit.
Në këndvështrimin ekonomik, teoria dhe praktika botërore dëshmojnë se inflacioni i lartë redukton nivelin dhe rrit luhatjet e rritjes ekonomike në afatin e gjatë. Efekti negativ i inflacionit buron nga rritja e pasigurisë dhe shpërndarja joeficiente e burimeve financiare dhe njerëzore në ekonomi, si pasojë e reduktimit të aftësisë sinjalizuese të çmimeve të tregut. Këto pasoja përforcohen më tej nga rritja e vëmendjes së bizneseve dhe familjeve ndaj mbrojtjes financiare, në kurriz të investimeve afatgjata në aktive fizike, si dhe nga rritja e kostove reale të financimit, në pasqyrim të reduktimit të kursimeve financiare.
Në këndvështrimin social, teoria dhe praktika botërore dëshmojnë se inflacioni i lartë rrit pabarazinë sociale, duke prekur më shumë shtresat me të ardhura të pakta, si dhe mund të dëmtojë konsensusin politik dhe vetë institucionet demokratike të një shteti.
Në kontekstin e vendeve në zhvillim, inflacioni i lartë ka një ndikim shtesë negativ në stabilitetin financiar, duke dëmtuar besimin e publikut në monedhën kombëtare dhe duke goditur, potencialisht, edhe besimin e tij në institucionet financiare.
Nisur nga sa më sipër, qëndrueshmëria e presioneve inflacioniste dhe dëmet afatgjata të inflacionit ofrojnë, në vetvete, premisa të mjaftueshme për një reagim të politikës monetare. Megjithatë, vendimmarrja jonë në këtë drejtim është motivuar edhe nga një konsideratë e tretë.
Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare nuk do të shoqërohet me pasoja të panevojshme negative për ekonominë shqiptare dhe stabilitetin e saj monetar e financiar. Projeksionet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në afatin e mesëm dhe të gjatë. Po ashtu, rezultatet e simulimeve tona sugjerojnë se sistemi bankar ka një shkallë të kënaqshme rezistence, edhe ndaj goditjeve relativisht ekstreme ekonomike dhe financiare. Në mënyrë metaforike, ne hyjmë në këtë betejë të bindur se kura jonë do të shërojë sëmundjen, por – sado e hidhur dhe e pakëndshme – nuk do të dëmtojë pacientin.
Kjo bindje bazohet në analiza të plota, të vazhdueshme dhe të kujdesshme, konkluzionet kryesore të të cilave po i radhis në vijim.
Së pari, ekonomia shqiptare vjen në këtë përballje me një inerci pozitive zhvillimi. Aktiviteti ekonomik në vend shënoi një rimëkëmbje të shpejtë gjatë vitit të shkuar dhe gjysmës së parë të këtij viti. Burimet e rritjes shfaqen të gjera, të bazuara si në kërkesën e brendshme dhe në atë të jashtme. Bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve janë relativisht të shëndetshme, ndërsa tregu i punës mbetet dinamik, i karakterizuar nga rritje e qëndrueshme e punësimit dhe pagave. Në këtë kontekst, ndonëse ngadalësimi i ritmit në të ardhmen e afërt është diçka normale, rritja ekonomike pritet të mbetet në territor pozitiv, ndërsa recesioni shfaqet si rrezik material vetëm në skenarë ekstremë të zhvillimeve në ambientin e huaj.
Së dyti, në ndryshim nga eksperiencat e mëparshme të përballjes me goditje, stabiliteti financiar i vendit paraqitet i konsoliduar. Tregjet financiare janë relativisht të qeta, pavarësisht luhatjeve të moderuara në segmente të caktuara të tij. Sektori bankar është likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Ndërkohë që besimi i publikut në të dhe në monedhën kombëtare mbetet në nivele tejet të larta. Së fundi dhe po aq e rëndësishme, borxhi publik mbetet nën kontroll dhe hapat konkrete të qeverisë për konsolidim fiskal ofrojnë një mbështetje më shumë për qëndrueshmërinë e tij.
Duke qëndruar në këtë linjë, dëshiroj të evidentoj se reformat e vazhdueshme që Banka e Shqipërisë dhe autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë në fushën financiare kanë dhënë frytet e tyre. Më konkretisht, konsolidimi i sektorit ka prodhuar një industri bankare më të shëndetshme dhe konkurruese. Përmirësimi i ambientit të kreditit ka gjeneruar një përqasje më pozitive nga bankat në kredidhënie, duke i shndërruar ato në një mbështetës të besueshëm me fonde për bizneset dhe familjet shqiptare. Po ashtu, rrjetet e sigurisë financiare janë forcuar më tej, nëpërmjet: përmirësimit të koordinimit të institucioneve përgjegjëse; fuqizimit të rolit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave; si dhe adoptimit nga Banka e Shqipërisë të funksionit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe krijimit të fondit special përkatës. Në të njëjtën kohë, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar kanë sjellë një administrim më të mirë të rrezikut, duke reduktuar vulnerabilitetet e tij ndaj goditjeve të papritura. Së fundi, përmirësimi i infrastrukturës së pagesave dhe rritja e edukimit financiar kanë zgjeruar vëmendjen dhe pjesëmarrjen e publikut në sektorin financiar.
Së treti, gjej me vend të theksoj se qëndrimi i politikës sonë monetare do të vijojë të mbetet stimulues, gjatë gjithë procesit të normalizimit. Ky normalizim nënkupton një reduktim të intensitetit të stimulit monetar, por jo ndryshim të natyrës stimuluese të kësaj politike. Në fakt, skenari ynë bazë nuk parashikon (ende) adoptimin e një qëndrimi shtrëngues të politikës monetare, por rishikimi i qëndrimit të politikës monetare synon të ofrojë një balancë më të mirë të rreziqeve në ekonomi.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kuadri analitik i Bankës së Shqipërisë, të cilin e parashtrova më lart – vlerësimi i intensitetit dhe i qëndrueshmërisë së presioneve inflacioniste, identifikimi i rreziqeve dhe vlerësimi i balancës së tyre, si dhe vlerësimi i kostos dhe pasojave të ndërhyrjes – ofron një udhëzues konsistent për vendimmarrje.
Duke iu kthyer edhe njëherë kontekstit historik, mendoj se detyra jonë si autoritete monetare është të ruajmë të pacenuar besimin e publikut në vullnetin dhe aftësinë e bankave qendrore për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. Rikonfirmimi i këtij vullneti dhe kësaj aftësie do të ruajë të pacenuar një nga dy premisat kryesore të suksesit që kanë pasur politikat ekonomike gjatë periudhës së Moderacionit të Madh. Ndonëse premisat e tjera të tij – globalizimi, integrimi dhe ulja e rrezikut gjeopolitik – nuk janë në kontrollin tonë, stabiliteti i çmimeve dhe besueshmëria e bankave qendrore është një stafetë, të cilën e kemi marrë nga brezat paraardhës dhe duhet ta çojmë më tej.
Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë i ka kushtuar dhe i kushton vëmendje të madhe edhe sfidave afatgjata strukturore që kemi përpara. Tashmë është e qartë se analizat dhe projeksionet tona, e për rrjedhojë edhe politikat tona, nuk mund të jenë të plota e të sakta pa një vlerësim të plotë të rolit të ndryshimeve klimatike, të trendeve demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni, si dhe të ndikimit të inovacionit teknologjik e financiar në ekonomi.
Të gjitha këto tema jam i bindur se do të trajtohen në gjerësi dhe thellësi në këtë konferencë.
Duke ju uruar mirëseardhjen, ju ftoj të angazhohemi në një diskutim sa më të plotë e sa më të sinqertë!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.