Masat konkrete sipas Sekjos lidhen me shtimin e transparencës, për t’iu bërë të ditur individëve dhe bizneseve se cili është rreziku, që kanë ndaj procesit, kur të ardhurat dhe depozitat i kanë në euro.
Një masë e dytë lidhet me rezervat e detyrueshme. Sipas Guvernatorit, ‘’ka ndryshuar raporti i rezervës së detyrueshme, duke favorizuar lekun. Më konkretisht, përcaktohet rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% (ishte 10%) dhe ulja e saj për detyrimet në lekë në nivelin 7.5% (ishte 10%). Për bankat ku detyrimet në valutë zënë më shumë se 50% të detyrimeve totale, vetëm për vlerën e ndryshimit pozitiv, norma e rezervës së detyrueshme në valutë rritet në 20%.’’
Në afatgjatë, synohet të orientohet likuiditeti drejt monedhës kombëtare. Ky orientim nuk pritet të krijojë probleme në balancën e sistemit bankar. Sipas Sekjos, është e qartë që ekonomia ka marrëdhënie biznesi import-eksport dhe shumë shkëmbime bëhen në euro. ‘’Ne do t’u rekomandonim atyre ata që janë në këtë proces të vazhdojnë kështu. Synimi ynë është orientimi i sistemit financiar.”
Duke iu përgjigjur pytjes së gazetarëve, Guvernatori pranoi se euroizimi është i lartë, pasi prej kohësh përdoret në disa transaksione të tilla si pasuritë apo makinat, por nënvizoi se, “Për momentin nuk kemi bërë të detyrueshëm kryerjen e pagesave në lekë për këto. Do ta analizojmë dhe nëse do ta shohim që niveli i euroizimit në ekonomi do të ketë ekspozim më të madh në euro, do të marrim masa.”
Sipas Sekjos, “grupi i masave vjen në kuadër të një reforme në sistemin financiar siç ishte ajo e politikës monetare stimuluese dhe uljes së kredive të këqija. Duke qenë se kemi gjendje stabël ekonomike dhe masat e tjera kanë rezultuar të suksesshme, mendojmë se është koha për të stimuluar monedhën vendase. Pikërisht për synimin e integrimit në BE, ne duhet të forcojmë monedhën vendase dhe ekonominë. Ekspozimi ndaj kursit të këmbimit dhe ecuria e tij do ta cënonte situatën makroekonomike ndaj na duhet të marrim masa parandaluese.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.