Grupi i lobimit për teknologjinë i bën thirrje liderëve të BE-së të pezullojnë AI Act - Business Magazine Albania

Grupi i lobimit për teknologjinë i bën thirrje liderëve të BE-së të pezullojnë AI Act

Grupi i lobimit për teknologjinë i bën thirrje liderëve të BE-së të pezullojnë AI Act

Grupi i lobimit për teknologjinë CCIA Europe, anëtarë të së cilës janë gjigantët si Alphabet (Google), Meta (Facebook) dhe Apple, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të pezullojë përkohësisht zbatimin e Aktit për Inteligjencën Artificiale (AI Act), duke paralajmëruar se një zbatim i nxituar i tij mund të rrezikojë ambiciet e Evropës për të qenë lider në fushën e inteligjencës artificiale.

Rregullorja historike e BE-së për inteligjencën artificiale hyri në fuqi në qershor të vitit të kaluar, me dispozita që parashikohen të zbatohen në mënyrë të fazuar. Ndër rregullat më të rëndësishme janë ato që lidhen me modelet e inteligjencës artificiale me përdorim të përgjithshëm (GPAI), të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 2 gusht. Megjithatë, pjesë kyçe të udhëzimeve për GPAI, që duhej të publikoheshin më 2 maj, janë vonuar.

“Me pjesë kritike të Aktit që mungojnë vetëm disa javë përpara se të hyjnë në fuqi rregullat, na duhet një pauzë për ta bërë siç duhet këtë Akt – përndryshe rrezikojmë të ndalojmë inovacionin në tërësi,” tha Daniel Friedlaender, nënkryetar i lartë i CCIA Europe. Edhe liderë politikë, si Kryeministri suedez Ulf Kristersson, i kanë cilësuar rregullat për AI si “konfuze” dhe i kanë kërkuar BE-së të pezullojë zbatimin e Aktit, përpara takimit të liderëve të BE-së që u mbajt këtë të enjte në Bruksel.

Lexo edhe:Një epokë e re për njerëzimin? Ja si synon Meta të fitojë garën për inteligjencën artificiale

Një anketë e realizuar nga Amazon Web Services tregoi se mbi dy të tretat e bizneseve evropiane kanë vështirësi të kuptojnë përgjegjësitë që rrjedhin nga Akti për Inteligjencën Artificiale të BE-së. Ndërsa SHBA ndjek një qasje më të lehtë dhe me zbatim vullnetar, dhe Kina fokusohet tek stabiliteti shoqëror dhe kontrolli shtetëror, qasja e BE-së mbetet më gjithëpërfshirëse dhe strikte.

“Ne jemi aktualisht në procesin e zbatimit të Aktit për Inteligjencën Artificiale,” tha Henna Virkkunen, komisionerja teknologjike e BE-së, para eurodeputetëve më herët gjatë këtij muaji, kur u pyet nëse do të konsideronte pezullimin e përkohshëm të zbatimit të Aktit. “Dua ta zbatojmë në një mënyrë që të jetë miqësore ndaj inovacionit… shqetësimi kryesor i disa aktorëve është se kjo po pengon zhvillimet inovative.”

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0