Gratë i afrohen burrave. Ngushtohet diferenca në paga

Gratë i afrohen burrave. Ngushtohet diferenca në paga


Diferencat në të ardhurat nga paga, mes grave dhe burrave në tregun e punës në Shqipëri, duket se po ngushtohet gjithnjë e më shumë.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se, paga mesatare e grave është rreth 44 mijë lekë. Krahasuar me pagën mesatare të burrave prej 47 mijë lekësh, hendeku përllogaritet në 6%, nga 10% që ishte në vitin 2014.

“Kjo vjen kryesisht nga vet gratë. Duke qenë më të lira, më të hapura, kërkojnë të menaxhojnë vet jetën e tyre. Kjo është tendencë sidomos në brezin e ri. Gratë kërkojnë nivel më të lartë page dhe investimi në formim është më i lartë, por edhe shoqëria është më e hapur”, tha sociologu Edmond Dragoti.

Sipas profesioneve, burrat rezultojnë të paguar më mirë në pozicionet e specialistëve të Teknologjisë së Informacionit, Shëndetësisë, Arsimit, Administrim Biznesit apo shërbimeve të Mbrojtjes, në industri etj.

INSTAT vëren se në pozicione menaxheriale, gratë janë më të paguara sesa burrat, por sipas sociologëve kjo nuk do të thotë se nuk ka diskriminim.

“Numri i grave në këto pozicione është i pakët dhe ato që i fitojnë këto pozicione janë shumë të kualifikuara”, tha më tej Edmond Dragoti.

Hendeku gjinor i pagave në Shqipëri është më i ulët sesa në disa vende të zhvilluara europiane. Por, në këto shtete, pjesëmarrja në forcat e punës është më e lartë, po ashtu edhe niveli i pagës, që janë dy faktorë që ndikojnë në zgjerimin e hendekut.

/Top-Channel

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0