Google po futet më thellë në fushën e parashikimeve të motit ekstrem duke testuar një model të ri të inteligjencës artificiale, i ndërtuar për të gjurmuar dhe parashikuar ciklonet tropikale. Në partneritet me Qendrën Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së (NHC), kompania teknologjike po eksperimenton me një sistem të avancuar të zhvilluar nga DeepMind dhe Google Research.
Modeli, i lançuar përmes platformës eksperimentale Weather Lab, ka aftësinë të gjenerojë deri në 50 skenarë të ndryshëm mbi trajektoren, madhësinë dhe fuqinë e një cikloni, me një parashikim që shtrihet deri në 15 ditë përpara. Në testime krahasuese, ky sistem është treguar më i saktë sesa modelet fizike tradicionale: në parashikimet 5-ditore, AI-ja e Google ka qenë mesatarisht 140 kilometra më afër rrugës reale të stuhisë sesa modeli i njohur i Qendrës Evropiane për Parashikime Afatmesme (ECMWF).
Lexo edhe: Aftësitë digjitale, pika e dobët e të rinjve shqiptarë – sinjal alarmi nga Eurostat
Megjithatë, vetë Google e ka theksuar se ky model mbetet në fazë kërkimore dhe nuk duhet të përdoret nga publiku për qëllime zyrtare ose vendimmarrje emergjente. Sistemi është trajnuar mbi bazën e të dhënave ERA5, një arkiv i detajuar klimatik i mbledhur në Evropë.
Ky përpjekje e re vjen pas suksesit të GenCast, një tjetër model AI i Google që, sipas një artikulli në Nature në dhjetor 2024, tejkaloi modelet fizike ekzistuese në 97.2% të rasteve. Google, ndërkohë, ka shtrirë bashkëpunimet e saj edhe me institute kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar, Japoni dhe SHBA, duke e shndërruar këtë projekt në një përpjekje globale për të modernizuar mënyrën si e kuptojmë dhe parashikojmë motin ekstrem.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto