Google paditet me 6.6 miliardë dollarë në Britani! - Business Magazine Albania

Google paditet me 6.6 miliardë dollarë në Britani!

Google paditet me 6.6 miliardë dollarë në Britani për abuzim me kërkimin online

Google po përballet me një padi në Britani, ku kërkohen deri në 5 miliardë paund (rreth 6.6 miliardë dollarë) dëmshpërblim, nën akuza se kompania ka abuzuar me pozicionin e saj dominues në tregun e kërkimit online.

Padia kolektive, e dorëzuar të martën në Tribunalin e Apelimit të Konkurrencës, pretendon se veprimet e Google i kanë mundësuar kompanisë të ngarkojë çmime më të larta për reklamat që shfaqen në rezultatet e kërkimit, sesa do të ishte e mundur në një treg konkurrues.

Në dokument thuhet se kompania amerikane, që është në pronësi të Alphabet (GOOGL), ka kontraktuar prodhues të telefonëve për të parapërfshirë shërbimin Google Search dhe shfletuesin Chrome në pajisjet Android, si dhe ka paguar Apple-in për ta bërë motorin e saj të kërkimit opsionin parazgjedhur në iPhone, me qëllim të përjashtimit të konkurrentëve. Padia është ngritur nga ekspertja e ligjit të konkurrencës, Or Brook, në emër të mijëra bizneseve. Sipas saj, Google ka siguruar që motori i saj i kërkimit të ketë funksionalitete dhe veçori më të avancuara për ofertën e vet reklamuese krahasuar me konkurrentët. Google e ka cilësuar padinë si “një tjetër rast spekulativ dhe oportunist.”

Lexo edhe:Spitalet e së ardhmes/ Shqiptari Labinot Bytyqi siguron 47 mln dollarë për platformën hellocare.ai

“Do të mbrohemi me vendosmëri kundër kësaj padie,” tha një zëdhënës i kompanisë. “Konsumatorët dhe reklamuesit përdorin Google sepse është i dobishëm, jo sepse nuk ka alternativa.” Sipas Or Brook, bizneset nuk kanë thuajse asnjë mundësi tjetër përveçse të përdorin reklamat në Google për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre. “Rregullatorët në mbarë botën e kanë përshkruar Google-in si një monopol, dhe sigurimi i një pozicioni në faqet e para të kërkimit është thelbësor për dukshmërinë,” tha ajo në një deklaratë. “Google po e shfrytëzon dominimin e vet në tregun e kërkimit dhe reklamimit për të mbingarkuar reklamuesit.” Autoriteti britanik i konkurrencës nisi një hetim ndaj shërbimeve të kërkimit të Google në janar, duke përfshirë ndikimin e tyre në tregjet e reklamimit. Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve në Britani (Competition and Markets Authority) deklaroi në atë kohë se miliona njerëz dhe biznese varen nga shërbimet e Google-it, të cilat përbëjnë 90% të kërkimeve online dhe përdoren nga mbi 200,000 biznese në Mbretërinë e Bashkuar për të reklamuar.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0