Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi se një ofertë pa kufizim të internetit në shërbimet “StreamOn” nga kompanitë e telekomunikacionit, Deutsche Telekom dhe Vodafone në Gjermani ishte në shkelje të ligjeve dhe rregullave për një internet të lirë dhe të barabartë për të gjithë.
Sipas gjykatës, një praktikë e tillë bie ndesh me detyrimin e përgjithshëm për trajtim të barabartë të trafikut të internetit, pa diskriminim, ose ndërhyrje, siç e kërkon rregullorja për një qasje të hapur dhe të lirë në internet.
Beteja ligjore u nis nga Agjencia Federale e Rrjeteve në Gjermani kundër shërbimit “StreamOn” të Deutsche Telekom dhe ofertës së kompanisë për klientët, që kundrejt pagesës të përfitonin qasje pa kufizime te sasia dhe shpejtësia e trafikut të internetit për të ndjekur video online. Agjencia gjermane kundërshtoi praktikën me argumentin se ajo reduktonte shpejtësinë e lidhjeve të internetit për klientët që nuk ishin pjesë e këtij shërbimi dhe i kërkoi Deutsche Telekom që ta zgjerojë këtë shërbim për të gjithë klientët e vet në të gjithë shtetet e Bashkimit Europian.
Pas kësaj padie, Federata e Organizatave të Konsumatorit Gjerman ngriti në padi paralele ndaj Vodafone për një ofertë të ngjashme. Gjykatat gjermane i referuan të dyja këto çështje te Gjykata Europiane e Drejtësisë për dhënie mendimi.
“Këto praktika tregtare bien ndesh me detyrimin e përgjithshëm për trajtim të barabartë të trafikut, pa diskriminim, pa ndërhyrje, siç e kërkon rregullorja për qasjen në internet. Sa kohë që kufizimet e internetit aplikohen vetëm për personat që nuk janë pjesë e këtyre shërbimeve, kjo praktikë bie ndesh edhe me ligjet e BE-së”, tha Gjykata Europiane e Drejtësisë në vendimin e saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto