Microsoft njoftoi të martën se do të investojë 30 miliardë dollarë në Mbretërinë e Bashkuar deri në vitin 2028, si pjesë e ndërtimit të infrastrukturës së saj të inteligjencës artificiale. Investimi përfshin 15.5 miliardë dollarë për zgjerim kapitali dhe 15.1 miliardë dollarë për operacionet në Britani, tha kompania. Një pjesë e madhe e kësaj pakete do të shkojë për ndërtimin e “superkompjuterit më të madh të Mbretërisë së Bashkuar” me mbi 23,000 GPU të avancuara, në partneritet me firmën britanike të cloud computing, Nscale.
Gjigantë të tjerë si Nvidia, Google, OpenAI dhe Salesforce prezantuan gjithashtu plane për investime shumëmiliardëshe në vend. Në total, investimet e reja kapin vlerën e mbi 40 miliardë dollarëve. Ky zotim financiar vjen në të njëjtën kohë me vizitën shtetërore të Presidentit Donald Trump në Britani. Trump mbërriti të martën në mbrëmje dhe pritet të pritet nga Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla të mërkurën në Kështjellën Windsor. Vëmendja është e përqendruar tek Kryeministri britanik Keir Starmer, i cili përballet me presion për të sjellë stabilitet pas dorëheqjes së Zëvendëskryeministres Angela Rayner për një skandal taksash dhe pas një riformatimi të madh të kabinetit. Presidenti i Microsoft, Brad Smith, i cili dikur ka kritikuar klimën rregullatore britanike për përpjekjet për të bllokuar blerjen e Activision-Blizzard në vitin 2023, tha se tashmë është inkurajuar nga hapat e qeverisë për të krijuar një mjedis më miqësor për biznesin. “Vetëm pak vite më parë, ky lloj investimi do të ishte i paimagjinueshëm,” u shpreh ai. Qeveria britanike njoftoi gjithashtu se Starmer dhe Trump do të nënshkruajnë një marrëveshje të re për të nxitur investime dhe bashkëpunim në fushën e AI, kuantumit dhe teknologjive bërthamore.
Lexo edhe:NOMAD TECH prezanton projekt-propozimet fituese
Investimet e tjera kryesore
-
Nvidia: shpalli një investim prej 11 miliardë £ (15 miliardë $) në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me Nscale dhe kompaninë amerikane CoreWeave. Nvidia planifikon të vendosë 120,000 çipa Blackwell GPU, vendosja më e madhe ndonjëherë në Evropë. “Kjo do ta bëjë Britaninë një prodhues të AI, jo thjesht një konsumator,” tha David Hogan nga Nvidia.
-
Google: do të investojë 5 miliardë £ (6.8 miliardë $) duke hapur një qendër të re të dhënash në Waltham Cross, 19 km në veri të Londrës. Kompania parashikon që investimi të krijojë rreth 8,250 vende pune çdo vit në bizneset britanike.
-
OpenAI: në partneritet me SoftBank, Oracle, Nscale dhe Nvidia, prezantoi projektin “Stargate U.K.”, një version britanik i iniciativës së madhe të saj Stargate. Në fazën e parë do të vendosen deri në 8,000 GPU, me mundësi zgjerimi deri në 31,000 GPU. Projekti i parë do të ndërtohet në Cobalt Park, Newcastle.
-
Salesforce: dyfishoi angazhimin e saj nga 4 miliardë $ në vitin 2023 në 6 miliardë $. CEO Marc Benioff tha se ky investim është dëshmi e “angazhimit afatgjatë” ndaj Mbretërisë së Bashkuar.
-
CoreWeave: njoftoi gjithashtu një investim shtesë prej 1.5 miliardë £, duke e çuar angazhimin total në vend në 2.5 miliardë £, për të rritur kapacitetet e qendrave të saj të të dhënave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.