Gjermania tha të enjten se do të investojë 200 miliardë euro për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga rritja e kostove të energjisë, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
“Qeveria gjermane do të bëjë gjithçka që çmimet të bien”, tha kancelari Olaf Scholz.
Ai njoftoi se paketa përfshin vendosjen e një çmimi tavan për gazin dhe një plan për të hequr fitimet e papritura të kompanive të energjisë, të cilat janë goditur pak nga rritja e çmimeve të gazit. Fondi prej 200 miliardë eurosh, sipas Scholzit, është krijuar për t’u siguruar që Gjermania mund të përballet me pasojat e rritjes së çmimeve “këtë vit, vitin e ardhshëm dhe atë pas tij”.
Gjermania, e cila ka qenë shumë e varur nga importet e lëndëve fosile djegëse nga Rusia për të plotësuar nevojat e saj energjetike, është vënë nën stres pasi furnizimet nga Moska po pakësohen.
Lexo edhe: Gjermania siguron gaz nga Emiratet e Bashkuara Arabe
Njoftimi i së enjtes u bë pasi inflacioni u rrit në nivelin më të lartë në 70 vjetët e fundit, në 10 për qind në shtator, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë.
“Ne e gjejmë veten në një luftë energjetike mbi mirëqenien dhe lirinë”, tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.
Vendosja e kufirit për çmimin e gazit duhet të mbulojë “të paktën një pjesë” të gazit të përdorur nga familjet dhe bizneset, duke “ruajtur thirrjen për të reduktuar përdorimin e gazit” gjatë dimrit, pasi furnizimet janë të kufizuara, tha qeveria në një deklaratë.
Në të njëjtën kohë, qeveria do të punojë për të kufizuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët, duke hequr fitimet e marra nga kompanitë energjetike që kanë përfituar nga rritja e çmimeve të gazit, por që nuk përdorin burimin e energjisë për të prodhuar energji. Njoftimi pasoi vendimin vendimin e Qeverisë gjermane për ta shtetëzuar kompaninë më të madhe importuese të gazit në vend, Uniper.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto