Kompanitë që tashmë po hasin vështirësi me integrimin e brezit Gen Z në vendin e punës, nuk do të gëzohen aspak të dëgjojnë se shumica e menaxherëve të burimeve njerëzore e konsiderojnë brezin pasardhës, nxënësit e shkollave të mesme të sotme, edhe më të papërgatitur për tregun e punës modern.
Ndërsa numri i të rinjve të brezit Z (të lindur midis viteve 1995 dhe 2010) që hyjnë në tregun e punës rritet, shumë prej tyre kanë fituar një reputacion jo fort pozitiv. Punëdhënësit shpesh i përshkruajnë si të mbyllur në vetvete, të paduruar ndaj udhëzimeve, me mungesë trajnimi praktik dhe me sjellje që i huton kolegët më të vjetër. Por nëse brezi Z e sheh këtë kritikë si të ashpër, atëherë duhet të dëgjojë çfarë thonë punëdhënësit për gjeneratën që vjen pas tyre – Gjenerata Alpha (2010–2024), e cilësuar si edhe më e papërgatitur për punë. Të rinjtë që kanë përfunduar universitetin sot përballen me një treg pune të ngadalësuar dhe me punëdhënës që po vlerësojnë gjithnjë e më shumë aftësitë praktike sesa diplomat. Por situata është edhe më e vështirë për brezat më të rinj – nxënësit që sapo kanë mbaruar gjimnazin, sepse shumë kompani mendojnë se ata nuk janë në gjendje të kryejnë punët ekzistuese. Sipas një studimi të fundit të Dhomës së Tregtisë së SHBA-së dhe College Board, 84% e menaxherëve pjesëmarrës në sondazh thanë se “shumica e nxënësve të shkollës së mesme nuk janë të përgatitur për tregun e punës”.
Edhe më shqetësuese është se 80% e tyre besojnë se maturantët e sotëm janë më pak të aftë për të kërkuar, fituar dhe mbajtur një punë se brezat e mëparshëm.
Një tjetër anketë vitin e kaluar tregoi se 60% e menaxherëve kishin pushuar nga puna punonjës të Gen Z sepse nuk përshtateshin dot me kulturën e kompanisë, ndërsa 75% pranuan se disa ose të gjithë të diplomuarit e rinj që kishin punësuar nuk përmbushnin pritshmëritë.
Nëse kjo situatë i lodhi me Gen Z, ata pritet të jenë edhe më skeptikë ndaj kërkesave për punë që po vijnë nga adoleshentët e Gjeneratës Alpha. Raporti “New Hire Readiness Report 2025” i Dhomës së Tregtisë tregon se shumë nxënës të sotëm kanë nxjerrë mësime nga përvoja e Gen Z, që harxhoi vite e para për universitet, vetëm për të kuptuar se diploma nuk është më garanci për punësim. Kjo po bën që shumë të rinj të mos e shohin më universitetin si rrugë të nevojshme, por të kërkojnë punë që në moshë të re. Por sipas menaxherëve, edhe pse diplomat nuk kanë më peshën e dikurshme, ata që kanë ndjekur universitet apo shkolla profesionale janë ende shumë më të përgatitur se ata që kërkojnë punë direkt pas gjimnazit.
Çfarë mund të bëjnë nxënësit për të përmirësuar aftësitë e tyre?
Pjesëmarrësit në sondazh sugjeruan disa mënyra që të rinjtë të fitojnë përvojë para se të hyjnë në tregun e punës:
-
Të ndjekin praktika profesionale apo programe internship;
-
Të regjistrohen në shkolla profesionale, të cilat shumë punëdhënës i vlerësojnë më efektive se universitetet për zhvillimin e aftësive të hershme të karrierës.
Ata gjithashtu nënvizuan nevojën që edukimi për biznesin të fillojë që në gjimnaz. Plot 92% e punëdhënësve kërkuan që shkollat të ofrojnë më shumë lëndë që mësojnë aftësi praktike si të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve, të cilat 94% e tyre i konsideruan thelbësore. Ndërkohë, 98% e menaxherëve theksuan rëndësinë e aftësive të komunikimit, 97% vendimmarrjen dhe 94% punën në grup.
Lexo edhe:Martesa e katërt e Tom Cruise planifikohet të zhvillohet në hapësirë!
Gati 96% e punëdhënësve thanë se është thelbësore që nxënësit të mësojnë financat personale para se të fillojnë punën. Kjo përfshin:
-
njohuri bazë për tatimet, të ardhurat neto dhe buxhetimin;
-
konceptet e kursimit dhe investimit;
-
dhe menaxhimin e kredive dhe borxhit.
Raporti përfundon me një paralajmërim të qartë: “Nxënësit e shkollës së mesme përbëjnë një përqindje të madhe të punonjësve në pozicione fillestare. Nëse ata janë të papërgatitur, barra i bie vetë punëdhënësve për t’i trajnuar, duke shtuar kostot dhe kohën. Në rast të kundërt, mungesa e përgatitjes dëmton jo vetëm punëtorët, por edhe ekonominë dhe shoqërinë në tërësi.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.