Bëhet fjalë për Gëzim Morina, 23-vjeçar nga Kamenica, krahas studimeve për mekatronikë, ka zhvilluar një pasion të veçantë dhe mjaft inovativ: ndërtimin e avionëve dhe dronëve ushtarakë me telekomandë, të cilët i krijon kryesisht nga materiale të riciklueshme.
I riu i teston avionët që ndërton në stadiumin e Kamenicës, ndërsa për punën dhe përkushtimin e tij ka folur në një lidhje përmes Skype-it për emisionin “ABC e Mëngjesit”. Morina tregoi se për ndërtimin e avionëve punon me orare të zgjatura dhe se procesi kërkon shumë përkushtim dhe kreativitet.
Sipas tij, avionët që ndërton janë të pajisur me sistem kamerash dhe kanë aftësi të fluturojnë deri në 4.5 kilometra, ndërsa në rastet kur nuk janë të pajisur me kamera, arrijnë distancë fluturimi deri në 800 metra.
“Unë e kam si hobi. Këto janë aeroplanë me telekomandë që i rregulloj vetë dhe mund të përdoren edhe për nevoja ushtarake. I testoj në stadiumin e Kamenicës pasi i kam krijuar. Për avionin e madh kam punuar rreth pesë muaj, ditë e natë, sepse kam dashur të realizoj diçka që nuk është bërë më parë në Kosovë”, ka deklaruar Morina.
Ai theksoi se një pjesë e madhe e avionëve është ndërtuar nga materiale të riciklueshme, përfshirë edhe letrën, gjë që sipas tij e bën projektin edhe më të veçantë.
“Studioj mekatronikë në Prishtinë. Materialet shumicën i siguroj vetë, ndërsa pjesët e tjera i blej. Mundohem t’i gjej dhe t’i përshtas sipas nevojës”, u shpreh studenti.
Puna dhe inovacioni i Gëzim Morinës po shihet si shembull i potencialit që kanë të rinjtë në Kosovë në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, duke dëshmuar se me kreativitet dhe përkushtim mund të arrihen rezultate mbresëlënëse edhe me mjete të thjeshta.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.