Nga Fatima Gorezi – Në 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, drejtimi i këtij institucioni nga Guvernatori Gent Sejko përfaqëson një kombinim të veçantë privilegji dhe përgjegjësie. Ky moment historik shërben jo vetëm si reflektim mbi trashëgiminë e një-shekullit stabiliteti monetar dhe financiar, por edhe si sfidë për të avancuar standardet e besueshmërisë dhe inovacionit. Gjatë historisë së saj, krijimi i bankës në 1925, transformimi pas viteve ’90 dhe përpjekjet për përafrim me praktikat evropiane kanë lënë gjurmë të qëndrueshme në filozofinë operacionale të institucionit. Sot, Banka e Shqipërisë luan një rol kyç jo vetëm në sigurimin e stabilitetit makroekonomik, por edhe në mbështetjen e sektorit privat, startup-eve dhe inovacionit financiar, duke krijuar kushtet për një ekonomi të qëndrueshme, digjitale dhe të gjelbër. Business Magazine ka realizuar një intervistë ekskluzive me Guvernatorin Sejko, duke sjellë perspektivën e tij mbi sfidat, vizionin dhe mundësitë që presin sistemin financiar shqiptar.
Çfarë do të thotë për ju personalisht dhe institucionalisht të drejtoni Bankën e Shqipërisë në vitin e 100-vjetorit të saj? Cilat kanë qenë tre momentet më përcaktuese në historinë një-shekullore të Bankës së Shqipërisë që sot vazhdojnë të ndikojnë politikën monetare?
Të drejtoj Bankën e Shqipërisë në vitin e 100-vjetorit është një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e veçantë. Ky institucion ka qenë një shtyllë e stabilitetit ekonomik të vendit dhe një nga institucionet që ka mbajtur peshën më të madhe të transformimeve të shtetit shqiptar gjatë një shekulli. Për mua personalisht, ky vit përfaqëson një moment reflektimi, por edhe ambicie. Reflektimi lidhet me punën e brezave të bankierëve që ndërtuan një institucion të besueshëm; ambicia qëndron te detyrimi që kemi për ta çuar më tej këtë standard.
Në historinë e Bankës së Shqipërisë, ka disa momente kyçe që vazhdojnë të formësojnë filozofinë tonë operacionale. Krijimi i institucionit më 1925 shënoi themelimin e një banke kombëtare me instrumente për emetimin e monedhës dhe kreditimin e ekonomisë. Ajo periudhë i dha vendit për herë të parë një autoritet monetar dhe krijoi bazën e kulturës së stabilitetit që ne mbrojmë edhe sot. Pas viteve ’90, Shqipëria kaloi nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi të tregut. Reforma e thellë institucionale, transformimi në Bankën e Shqipërisë dhe vendosja e objektivit të stabilitetit të çmimeve ishin vendimtare për të ardhmen. Ky ishte momenti kur institucioni rivendosi misionin e tij si bankë qendrore moderne dhe orientimin drejt standardeve të ekonomive të zhvilluara.
Me integrimin evropian në fokus (i cili shpresojmë të jetë sa më pranë), sa afër dhe larg është Shqipëria me përputhjen e praktikave të saj monetare dhe mbikëqyrëse me standardet e familjes europiane?
Shqipëria është sot më afër se kurrë më parë me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës monetare, stabilitetit financiar, mbikëqyrjes dhe pagesave. Në shumë aspekte, ne tashmë funksionojmë sipas praktikave të Eurosistemit dhe të Bankës Qendrore Evropiane.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.