Gazetari i ekonomisë që u bë Guvernatori i parë në historinë e Bankës së Shqipërisë! Jeta e panjohur e bankierit Mario Alberti - Business Magazine Albania

Gazetari i ekonomisë që u bë Guvernatori i parë në historinë e Bankës së Shqipërisë! Jeta e panjohur e bankierit Mario Alberti

Guvernatori i parë

Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN

Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria pati funksionale bankën qendrore të emërtuar Banka Kombëtare e Shqipnis’ në vitin 1925 kur u nënshkrua akti i themelimit. (Projekti i 1913, i Ismail Qemalit zgjati pak e nuk mund të thuhet se ushtroi aktivitetin e plotë).

Akti i themelimit të Bankës u firmos nga ministri i Financave Mufid Libohova si përfaqësues i qeverisë shqiptare dhe Mario Albertit, si përfaqësues i grupit italian ku bënin pjesë disa banka dhe që kryesohej nga Instituti Kombëtar për Këmbimet me Botën e Jashtme.

Në Këshillin Administrativ të Bankës bënin pjesë Mario Alberti (Guvernator), Federico Brunner(zëvëndësguvernator) dhe këshilltarët e tjerë si E.De Wouters D’Oplinter, Giussepe Bianchini, Ugo Baracchi, Lale N.Zuber, Ugo Viali e Stefan Curani.

Lexo: Banka e Shqipërisë: Inflacioni do të kthehet në objektiv në 2024-ën

Po kush ishte Mario Alberti, Guvernatori i parë në historinë e bankës kombëtare në Shqipëri?

Mario Alberti lindi në Trieste me 4 maj të vitit 1884. Ai u specializua shumë i ri në fushën ekonomike dhe financiare. Aktivitetin e tij fillestar ai e ushtroi në Trieste, duke qenë bashkëpunëtor i sektorit të ekonomisë në gazetën “Il Piccolo”; një gazetë me karakter nacionalist.

Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, Alberti nisi një fushatë propaganda gazetareske në favor të bashkimit të Triestes me Italinë, pasi deri atëhere ajo ishte pjesë e Austro-Hungarisë. Në këtë mënyrë, ai u përfshi në aktivitete të shumta të qeverisë italiane, që në fund të luftës e bëri Triesten pjesë të saj.

Qeveria italiane, pas luftës, i besoi Albertit një serë detyrash të rëndësishme brenda dhe jashtë Italisë.

Ai u emërua si delegat për Thesarin në diskutimet që u zhvilluan në Vjenë gjatë bisedimeve për Paqen. Roli i tij u fuqizua ndjeshëm gjatë diskutimeve të Konferencës së Paqes në Versajë në 1919.

Në vitin 1921 ai mori detyrën e këshilltarit fuqiplotë financiar në Ambasadën Italiane në Uashington.

Në vitin 1923 ,mori pjesë në konferencën e Innsbruck për ndarjen e borxhit publik të Perandorisë Austro-Hungareze. Në vitin 1924, ishte pjesë e delegacionit të ekspertëve për reparacionet gjermane (borxhet e luftës), që solli planin “Dawes”; një plan që solli zgjidhjen e problemit të borxheve të luftës së Gjermanisë dhe shmangu një konflikt tjetër ndërkombëtar.

Po ashtu, në vitit 1925 dhe 1925, ishte respektivisht në Uashington dhe në Londër, si pjesë e delegacionit Italian ku u diskutua për borxhet e luftës.

Në këtë periudhë, ai bëhet drejtor i bankës ‘Credito Italiano’, një prej 3 bankave më të hershme dhe më të rëndësishme të Italisë.

Në cilësinë e drejtuesit të një prej bankave më të rëndësishme, ai drejton grupin e bankave italiane që bashkohen sëbashku me disa banka të tjera ndërkombëtare për themelimin në vitin 1925 të Bankës Kombëtare të Shqipnis’, duke marrë në këtë mënyrë detyrën dhe funksionet e Presidentit të Këshillit Administrativ, ose thënë ndryshe të Guvernatorit.

Gjatë kësaj periudhe, ai kryen edhe funksione të tjera të rëndësishme si President i Komitetit për Kontrollin dhe ekzekutimin e borxhit ndërkombëtar të Austrisë, nën monitorimin e Lidhjes së Kombeve.

Aktiviteti akademik i Mario Albertit

Aktiviteti i Mario Albertit nuk u ndal vetëm në kryerjen e detyrave të larta publike por u zgjerua ndjeshëm në fushën e studimeve ekonomike. Gjatë kohës që ishte President i Këshillit Administrativ të Bankës Kombëtare të Shqipnis’ ai ishte edhe pedagog i Politikës Monetare në një prej universiteteve më të njohura të ekonomisë, në Bocconi të Milanos.

Po ashtu, ai ishte pedagog i teknikës së monedhave, teknikës së kreditit dhe bursave si dhe pedagog i politikës ekonomike dhe financiare.

Mësimdhënien ai e shoqëroi edhe me publikime të shumta të karakterit ekonomik në gazeta e revista të ndryshme mes të cilave me La Tribuna, Il Piccolo, L’Idea Nazionale, La Nuova Antologia, Il giornale degli economisti, La rivista bancaria etj.

Po ashtu, ai shkroi një serë botimesh ekonomike dhe financiare mes të cilave “Guerra delle Monete (Lufta e Monedhave)”, “Il volto e l’anima della moneta  (Fytyra dhe shpirti i monedhave)”, “Gli svolgimenti monetari in Italia (Zhvillimet monetare në Itali); “Corso di politica monetaria (Kurs i politikës monetare), “Apparenze e realtà della vita economica (Dukje e realitete të jetës ekonomike)” etj.

Në jetën personale, njihej si një i apasionuar pas artit dhe sidomos skulpturës. Banesa e tij në Itali ishte e mbushur me piktura, basorelieve dhe mbi të gjitha me shumë skulptura (rreth 200 të tilla i kishte vetëm në oborr).

U nda nga jeta në Como të Italisë në 18 janar të vitit 1939, ndërsa ishte ende në detyrë si President i Këshillit Administrativ të Bankës Kombëtare të Shqipnis’.

Në këtë detyrë, ai u pasua nga Antonio Mosconi. Që nga krijimi e deri në ditët e sotme, Banka e Shqipërisë ka pasur 20 guvernatorë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0