“Gara” e fintech, Banka e Shqipërisë licencon edhe BKT Pay - Business Magazine Albania

“Gara” e fintech, Banka e Shqipërisë licencon edhe BKT Pay

Banka e Shqipërisë ka zyrtarizuar licencimin e institucionit të dhjetë të parasë elektronike në vend.

Banka Kombëtare Tregtare bëhet banka e parë që vendos të hyjë në tregun e pagesave nëpërmjet një institucioni të veçantë, BKT Pay, që do të kontrollohet në masën 100% prej saj.

Miratimi i ligjit të “Për Shërbimet e Pagesave”, në vitin 2020 solli një interes të lartë nga investitorët e rinj për të ngritur institucione pagesash të modelit fintech.

Ligji ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2021, por në praktikë ende nuk është plotësisht i zbatueshëm, në pritje të hyrjes së plotë në fuqi të akteve të nevojshme nënligjore.

Dispozitat ende të pazbatueshme lidhen kryesisht me konceptin e bankingut të hapur, që do t’iu mundësojë përdoruesve të përdorin llogarinë e tyre bankare për të kryer shërbime pagesash të ofruara nga institucione të tjera financiare. Bankat do të jenë të detyruara të japin akses me aprovimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave. Mbështetur në konceptin e mësipërm, do të krijohen dy shërbime të reja, ai i informacionit mbi llogaritë dhe shërbimi i inicimit të pagesave.

Megjithëse risitë më të rëndësishme të ligjit të ri ende nuk janë të zbatueshme, tregu i pagesave po tërheq një numër të konsiderueshëm aktorësh të rinj. Që nga fillimi i vitit 2021, Banka e Shqipërisë ka licencuar shtatë institucione të reja të parasë elektronike.

Objektivi i Bankës së Shqipërisë është që koncepti i open banking të bëhet operacional vitin e ardhshëm dhe pritet të mundësohet me zbatimin e plotë të rregullores “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”, ka si objekt përcaktimin e kërkesave që duhet të plotësohen nga ofruesit e shërbimeve të pagesave, me qëllim zbatimin e masave të sigurisë, për zbatimin e procedurës së autentifikimit të thelluar të klientit, në përputhje me nenin 90 të ligjit.

Ndërsa tregu bankar në vitet e fundit po kalon një proces të dukshëm konsolidimi, me uljen e numrit të bankave nga 16 në 11, tregu i fintechs duket në një fazë mjaft dinamike dhe po tërheq investitorë të rinj. Ky interes bazohet në potencialet e mëdha ende të pashfrytëzuara që ka tregu shqiptar në drejtim të përfshirjes financiare dhe paralelisht në zgjerimin e aksesit të publikut në teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit.

Ndërohë, tendenca e investimit të bankave në kompani të llojit fintech është e njohur prej vitesh tashmë në tregun botëror. Disa prej grupeve të mëdha bankare po investojnë në ndërmarrje të suksesshme fintech.

Për sa i takon tregut shqiptar, vendimi i BKT-së për të hyrë në tregun e pagesave nëpërmjet një filiali të saj përbën një lloj risie. Deri tani, vetëm Union Bank ishte palë e lidhur me një institucion të parasë elektronike (aksionerin e saj kryesor, Union Financiar Tiranë), por kjo lidhje është e hershme, para se UFT të licencohej si institucion i parasë elektronike dhe të zhvendosej drejt modelit të institucionin fintech.

BKT synon të zhvillojë paralelisht një model biznesi më dinamik në sektorin e pagesave, duke i kanalizuar shërbimet e reja në një institucion financiar të dedikuar për këtë qëllim.

Nga njëra anë, Shqipëria ende ka rrugë për të bërë në drejtim të përfshirjes financiare dhe sipas vlerësimeve më të fundit vetëm 69% e popullsisë në moshë madhore kanë një llogari bankare. Por, nga ana tjetër, modeli fintech synon të konkurrojë shërbimin e ofruar nga bankat, duke pasur si objektiv sidomos më të rinjtë, që shpesh i perceptojnë bankat si institucione financiare më të burokratizuara dhe më të ngadalta për të adoptuar zgjidhjet më bashkëkohore.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0