GaiaMark, startup-i shqiptar që po i mëson hotelet si të jenë më të gjelbra me inteligjencë artificiale - Business Magazine Albania

GaiaMark, startup-i shqiptar që po i mëson hotelet si të jenë më të gjelbra me inteligjencë artificiale

GaiaMark, startup-i shqiptar që po i mëson hotelet si të jenë më të gjelbra me inteligjencë artificiale
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Eni Muça- Në hotele, bujtina dhe resorte në gjithë Shqipërinë, fjala “qëndrueshmëri” dëgjohet gjithnjë e më shpesh, por pak kush di ta masë realisht se sa e qëndrueshme është një strukturë. Pikërisht këtu hyn GaiaMark, një startup i ri shqiptar që po sjell një qasje krejt ndryshe: certifikimin e strukturave akomoduese përmes inteligjencës artificiale. Pas këtij projekti qëndron Elisa Ago, e cila po përpiqet ta kthejë qëndrueshmërinë nga një slogan në një standard konkret dhe të verifikueshëm.Ideja është sa e thjeshtë aq edhe ambicioze:

“Po krijojmë një mënyrë të re për të matur qëndrueshmërinë. Jo si një etiketë marketingu, por si një proces të vazhdueshëm përmirësimi”, shpjegon Elisa. Në vend që strukturat turistike të mbështeten në vlerësime subjektive ose checklist-a statike, GaiaMark përdor AI për të analizuar praktikat e tyre dhe për t’i udhëzuar drejt standardeve më të larta mjedisore dhe operacionale.

Aktualisht, startup-i ndodhet në fazën përfundimtare të prototipit dhe po përgatitet për nisjen e fazës pilot me grupin e parë të strukturave akomoduese. Për Elisa-n, ky është momenti më i rëndësishëm. “Vetëm kur je në terren, me hotele reale dhe klientë realë, e kupton nëse ajo që ke ndërtuar funksionon vërtet.”

Por rruga drejt këtij momenti ka ardhur me sfida. Një nga më të mëdhatë ka qenë krijimi i besimit në një treg që ende po mëson të flasë gjuhën e qëndrueshmërisë. “Sfida jonë kryesore ka qenë të shpjegojmë pse këto praktika kanë vlerë ekonomike, jo vetëm mjedisore,” thotë ajo. Për këtë arsye, ekipi i GaiaMark ka kaluar muaj duke folur drejtpërdrejt me pronarë hotelesh dhe agjenci turistike, duke dëgjuar problemet e tyre dhe duke e ndërtuar platformën mbi këto nevoja reale.

Lexo edhe:Lea Ypi: 2026-ta …viti që mund të jetë!

“Ne nuk donim të krijonim një produkt nga tavolina. Donim ta ndërtonim nga bisedat me tregun,” shton Elisa. Pikërisht ky feedback është kthyer në themelin e dizajnit të platformës dhe të modelit të certifikimit.

Edhe pse GaiaMark është vetëm tre muajsh, progresi ka qenë i shpejtë. Prototipi i parë është gati, ndërsa bisedimet për fazën pilot janë në zhvillim. “Jemi në kontakt me grupin e parë të strukturave që duan të certifikohen dhe kjo për ne është një hap i madh,” shpjegon ajo. Paralelisht, startup-i po ndërton partneritete me agjenci turistike për ta shndërruar certifikimin në një avantazh real në treg.

Një tjetër element kyç në këtë fazë është një bashkëpunim strategjik me një entitet ndërkombëtar. “Ky partneritet do të na ndihmojë të rrisim standardin dhe besueshmërinë e certifikimit në Shqipëri,” thotë Elisa.

Mbështetja nga NomadTech, ku GaiaMark është përzgjedhur si një nga startup-et fituese, po luan gjithashtu një rol të rëndësishëm. “Falë NomadTech po arrijmë të hyjmë më shpejt në treg, të promovojmë platformën dhe të kemi akses tek partnerët tanë të parë,” shpjegon ajo.

Kur flet për të ardhmen, Elisa e sheh GaiaMark si shumë më tepër se një platformë. “Në 3–5 vitet e ardhshme, duam të jemi një pikë reference për certifikimin e qëndrueshmërisë në turizëm, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin.” Synimi është që GaiaMark të ndihmojë industrinë të bëhet më konkurruese, duke e lidhur performancën mjedisore me suksesin ekonomik.

“Unë dua që GaiaMark të kujtohet si startup-i që solli një ndryshim real, të matshëm, në mënyrën se si bëhet turizmi këtu,” thotë ajo. “Nëse strukturat turistike bëhen më të qëndrueshme, përfiton jo vetëm biznesi, por edhe vendi.”

Dhe pikërisht kjo filozofi po e udhëheq GaiaMark që në hapat e parë: teknologjia si mjet, por ndikimi si qëllim.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0