Fuqia e investimeve jomonetare - Business Magazine Albania

Fuqia e investimeve jomonetare

Fuqia e investimeve jomonetare

Në botën e investimeve, shpesh mendojmë për para, aksione dhe pasuri. Megjithatë, investimet më të vlefshme fillojnë nga vetja dhe aspektet që nuk lidhen fare me paratë. “Fuqia e investimeve jomonetare” qëndron në investimin në marrëdhënie të shëndetshme, zhvillimin personal dhe ndërtimin e komunitetit, që mund të sjellin përfitime domethënëse dhe të qëndrueshme. Këto investime krijojnë një bazë solide që mund të na çojë edhe në sukses financiar. Në këtë artikull, do të shqyrtohet fuqia që ka investimi në aspektet jomonetare dhe se si përqendrimi te vlerat jomonetare mund të përmirësojë jetën tonë dhe të forcojë potencialin tonë për sukses në të gjitha fushat, përfshirë edhe investimet financiare.

Investoni te Vetja

Investimi personal vjen në shumë forma. Kryesorja ndër to është falja e vetvetes. Pendimi është një praktikë e zakonshme te njerëzit  — dhe në fakt efektet e tij mund të jenë shkatërruese. Specifikat e tij variojnë: mund të ketë të bëjë me një veprim të bërë ose të pabërë, një marrëdhënie e krijuar ose e shkëputur, ose një objekt i blerë ose i shitur. Kapaciteti i njeriut për të fajësuar veten është i pakufishëm. Ne kalojmë një sasi të pafundme kohe duke u ndier keq për gjërat që dëshirojmë t’i kishim bërë më mirë.

Ndërsa vetë-fajësimi shërben për introspeksion dhe përmirësimin e rezultateve tona të ardhshme, ai shpesh lë pas një rrugë vetë-shkatërruese. Është e vështirë të shikosh përpara kur je vazhdimisht duke shikuar prapa. Një çelës për zgjidhje është të ndryshojmë atë që mund të ndryshojmë dhe të falim veten për pjesën tjetër.

Reflektoni me veten tuaj këto pyetje: Për çfarë nuk jeni të gatshëm ta falni veten? Çfarë dëmi po ju shkakton në mirëqenien tuaj kjo mungesë vullneti për ta falur veten?

Një mënyrë tjetër e zakonshme për të investuar në veten tonë është duke patur një përqasje jo të nxituar por të qëndrueshme edhe pse mund të na duket me ritëm të ngadalësuar. Shpesh, ne kemi synime të mëdha të guximshme dhe duam t’i arrijmë ato menjëherë. Priremi ti venodsim vetes sa më shumë prioritete dhe objektiva për ti përmbushur brenda një afati të shkurtër kohor. Megjithatë duhet patur parasysh se progresi i ngadaltë është ajo që na ndihmon përfundimisht të fitojmë në ‘garën’ me ambiciet tona. Nëse mund të bëjmë përparim drejt një qëllimi madhor me vetëm një për qind në muaj, do të kemi përfitime kolosale vjetore në plan afatgjatë. Ky parim ka zbatim për një aftësi, një marrëdhënie ose pothuajse çdo gjë që ne synojmë të arrijmë. Ne nuk duhet të lejojmë që besimet tona kufizuese të na pengojnë, dhe as të na dekurajojnë.

Gjithashtu si një formë investimi te vetja ju duhet të investoni edhe në përvoja. Ndërsa mësojmë dhe rritemi nga përvojat që kalojmë, ne përmirësojmë aftësitë që na bëjnë punonjës si dhe njerëz më të mirë.

Dhe nëse do të flasim për investimin në veten tonë, do të ishim anashkalues ​​nëse nuk do të përmendnim arsimin.

Investoni në Edukim

Pa dyshim që ju keni patur përfitime të panumërta nga arsimimi juaj deri në cilindo nivel të studimeve ti keni ndjekur, mirëpo ka kaq shumë mënyra të ndryshme për t’u edukuar në ditët e sotme — lexoni, diskutoni, merrni pjesë në kurse online, bëni debate konstruktive për koncepte dhe fenomene të botë që ju rrethon.

Dija është ‘fondi i emergjencës’ me të cilin mbroni lumturinë tuaj. Kur të gjitha burimet e tjera shterojnë, dija ju ndihmon të siguroni një punë, të ndërtoni një strehë, ose të merrni vendimet e duhura në momentet më kritike. Mos kurseni në përmirësimin e vetvetes dhe mos nguroni të paguani për të. Paratë që shpenzoni për arsim do të shumëfishohen në formën e dijes dhe aftësive, dhe në plan afat gjatë do të konvertohen në sukses të shumëfisht për objektivat tuaja.

Jini të hapur ndaj eksperiencave të reja dhe aktiviteteve që ndoshta mund t’ju duken të huaja ose të pakëndshme.

E vetmja mënyrë për të fituar njohuri ose për të zbuluar pasione të reja është të jeni të gatshëm të eksploroni. Jo vetëm që do të ekspozoheni ndaj mundësive të reja, por gjithashtu do të ndërtoni marrëdhënie më të forta me ata që u thoni po. Gjithmonë mbani çantat gati.

Mos kini frikë të mësoni gjëra të reja. Jam vazhdimisht i habitur nga sa rezistentë janë njerëzit e zakonshëm për të mësuar rreth financave bazë. Shumica e ekspertëve sugjerojnë që disa orë leximi çdo muaj do t’ju bëjnë plotësisht kompetent financiarisht. Por paragjykimi që kjo temë është shumë e vështirë i frikëson shumë njerëz; mos e lejoni këtë.

Kam parë shumë pacientë të vdesin me një libër në komodinën e tyre ose me një debat të papërfunduar në mendje. Kjo nuk është e trishtuar ose triviale. Edhe ata që janë duke vdekur zgjohen çdo mëngjes me një plan për mënyrën se si do ta kalojnë çdo ditë. Sigurohuni që të lini hapësirë për të fituar njohuri të reja. Njerëzit kureshtarë priren të vdesin ashtu siç kanë jetuar: të lumtur dhe plot pyetje.

Lexo edhe: Depresioni i Verës: Navigimi nëpër këndvështrime dhe mënyra efektive për t’i parandaluar

Investoni në rrethin tuaj social

Një ndër shenjat më të mëdha të suksesit të një personi, pa marrë parasysh pasurinë ose gjendjen e mirëqenies emocionale, janë njerëzit që ai ka rreth vetes. Investimi në marrëdhënie të shëndetshme dhe kontakte me njerëz të dobishëm për progresin tonë është thelbësor për një jetë të suksesshme. Të qenit pjesë e grupeve me njerët ku ndjeni se përkisni është kyçe për suksesin tuaj dhe për arritjen e objektivave tuaja. Pasja e njerëzve që ju kuptojnë plotësisht për atë që jeni dhe për ato që doni të arrini, si dhe për potencialin që ju keni dhe që shpesh mund ta harroni përbën një nga investimet më të rëndësishme të jetës tuaj, kostot e të cilit janë të larta nëse nuk është një ‘investim cilësor’ por nga ana tjetër përfitimet e tij janë po të larta nëse është një ‘investim cilësor’.

Investimi në shëndetin fizik dhe mendor

Trupi dhe mendja juaj janë të lidhura reciprokisht. Ato formojnë strukturën mbi të cilën ju ndërtoni çdo aspekt të jetës tuaj. Nuk mund të keni mirëqenie financiare pa mirëqenie mendore dhe fizike. Menaxhimi i parave dhe i të ardhmes suaj kërkon parashikim dhe vendimmarrje të kujdesshme. Nuk mund të bëni këtë në mënyrë të duhur nëse vetë nuk jeni në gjendje të mirë.

Investoni në shëndetin mendor duke u angazhuar për të kuptuar dhe hulumtuar vazhdimisht vetveten tuaj dhe mënyrën si ndërveproni me të tjerët. Mësoni si të ngadalësoni mendjen dhe të relaksoheni me aktivitete si meditimi, ushtrime fizike dhe dëgjimi i muzikës klasike  apo lloje të tjera aktivitetesh që ju përshtaten në mënyrë unike juve.  Këshillimi psikologjik është shumë i dobishëm për tu kryer në çdo fazë të jetës tuaj, jo vetëm kur ju ndjeni një problem a një penges te vetvetja juaj në raport me të jetuarit me mirëqenie. Marrja e perspektivës së jashtme nga një profesionist mund të sjellë një ndryshim të madh në qetësimin e zërit të brendshëm kritik të vetes që shpesh ju shpërqendron nga qetësia juaj dhe nga fokusi te objektivat dhe suksesi.

Shëndeti fizik gjithashtu luan një rol të rëndësishëm. Jo vetëm që mund të ndikojë në jetëgjatësinë tuaj, por ka edhe përfitimet emocionale janë të qëndrueshme. Ne gjithmonë ndihemi më të fortë fizikisht dhe emocionalisht kur bëjmë hapa pozitivë për tu kujdesur për veten tonë. Mundohuni të merrni të paktën tridhjetë minuta nga dita juaj për tu fokusuar te një aktivitet fizik çdo ditë. Filloni me diçka të lehtë si ecja. Gjeni një aktivitet që plotëson nevojat tuaja fizike pa qenë detyrimisht i bezdisshëm apo i rëndë. Nëse e urreni, zakoni i të bërit aktivitet fizik sigurisht që nuk do të zgjasë, ndaj është shumë e rëndësishme të gjeni një formë ushtrimi fizik që ju duket tërheqës dhe ju motivon pavarësisht sforcos muskulare që do ju duhet të bëni.

Sa më e fortë të jetë baza e investimeve jomonetare që krijoni, aq më mirë do të jeni në gjendje të përballeni me të papriturat në jetë. Ndaj investoni në veten tuaj me mençuri dhe me vendosmëri të vazhdueshme pavarësisht ritmit herë të ngadaltë e herë të vrullshëm.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

getrichslowly

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0