Qeveria ka prezantuar sot paketën me masat ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj abuzimeve në ndërtim.
Sipas kryeministrit Rama, i gjithë zinxhiri i përgjegjësisë, nga arkitektët, inxhinierët e deri tek supervizorët do të mbajë përgjegjësi penale për ndërtimet e paligjshme. Ai theksoi se ndërtuesit që shesin apartamente dy herë do të futen në listën e zezë dhe ndërtesat e tyre do të konfiskohen, për t’u përfunduar më pas nga shteti.
“Fenomeni i ndërtimeve pa leje nuk mund t’u lihet gjeneratave të ardhshme. Asnjë objekt nuk do të lidhet me energji apo ujë nëse nuk merr certifikatën e përdorimit”, deklaroi Rama.
Lexo edhe: Mbi 10 startup-e evropiane arritën statusin “unicorn” në vitin 2025
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja po ashtu nënvizoi se paketa parashikon masa administrative dhe penale, inventarizim të hapësirave publike dhe një regjistër të posaçëm kadastral. Punimet që tejkalojnë lejen me mbi 10% do të përdoren për strehim social ose do të prishen. Ndërtuesit abuzivë do të përjashtohen nga lejet për pesë vite.
Institucionet e pranishme theksuan problematikat e përsëritura, si ndërtimet pa tituj pronësie, shtesat pa leje dhe certifikimet e paligjshme nga inxhinierë e arkitektë, duke kërkuar mekanizma më të forta ndëshkimi e ndërgjegjësimi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.