Finlanda kufizon përdorimin e telefonave celularë gjatë ditëve të shkollës - Business Magazine Albania

Finlanda kufizon përdorimin e telefonave celularë gjatë ditëve të shkollës

Telefon

Finlanda ka miratuar një ligj të ri që kufizon përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera digjitale gjatë ditës në shkollë, mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e tyre në mirëqenien dhe të nxënit e fëmijëve. Sipas ligjit, i miratuar të martën nga parlamenti finlandez dhe që hyn në fuqi më 1 gusht, përdorimi i celularëve do të kufizohet ndjeshëm gjatë orëve të mësimit. Nxënësit mund t’i përdorin ato vetëm me lejen e mësuesit për qëllime mësimore ose shëndetësore.

Finlanda i bashkohet kështu një grupi vendesh evropiane që po marrin masa ligjore për të kufizuar përdorimin e telefonave në shkolla, në përballje me të dhënat që tregojnë ndikim negativ tek të rinjtë – nga shpërqendrimi tek vetëvlerësimi i ulët.

Më herët këtë vit, Danimarka njoftoi ndalimin e celularëve në të gjitha shkollat. Rasmus Meyer, drejtues i komisionit për mirëqenie, tha për The Guardian se kjo masë është e nevojshme për të ndaluar “kolonizimin e shkollave nga platformat digjitale” dhe ftoi edhe shtetet e tjera evropiane të ndjekin shembullin.

Parlamenti finlandez ka urdhëruar gjithashtu një studim për të vlerësuar efektet e kufizimeve të reja brenda dhe jashtë vendit, që do të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. Nëse rezulton i nevojshëm, do të ndërmerren masa të tjera.

Lexo edhe: Njihuni me “superfuqinë” që i mungon shumicës së adoleshentëve, gjumi i mjaftueshëm

Sipas rregullave të reja, nxënësit mund të përdorin celularët gjatë mësimit vetëm për qëllime edukative ose për kujdes ndaj shëndetit të tyre. Në rast se pajisjet digjitale pengojnë mësimin, drejtori ose mësuesi ka të drejtë t’i konfiskojë. Shkollat do të duhet të përcaktojnë edhe rregulla për përdorimin dhe ruajtjen e pajisjeve gjatë orëve, vakteve dhe pushimeve.

Megjithatë, disa deputetë kundërshtuan ligjin, duke thënë se kufizimet duhet të shtriheshin edhe në kohën e pushimeve dhe gjatë vakteve.

Ministri i Arsimit i Finlandës, Anders Adlercreutz, deklaroi të martën:
“Përmes këtij ligji, u japim nxënësve mundësi më të mira për t’u përqendruar në studime dhe u japim mësuesve mjetet e nevojshme për të krijuar një mjedis pune të qetë që mbështet të nxënit.”

Sipas tij, ky ligj do të krijojë gjithashtu “më shumë mundësi për ndërveprim domethënës”.

“Shkolla nuk është thjesht vend ku mësohen njohuri. Është edhe vendi ku zhvillohen aftësitë shoqërore. Kur sytë janë gjithnjë në ekran, ndërveprimi bëhet i vështirë. Prandaj duam t’u japim nxënësve më shumë hapësirë për të komunikuar gjatë ditës shkollore,” përfundoi ministri.

Burimi: The Guardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0