Finalizohet Maratona Kombëtare e Sigurisë Kibernetike 2025 - Business Magazine Albania

Finalizohet Maratona Kombëtare e Sigurisë Kibernetike 2025

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka përmbyllur Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025, një iniciativë gjithëpërfshirëse dhe inovative që u zhvillua përgjatë disa muajve, me qëllim forcimin e kapaciteteve njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike dhe identifikimin e talenteve të reja në nivel kombëtar.

Maratona u organizua në tre kategori kryesore: Maratona për Universitetet dhe Shkollat Profesionale, Maratona për Vajzat dhe Gratë, si dhe Maratona Speciale për personat me nevoja të veçanta, duke reflektuar një qasje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Formati i kësaj nisme ngjalli interes të lartë, me mbi 1000 aplikantë, prej të cilëve më shumë se 500 konkurrentë u përzgjodhën për të marrë pjesë aktive në fazat konkurruese.

Gjatë gjithë periudhës së zhvillimit, pjesëmarrësit u testuan përmes sfidave teknike të nivelit profesional, të implementuara dhe të administruara përmes platformës SimSpace, e financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e cila ofroi një ambient real dhe të standardizuar për vlerësimin e aftësive. Sfidat përfshinë analiza, menaxhim incidentesh, simulime proaktive, si dhe zgjidhje skenarësh me kompleksitet të lartë.

Lexo edhe:Shërbimi postar danez ndalon shpërndarjen e letrave pas mbi 400 vitesh

Në fjalën e tij, Igli Tafa, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, theksoi se Maratona Kombëtare e Sigurisë Kibernetike përfaqëson një iniciativë unike për nga organizimi, shtrirja dhe përfshirja, e ndërtuar për herë të parë si një format i vetëm që bashkon studentë të universiteteve, vajza dhe gra, si dhe persona me aftësi të kufizuara. Ai nënvizoi se kjo maratonë shërben si një mekanizëm konkret për identifikimin e talenteve dhe ndërtimin e kapaciteteve profesionale, të domosdoshme për mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend, si dhe për zhvillimin e sigurt të shërbimeve digjitale në vend.

Nga ana e saj, Mirela Kumbaro, Ministre e Arsimit, vlerësoi Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike si një nismë që shkon përtej konkurrimit teknik dhe që duhet parë si pikënisje për një proces të vazhdueshëm ndërgjegjësimi dhe edukimi. Ajo theksoi se siguria kibernetike nuk mund të mbetet vetëm në rrethin e profesionistëve, por duhet të shtrihet si kulturë dhe përgjegjësi e përbashkët te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe institucionet arsimore.

Fituesit e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025

Maratona për Vajzat dhe Gratë

  • Vendi I: Ana Kaci
  • Vendi II: Adriana Roci
  • Vendi III: Irva Dafa

Maratona për Studentët

  • Vendi I: Earta Joca
  • Vendi II: Sidrit Zela
  • Vendi III: Orgito Leka
  • Vendi III: Firdeus Dikelari
  • Vendi III: Asim Lecini
  • Vendi III: Emanuel Dervishi
  • Vendi III: Abdurrahman Sejta
  • Vendi III: Arkel Lahi

Maratona Speciale për persona me aftësi të kufizuara

  • Vendi I: Dorina Olldashi
  • Vendi II: Erblin Karaj
  • Vendi III: Alvaro Dunja

Maratona për Universitetet

  • Vendi I: Akademia e Forcave të Armatosura
  • Vendi II: Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit
  • Vendi III: Universiteti “New York”

 Përmes kësaj nisme, AKSK forcon lidhjen ndërmjet arsimit, profesionistëve të rinj dhe institucioneve, duke ndërtuar kapacitete të reja që i përgjigjen nevojave aktuale dhe afatgjata të sigurisë kibernetike.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0