Regjisori britanik Danny Boyle është kthyer me një kapitull të ri të sagës kult të zhanrit horror: “28 Years Later”. Por këtë herë, nuk është vetëm historia që tërheq vëmendjen – është edhe mënyra sesi është realizuar filmi.
Në një qasje të guximshme dhe eksperimentale, Boyle ka zgjedhur të xhirojë disa skena të filmit me një mjet që shumica prej nesh e mbajnë në xhep: Apple iPhone. Fotot nga prapaskenat, të cilat u bënë virale në rrjetet sociale, zbuluan një ekip të pajisur jo me kamera të zakonshme hollivudiane, por me telefona smart.
Në një deklaratë për mediat ndërkombëtare, regjisori konfirmoi përdorimin e iPhone-ëve, duke thënë se “teknologjitë e reja kanë hapur një univers të ri për të krijuar pamje më të gjalla dhe skena më të ngjeshura me emocion”.
Lexo edhe: Nga entuziazmi te investimi, një kapitull i ri për industrinë e filmit!
Duke ndjekur hapat e paraardhësit të tij “28 Days Later” (2002), i cili u xhirua me kamera miniDV në formatin klasik 4:3, “28 Years Later” sjell një pamje vizuale krejtësisht ndryshe. Filmi i ri është realizuar në raportin ultra-panoramik 2.76:1, një zgjedhje që shton ndjesinë e ankthit dhe hapësirës së pasigurt – “nëse je në widescreen, të infektuarit mund të jenë kudo”, është shprehur Boyle për IGN.
Së bashku me kinematografin e tij të përhershëm, Anthony Dod Mantle, Boyle ka shkuar edhe më tej në eksperimentim duke ndërtuar një platformë të posaçme me 20 iPhone të sinkronizuar, që lejon filmimin nga shumë kënde njëkohësisht. Kjo qasje jo vetëm që përshpejton procesin e xhirimit, por i jep montazhit më shumë liri kreative për të ndërtuar tensionin e duhur në secilën skenë.
Filmi do të dalë në kinematë botërore më 20 qershor 2025, dhe përveçse pritet të sjellë risi në përmbajtje, është edhe një eksperiment teknik që mund të ndikojë të ardhmen e kinemasë moderne.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.