Fëmijët lituanezë do të mësojnë të ndërtojnë dronë që në klasë të 3-të - Business Magazine Albania

Fëmijët lituanezë do të mësojnë të ndërtojnë dronë që në klasë të 3-të

Nga shtatori, nxënësit lituanezë do të mësojnë diçka më shumë sesa matematika dhe historia, ata do të studiojnë ndërtimin dhe përdorimin e dronëve. Ministria e Mbrojtjes së Lituanisë ka nisur një projekt të ri për aftësitë e kontrollit dhe ndërtimit të dronëve, i cili do të përfshijë publikun e gjerë dhe nxënësit nga klasa e tretë deri në të dymbëdhjetën.

Sipas planit, deri në vitin 2028 do të hapen nëntë qendra trajnimi, ndërsa të parat tre do të jenë gati që këtë shtator. “Dronët janë tashmë pjesë integrale jo vetëm e shkencës dhe industrisë, por edhe e jetës së përditshme,” deklaroi Valdas Jankauskas, drejtor i Agjencisë së Arsimit Joformal të Lituanisë (LINEŠA). Ai shtoi se projekti u jep brezave të rinj mundësinë të njihen me këtë fushë që në moshë të hershme, një njohuri e vlefshme si për inxhinierët e së ardhmes, ashtu edhe për çdo qytetar aktiv.

Nisma vjen në një kohë kur vendi po rishikon mbrojtjen e kufijve. Muajin e kaluar, një dron rus pa pilot, i pajisur me eksplozivë, u rrëzua pranë një baze ushtarake në Lituani, pasi kishte hyrë nga Bjellorusia. Ngjarja shtoi kërkesat për mbështetje shtesë nga NATO, përballë asaj që autoritetet e përshkruan si “një shenjë alarmante të përhapjes së agresionit rus”. Ish-kryeministri Andrius Kubilius, aktualisht Komisioner i BE-së për Mbrojtjen dhe Hapësirën, pranoi se gatishmëria e vendit për t’iu përgjigjur një sulmi me dronë “nuk është në nivelin që duhet”, duke theksuar se duhet të përgatiten për t’u mbrojtur nga “qindra mijëra dronë”.

Lexo edhe: TikTok sfidon “fake news” me shënime komunitare – a funksionon vërtet ky model?

Projekti synon që deri në vitin 2028, mbi 22,000 persona,  përfshirë 7,000 fëmijë të zotërojnë aftësi për pilotimin dhe ndërtimin e dronëve. Nxënësit që nga mosha 9-vjeçare do të angazhohen në ndërtimin e dronëve përmes eksperimenteve praktike dhe lojërave. Në arsimin e mesëm të ulët, ata do të mësojnë pilotimin e dronëve me pamje të parë në mjedise të mbyllura dhe ndërtimin e tyre. Në shkollën e mesme, nxënësit do të projektojnë dhe prodhojnë pjesë 3D për dronë dhe do të marrin pjesë në gara rajonale e kombëtare.

Me këtë program, Lituania i bashkohet fqinjëve të saj baltikë në nisma të ngjashme. Estonia ka premtuar një program të arsimit për dronë deri në mesin e vitit 2026, si pjesë e kurrikulës kombëtare të mbrojtjes për zhvillimin e ndërgjegjësimit qytetar dhe gatishmërisë për të mbrojtur vendin. Ndërkohë, Letonia zhvilloi këtë korrik kampin e parë për operatorët e rinj të dronëve, ku 32 kadetë të rinj u trajnuan në pilotim dhe luftë elektronike.

Të tre vendet po ndërtojnë gjithashtu një “mur dronësh” përgjatë kufijve lindorë me Rusinë, që përfshin sistemet e para të zbulimit të dronëve në kufi dhe në katër qytete të mëdha deri në fillim të vitit 2027.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0